14 Maj 2026

“…‘Mos më quani Naomi; thirrmëni Mara, sepse i Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim. Unë u nisa në bollëk dhe ZOTI më ktheu në shtëpi të zhveshur nga çdo gjë…’” RUTHI 1:20-21

Kur Naomi u kthye në Bethlehem, duke i lënë pas në Moab varret e të shoqit dhe të djemve të saj, ne thjesht mund ta imagjinojmë dhimbjen dhe pikëllimin që përjetoi kur erdhi sërish te vendet dhe fytyrat e njohura. Çfarë mendimesh dhe kujtimesh do t’i ishin zgjuar? Oh, kjo është zonja Filan dhe këta duhet të jenë djemtë e saj. Shiko sa qenkan rritur! Këtu i sillja edhe unë djemtë. Këtu ecnim unë dhe Elimeleku…

Ndërsa hidhërimi për situatën e saj e pushtoi, Naomi, emri i së cilës do të thotë “e këndshme”, vendosi që Mara, që do të thotë “e hidhur”, do të ishte një emër më i përshtatshëm për të. Ajo nuk u përpoq t’i hiqte mënjanë sfidat e jetës dhe t’i bindte të tjerët se gjithçka po shkonte mirë. Po ta kishte bërë këtë, ajo nuk do të ishte treguar dhe aq e sinqertë — kjo do të kishte qenë një tradhti ndaj teologjisë mbi të cilën mbështetej besimi i saj, në mes të asaj që shkrimtari i himneve, William Cowper-i, e quajti “një provani e vrenjtur”. Situata e Naomit flet për faktin që, edhe për popullin e Perëndisë, disa dhimbje në jetë do të duken të padurueshme, disa rrethana do të duken të padrejta dhe disa pyetje do të mbeten pa përgjigje. Reagimi i saj ngre një pyetje: ç’do të bëjmë atëherë kur pikëllimi të godasë jetën tonë? Realiteti i vuajtjes është një problem për të krishterin, por nuk është më pak problem për çdokënd tjetër. Të gjithë duhet të përleshen me problemin e dhimbjes. Një ateist nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë të kënaqshme, sepse nëse nuk ka Perëndi, ne thjesht jetojmë në një gjithësi rastësie, ku gjërat thjesht shkojnë tatëpjetë. Por i krishteri mund të pyesë — në të vërtetë, ne duhet të pyesim — “Ku është Perëndia në mes të kësaj?”.

Shprehja e sinqertë e emocioneve të Naomit përputhet me teologjinë e saj. Ajo nuk ia atribuon rastësisë gjithçka që ka ndodhur, por e pranon se dora e Perëndisë po vepron. Në mes të dhimbjes së saj, ajo shpall se Perëndia është i drejtë; ajo e quan Atë Shaddai, “I Plotfuqishmi”, Perëndia furnizues dhe mbrojtës. Çfarë do të Shaddai? Kjo është ajo karakteristikë e Perëndisë, që do të thotë se Ai e tregon fuqinë e Tij më të madhe në dobësinë tonë më të thellë. Naomi kishte përjetuar uri, humbje, zemërim, dyshime dhe lamtumira — por meqë e njihte Perëndinë si Shaddai, ajo mund t’ia linte Atij shpjegimin dhe përgjegjësinë për sprova të tilla kaq të hidhura.

Ku shkon ti kur dallgët të godasin, kur rrotat dalin nga rruga, kur çdo gjë del jashtë kontrollit? Duhet të shkosh te njohuria që ke se kush është Perëndia dhe si sillet Ai me njerëzit e Tij. Ky është një themel i sigurt mbi të cilin mund të qëndrosh. Ku tjetër mund të shkojmë?

Kur Naomi u largua nga Bethlehemi, atje kishte zi buke. Kur ajo u kthye, kishte korrje. Përmes reve të pikëllimit, drita e shpresës filloi të shpërthente teksa po përgatitej skena që Perëndia të siguronte me bollëk për Naomin dhe Ruthin. Kur Perëndia është duke vepruar, edhe dëshpërimi mund të jetë porta drejt fillimeve dhe mundësive të reja. Një ditë, Ai do ta largojë gjithë errësirën. Perëndia është Shaddai yt. Në cilën sferë të jetës sate ke nevojë që ta dëgjosh këtë gjë sot? Cili person në jetën tënde ka nevojë që t’ia tregosh këtë gjë?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

RUTHI 1