dhjetor 15

Dhjetor 2022


Ndërsa isha gati të filloja këto devocione, dëgjova që Marion Newstram sapo kishte vdekur. Ajo dhe bashkëshorti i saj Elmer kanë qenë pjesë e kishës Baptiste Bethlehem që para se shumica e anëtarëve tanë të kishte lindur. Marion ishte 87 vjeç. Ata qenë të martuar për 64 vjet.

Kur fola me Elmerin dhe i thashë se doja të ishte i fortë në Zotin dhe të mos ligështohej me jetën, ai më tha: “Ai ka qenë një mik i vërtetë”. Lutem që të gjithë të krishterët të kenë mundësi të thonë në fund të jetës së tyre: “Krishti ka qenë një mik i vërtetë.”

Çdo stinë Krishtlindjeje kujtoj përvjetorin e vdekjes së nënës time. Jeta iu ndërpre kur ishte 56 vjeç në një aksident me autobus në Izrael. Ishte 16 Dhjetor 1974. Edhe sot, ato ngjarje janë jashtëzakonisht reale për mua. Nëse e lëshoj veten, fare lehtë mund të përlotem–për shembull, kur mendoj se djemtë e mi nuk e njohën kurrë gjyshen e tyre. Varrimi i saj ishte një ditë pas Krishtlindjes. Oh, sa e çmuar ishte ajo Krishtlindje!

Shumë prej jush e ndieni humbjen tuaj këtë Krishtlindje më tepër se më parë. Mos i rezisto! Lëre të vijë. Ndieje! Përse shërben dashuria, nëse nuk është për të intensifikuar ndjenjat tona–si në jetë ashtu dhe në vdekje? Por, oh, mos u hidhëro! Hidhërimi është vetëshkatërrim tragjik.

Jezusi erdhi në Krishtlindje, në mënyrë që të kemi jetën e përjetshme: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Elmer dhe Marion kishin biseduar ku do t’i kalonin vitet e tyre të fundit. Elmeri tha: “Unë dhe Marion ramë dakord që banesa jonë e fundit dhe e përjetshme do të jetë me Zotin.”

A ndihemi të përmalluar për shtëpinë? Me rastin e festave, më vijnë familjarë për vizitë. Kjo më bën të ndihem mirë. Mendoj se arsyeja themelore pse ndihemi mirë, është që unë dhe ata, në thellësi të qenies sonë, jemi të destinuar për një ribashkim përfundimtar. Të gjitha mbledhjet e tjera në shtëpi janë thjesht një shije e asaj që na pret. Si të tilla, janë të mira.

Por jo kur zëvendësojnë më të mirën! Mos lejo që gjërat e ëmbla të kësaj stine të zëvendësojnë ëmbëlsinë e madhe, përfundimtare dhe plotësisht të kënaqshme. Lejo që çdo humbje dhe çdo kënaqësi të ta përmallojë zemrën për qiellin.

Krishtlindja. Çfarë tjetër është ajo veçse: Unë kam ardhur që të kenë jetë. Që Marion Newstram, Ruth Piper, ti dhe unë–ne, të mund të kemi jetë, tani e përjetë.

Bëje të Tashmen tënde më të pasur dhe më të thellë këtë Krishtlindje duke pirë nga burimi i Përjetësisë. Përjetësia është kaq afër.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia