prill 14

Prill 2022


Shkrimi na thotë me dhjetëra herë se Perëndia i bën gjërat “për hir të emrit të tij”.

Më prin nëpër shtigjet e drejtësisë, për hir të emrit të tij. (Psalmi 23:3)
Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. (Psalmi 25:11)
Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij. (Psalmi 106:8)
Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim. (Isaia 48:9)
Mëkatet ju janë falur për shkak të emrit të tij. (1 e Gjonit 2:12)

Nëse pyet se çfarë e motivon me të vërtetë zemrën e Perëndisë në të gjitha këto deklarata (si dhe në shumë të tjera si ato), përgjigjja është se Perëndia kënaqet kur emri i Tij bëhet i njohur dhe nderohet.

Lutja e parë dhe më e rëndësishme që mund të bëhet është: “U shenjtëroftë emri yt”. Dikur mendoja se kjo ishte një lloj lëvdate. Si në rastin e “Haleluja! Emri i Zotit është shenjtëruar!” Por nuk është një lëvdatë, ajo është një kërkesë. Në fakt është në formën urdhërore, është një lloj urdhërimi. Zot, bëj që të jetë kështu! Shkaktoje! Emri yt u shenjtëroftë. Kjo është kërkesa ime, lutja ime. Të nxis që ta bësh: Bëj që njerëzit ta shenjtërojnë emrin Tënd. Bëj që unë ta shenjtëroj emrin Tënd!

Perëndisë i pëlqen që gjithnjë e më shumë njerëz ta “shenjtërojnë” emrin e Tij. Kjo është arsyeja pse Biri i Tij i mëson të krishterët të luten për këtë. Në fakt, Jezusi e bën këtë lutjen e parë dhe më të rëndësishmen, sepse ky është pasioni i parë dhe më i madh i Atit.

“O Zot, bëj që gjithnjë e më shumë njerëz ta shenjtërojnë emrin tënd,” domethënë, ta vlerësojnë, ta admirojnë, ta respektojnë, ta çmojnë, ta nderojnë, t’i druhen dhe ta lëvdojnë emrin Tënd. Sa më shumë njerëz që të jetë e mundur!Mund të dallosh pra, që në thelb, kjo është një lutje misionare.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia