“…Perëndia [na] bëri të gjallë bashkë me të, duke na falur hirësisht të gjitha shkeljet, duke e fshirë dëftesën e borxhit me dekretet kundër nesh, e cila na ishte kundërshtare; dhe atë e ka hequr prej mesit, duke e gozhduar në kryq.” KOLOSIANËVE 2:13-14
Pse Jezu Krishti erdhi në tokë, vdiq në kryq dhe u ngrit prej të vdekurish? Për të siguruar shpengim të përjetshëm dhe birësim hyjnor për ata që besojnë. Ky është një realitet të cilin nuk e ka asnjë fe tjetër: Vetë Perëndia e pagoi borxhin e mëkatit njerëzor, që ne të quhemi fëmijët e Tij. Himnologia e shpreh mahnitjen për atë pagesë:
O shpengim i përsosur, i blerë me gjak!
Premtimi i Tij për çdo besimtar;
Më i poshtri shkelës që beson vërtet,
Atë çast nga Jezusi faljen e merr.
Takimi ynë me shpengimin e Krishtit është si historia e “Plakës Beti”, një gruaje të moshuar që jetonte në varfëri, për shkak të borxhit të konsiderueshëm financiar. Një ditë, një shërbesëtar i krishterë dhe bashkësia e tij vendosën të ndërhynin me dashamirësi në jetën e Betit dhe ta paguanin borxhin e saj. Shërbesëtari e kërkoi Betin në shtëpinë e saj — por nga frika se mos arrestohej, ajo nuk reagoi ndaj trokitjeve të para në derë. Kur më në fund ai arriti t’ia tregonte lajmin e mirë, ajo e pa dhe i tha: “Mendo pak: unë ta mbylla derën me kyç dhe shul. Kisha frikë të të lija që të hyje, ndërkohë që ti po më sillje një dhuratë kaq bujare.”
Në një çast të caktuar në jetën tonë, të gjithë kemi qenë si Plaka Beti. Dikur e dinim se ishim borxhlinj për shkak të mëkatit. Ishim të ngarkuar nga keqardhja, kishim frikë se njerëzit do të vinin duke trokitur, gati për t’ua zbuluar problemet tona të tjerëve. Mbi të gjitha, kishim frikë nga Perëndia, sepse trokitja e dorës së Tij në derën e jetës sonë sigurisht që mund të nënkuptonte vetëm gjykim. Por më pas zbuluam se, në Krishtin, Perëndia troket në derë jo për të na ofruar atë që meritojnë borxhet tona, por atë që ka fituar dashuria e Tij: një fillim të ri, një fletë të bardhë, një histori të re. Borxhi ynë ishte paguar dhe ne e hapëm me gëzim derën e jetës sonë, duke e mirëpritur Atë si Shpëtimtarin, Mikun dhe Zotin tonë.
Të jesh i krishterë, do të thotë të jetosh me vetëdijen se ky borxh është paguar. Ne nuk jemi më skllevër të mëkatit dhe të dënimit të tij; përkundrazi, jemi liruar dhe jemi birësuar si fëmijë të Perëndisë. Dhe tani, për shkak të birësimit tonë si bij dhe bija, kemi privilegjin e madh që ta quajmë Perëndinë, Atin tonë qiellor, dhe ta njohim Atë nga shumë afër. Nuk fshihemi më pas dyerve tona, të mbërthyer nga borxhet tona, sepse e kemi shijuar lirinë që na trokiti në derë dhe e kemi lënë të hyjë në jetën tonë.
Çfarë prehjeje gjejmë kur e dimë që borxhi ynë është paguar! Çfarë gëzimi gjejmë kur e dimë që statusi ynë përpara Perëndisë të gjallë është shndërruar nga ai i borxhlinjve të shqetësuar në atë të një biri dhe bije të birësuar! Tani pyetja është kjo: Si do t’i lejoni këto të vërteta të ndryshojnë mënyrën se si e shihni veten dhe se si i shihni detyrat që ju presin sot?
