maj 14

Maj 2022


Victor Frankl u burgos në kampet naziste të përqendrimit, Aushvic dhe Dakau, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si profesor jude i neurologjisë dhe psikiatrisë, ai u bë i famshëm në mbarë botën për librin e tij “Në kërkim të kuptimit”, nga i cili janë shitur më shumë se tetë milionë kopje.

Në atë libër, ai shpalos thelbin e filozofisë së tij, e cila u quajt Logoterapi–pra, që motivi më themelor njerëzor është që të gjejë kuptimin në jetë. Në tmerret e kampeve të përqendrimit, ai vuri re se njeriu mund të durojë pothuajse çdo “si” të jetës, nëse ka një “pse”. Por citimi që më preku kohët e fundit është ky:

Jam absolutisht i bindur se qelitë e gazit të Aushvicit, Treblinkës dhe Maidanekut, në fund të fundit, nuk u përgatitën në ndonjë ministri apo diku tjetër në Berlin, por në tryezat dhe në klasat e leksioneve të filozofëve dhe shkencëtarëve nihilistë. (“Victor Frankl në moshën 90 vjeçare: Intervistë,” në Gjërat Parësore, Prill 1995, f. 41.)

Me fjalë të tjera, idetë kanë pasoja–pasoja që bekojnë ose shkatërrojnë. Sjellja e njerëzve–e mirë dhe e keqe–nuk buron nga hiçi. Ajo vjen nga pikëpamjet mbizotëruese të realitetit që zënë rrënjë në mendje dhe nxjerrin të mirën ose të keqen.

Një nga mënyrat se si Bibla e bën të qartë të vërtetën se idetë kanë pasoja praktike, është duke thënë kështu: “Sepse, sa u shkruan më përpara, u shkruan... [që] të kemi shpresë” (Romakëve 15:4). Idetë e paraqitura në Shkrime prodhojnë pasojën praktike të shpresës.

Sërish Pali thotë: “Qëllimi përfundimtar i kësaj porosie është dashuri” (1 e Timoteut 1:5). Përcjellja e ideve përmes një “nxitjeje” ose përmes “udhëzimit” prodhon dashuri.

Shpresa dhe dashuria nuk vijnë nga hiçi. Ato vijnë nga idetë–nga pikëpamjet e realitetit–e zbuluara në Shkrime.

Një mënyrë se si Shkrimet na tregojnë që idetë kanë pasoja, është duke përdorur fjalën “prandaj” ose “pra” (1039 herë). “Prandaj” do të thotë se ajo që vijon më pas, vjen nga diku. Për shembull: “Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Ose: “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Ose: “Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen” (Mateu 6:34).

Nëse duam të jetojmë në fuqinë e këtyre “pra”-ve jashtëzakonisht praktike, duhet që të mbërthehemi nga idetë–pikëpamjet e realitetit–që u shkojnë përpara dhe qëndrojnë nën to. Idetë kanë pasoja. Prandaj, le t’i sjellim të gjitha idetë tona nën autoritetin e fjalës së Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia