13 Maj 2026

“Kështu Naomi u kthye bashkë me Ruthin, nusen e saj, që kishte ardhur nga vendi i Moabit. Ato arritën në Bethlehem kur kishte filluar korrja e elbit.” RUTHI 1:22

A ju ndodh ndonjëherë që, teksa lexoni, shikoni ose dëgjoni lajmet në mëngjes, të mendoni se jeni shumë i vogël? A e pyesni ndonjëherë veten: “A e di vërtet Perëndia se kush jam apo ku jam? Pse duhet t’i interesoj unë Atij, Krijuesit të gjithçkaje?”.

Ju dhe unë jemi shumë të zakonshëm — dhe lehtësisht mund të besojmë se “i zakonshëm” është njësoj me “i pavlerë”. Megjithatë, historia e Ruthit dhe e Naomit na zbulon diçka tjetër. Në të, ne zbulojmë dorën sovrane të provanisë së Perëndisë, e cila punon në rutinat e jetës dhe përmes tyre. Ai i njeh rrethanat tona dhe Ai kujdeset, Ai mbështet dhe Ai siguron.

Historia e furnizimit dhe e kujdesit të Perëndisë në Librin e Ruthit fillon me një gabim. Elimeleku mori vendimin fatkeq që bashkë me gruan e tij, Naomin, dhe dy djemtë e tyre, të linin Bethlehemin e uritur për Moabin e begatë — por ai dhe djemtë e tij vdiqën atje.

Pavarësisht nëse motivi i Elimelekut ishte dëshpërimi, pakënaqësia apo mosbesimi, përmes zgjedhjes së tij, Shkrimi ilustron se marrëzia jonë nuk mund ta zhbëjë dot provaninë e Perëndisë. Edhe atëherë kur reagojmë me frymën e gabuar ndaj rrethanave — kur ngrihemi dhe largohemi figurativisht nga toka e premtimit të Perëndisë — Ai ende mund t’i përmbushë qëllimet e Tij. Kur tundohemi të kemi frikë se Perëndia e ka shpërfillur jetën tonë për shkak të gabimeve tona, ne mund të prehemi në provaninë e Tij, e cila është në gjendje për të vepruar si përmes gabimeve tona më të mëdha, ashtu edhe më të voglave.

A e keni parë Perëndinë të veprojë në çastet e zakonshme të jetës? A e keni parë Atë të punojë përmes gabimeve tuaja? Apo keni rënë pre e gënjeshtrës se Perëndia vepron vetëm në mënyra spektakulare, të jashtëzakonshme ose në çastet tona të bindjes më të thellë?

Kur kërkojmë vetëm të jashtëzakonshmen, na shpëton lavdia e Perëndisë në të zakonshmen — në një tas me mollë mbi tryezë, në një vakt të përgatitur mirë, te një zog që këndon, në një bisedë me një mik, te hëna që shkëlqen në një qiell nate me re. Kur hamendësojmë se Perëndia vepron vetëm kur sillemi mirë, na shpëton hiri i Perëndisë që vepron përmes mëkatarëve — përmes një bisede për Krishtin me një fqinj, përmes pendimit të prindit para një fëmije pasi i ka folur pa durim, përmes një lutjeje të lartuar për dikë, sepse ankthi na ka lënë pa gjumë. Për Ruthin dhe Naomin, vetë pamja e një fushe me elb, të pjekur dhe gati për korrje, ishte në njëfarë kuptimi një pamje shumë e zakonshme — por, në fakt, ajo u shpallte atyre furnizimin e Perëndisë. Gabimet ishin bërë dhe pikëllimet ishin bartur, por korrja e elbit tregoi se Perëndia i njeh rrethanat tona; Ai kujdeset, mbështet dhe siguron.

Perëndia nuk ka ndryshuar. Edhe pse Atij i duhet të kujdeset për tërë gjithësinë, Ai e kthen shikimin e Tij mbi ju dhe mua, dhe thotë: Unë të njoh. Emri yt është shkruar mbi pëllëmbët e duarve të Mia. Ashtu siç u kujdesa për Naomin dhe Ruthin, po kështu do të kujdesem edhe për ty (shih Isaia 49:16). Perëndia po i mbështet dhe po i udhëheq fëmijët e Tij. Lëreni këtë njohuri që t’jua ngushëllojë zemrën dhe t’ju sjellë paqe sot — sado e zakonshme mund të jetë dita juaj.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 139