14 shkurt

Shkurt 2022


Pse e krijoi Perëndia gjithësinë? Dhe pse e qeveris atë ashtu siç po e bën? Çfarë po arrin Perëndia? A është Jezu Krishti një mjet drejt kësaj arritjeje apo synimi i arritjes?

Jezu Krishti është zbulesa supreme e Perëndisë. Ai është Perëndia në formë njerëzore. Dhe si i tillë, Ai është synimi, dhe jo një mjet.

Manifestimi i lavdisë së Perëndisë është kuptimi i gjithësisë. Këtë gjë po arrin Perëndia. Qiejt dhe historia e botës, “tregojnë lavdinë e Perëndisë”.

Gjithsesi, Jezu Krishti u dërgua për të arritur diçka që duhej bërë. Ai erdhi që të sillte zgjidhjen për rënien në mëkat. Ai erdhi për t’i çliruar mëkatarët nga shkatërrimi i pashmangshëm, për shkak të mëkatit të tyre. Këta të shpëtuar do ta shohin, do ta shijojnë dhe do ta shfaqin lavdinë e Perëndisë me gëzim të përjetshëm.

Të tjerët do të vazhdojnë ta përbuzin lavdinë e Perëndisë. Prandaj, Jezu Krishti është mjeti drejt asaj që Perëndia kishte për qëllim të arrinte në manifestimin e lavdisë së Tij, për kënaqësinë e popullit të Tij. Askush nuk do ta shohë, ta shijojë dhe ta kremtojë lavdinë e Perëndisë veçmas veprës së Krishtit. Synimi i gjithësisë do të humbiste. Prandaj, Krishti është një mjet.

Sidoqoftë, në atë arritje në kryq, teksa Ai vdiq për mëkatarët, Krishti zbuloi dashurinë dhe drejtësinë e Atit në mënyrë supreme. Ky ishte kulmi i zbulesës së lavdisë së Perëndisë—lavdia e hirit të Tij.

Prandaj, në vetë çastin e veprimit të Tij të përsosur si mjeti i qëllimit të Perëndisë, Jezusi u bë synimi i atij qëllimi. Në vdekjen e Tij në vend të mëkatarëve dhe në ringjalljen e Tij për jetën e tyre, Ai u bë zbulesa qendrore dhe supreme e lavdisë së Perëndisë.

Prandaj, Krishti i kryqëzuar është si mjeti, ashtu edhe synimi i qëllimit të Perëndisë në gjithësi.

Pa veprën e Tij, ai synim—zbulimi i plotësisë së lavdisë së Perëndisë për kënaqësinë e popullit të Perëndisë—nuk do të kishte ndodhur.

Në atë mjet-vepër, Ai u bë synimi—Ai që në jetë të jetëve do të jetë qendra e adhurimit tonë, teksa e kalojmë përjetësinë duke parë dhe shijuar gjithnjë e më tepër nga ajo që Ai zbuloi prej Perëndisë kur u bë vetë mallkim për ne.

Jezusi është synimi për të cilin u krijua gjithësia, si dhe mjeti që bën të mundur që ai synim të shijohet nga mëkatarët e drejtësuar.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia