“Naamani, komandanti i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotërisë së tij, sepse nëpërmjet tij ZOTI i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebros.” II I MBRETËRVE 5:1
Nga çdo këndvështrim që ta shikoje, dukej se Naamani ia kishte dalë.
Naamani ishte një burrë nga qyteti i madh sirian i Damaskut. Dy lumenj që buronin nga malet e Libanit, rridhnin me një bukuri magjepsëse në një oaz pjellor ku ishte ndërtuar edhe ky qytet. Ky ishte një vend që karakterizohej nga pasuritë dhe dëfrimi, dhe ofronte atraksione kulturore të artit, muzikës dhe argëtimit. Si komandant i suksesshëm i ushtrisë siriane, Naamani kishte një pozitë të lakmueshme pushteti dhe prestigji, dhe respektohej shumë, përfshirë këtu edhe nga mbreti i tij. Nuk ka dyshim se bashkë me pushtetin dhe prestigjin e tij vinin edhe pasuri të mëdha.
Me fjalë të tjera, ky burrë kishte gjithçka që dëshironte. Përveç një gjëje.
Në ekzistencën e Naamanit kishte një dimension i cili e mbulonte me hije çdo gjë tjetër që ai gëzonte. Arritjet e tij të shumta krenare u zbehën nën sundimin e kësaj fraze: “…por ky njeri… ishte lebros.” Gjithçka që gëzonte — mundësitë e shumta dhe pasuritë e tij — nuk mund t’ia zgjidhnin dot problemin që kishte. Ai nuk mund të bënte asgjë… dhe lebra po ia shkatërronte jetën.
Gjendja fizike që e mundonte Naamanin, është një tablo e gjendjes frymërore nga e cila vuan secili prej nesh. Lebra e tij ishte një gjendje shpërfytyruese, ngjitëse dhe e shëmtuar. Kjo është një tablo klasike biblike për natyrën e njerëzimit, e cila është e ndotur nga mëkati.
Kur ua përshkruajmë veten dhe kontekstin tonë të tjerëve, mund të rendisim se kë njohim, vendet ku kemi qenë dhe gjithçka që kemi arritur. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, pa Krishtin, ne të gjithë po shkojmë pashmangshmërisht drejt së njëjtës fjalë të vogël, si edhe Naamani: por…
Lebra nuk donte t’ia dinte për statusin e Naamanit dhe mëkati nuk e merr parasysh pozitën tonë. “(…se të gjithë mëkatuan dhe u mungon lavdia e Perëndisë)” (Romakëve 3:23), dhe “të gjithë” me të vërtetë do të thotë “të gjithë”. Nuk ka asnjë burrë ose grua që është lënë jashtë fushëveprimit të asaj deklarate gjithëpërfshirëse. Nuk ka pasuri që mund të na blejë për të na nxjerrë nga mëkati dhe nuk ka mirësi që mund ta mbulojë atë.
Të gjithë ne vuajmë nga lebra e shpirtrave tanë, për të cilën nuk ka shërim përveçse në Krishtin. Vetëm atëherë kur pranojmë se statusi dhe zotërimet tona nuk mund ta trajtojnë dot problemin tonë më të madh, ne mund t’i drejtohemi Jezusit, Mjekut tonë të Madh, i cili mori përsipër sëmundjen tonë, që të mund të shërohemi. Ashtu siç Ai ishte i gatshëm për të shtrirë dorën dhe për të prekur një lebros, duke e bërë veten të papastër, por duke e shëruar plotësisht atë njeri, ashtu edhe në kryq, Ai u bë mëkat, që ne të bëheshim të drejtë në sytë e Perëndisë (II Korintasve 5:21).
Sot, ju jeni të rrethuar nga Naamanë: njerëz që gëzojnë prestigj, pushtet dhe zotërime — njerëz që ia kanë dalë në jetë, por që, megjithatë, janë të njollosur nga mëkati dhe po shkojnë drejt gjykimit. Kjo është një e vërtetë që e minon zilinë tonë ndaj të tjerëve dhe në vend të saj ngjall dhembshuri. Ashtu si Naamani kërkoi një kurë për lebrën e tij, çdo burrë dhe çdo grua kërkon një zgjidhje për mëkatin — dhe ju e dini se cila është kura.
