“Atëherë Jezusi doli jashtë duke mbajtur kurorën e ferrave dhe rrobën e purpurt. Dhe Pilati u tha: ‘Ja njeriu!’.” GJONI 19:5
Ja tek ishte Krishti — kryet e Tij shpuar nga një kurorë prej ferrash, i veshur me rrobat e një tjetri, i detyruar të mbante si skeptër një kallam, të gjitha këto në shenjë talljeje ndaj mbretërimit të Tij — teksa qeveritari romak, Pilati, i tha turmës që tallej: “Ja njeriu!”. Edhe pse ai i tha ato fjalë me përbuzje në mendje, për ironi ato ishin të përshtatshme; ja tek ishte Shpëtimtari i botës, i veshur me përulësi të pashoqe, i stolisur me një dashuri të madhe për botën.
Kemi shumë për të mësuar nga shembulli i Krishtit. Ndërsa Mbreti i përulur duroi talljen “mbretërore” dhe “vdekjen para vdekjes” së fshikullimit brutal, Ai nuk shqiptoi asnjë fjalë për t’u vetëmbrojtur. Dhe për çfarë e dënuan Atë? Për shërimin e një gruaje që lëngonte prej tetëmbëdhjetë vjetësh (Luka 13:10-13)? Ngaqë kishte rikthyer në jetë djalin e së vesë së Nainit (Luka 7:11-17)? Ngaqë e kishte nxjerrë Llazarin nga varri (Gjoni 11:1-44)? Ngaqë i kishte marrë fëmijët në prehër dhe i kishte inkurajuar dishepujt e Tij që të kuptonin se “e të tillëve është Mbretëria e Qiejve” (Mateu 19:14)? Mbi ç’bazë e morën guximin akuzuesit e Krishtit që të abuzonin me Të në këtë mënyrë? Nuk mund të kishte asnjë bazë. Por ata e bënë gjithsesi.
Kur Zoti ynë i përulur qëndroi i heshtur gjatë gjyqeve të Tij të shumta, Pilati u ofendua dhe u ndie i parespektuar. Këtu ka një ironi të madhe, pasi ky qeveritar romak u përpoq të ushtronte pushtetin e tij mbi Mbretin e gjithësisë! Ndërkohë, ai Mbret nuk bëri asgjë për të treguar autoritetin e Tij ose për të shpëtuar jetën e Tij. Ai vuajti me përulësi një gjyq të padrejtë, tha të vërtetën kur iu bënë pyetje dhe shkoi përpara, madje deri në vdekje, dhe të gjitha i bëri në vendin tonë.
Pyes veten: A e shoh me të vërtetë këtë Njeri që qëndron përpara Pilatit, që qëndron përpara turmës — që qëndron përpara meje? Ky nuk është një individ i pafuqishëm që nuk mund të bëjë asgjë për veten e Tij. Ky është Perëndia i mishëruar.
A e kuptoj pse eci Ai në këtë shteg poshtërimi? “Oh, ç’dashuri që planin e shpëtimit krijoi” — dashuri dhe shpëtim për ty dhe mua! Dy mijëvjeçarë më parë, jashtë pallatit të qeveritarit u shfaq një skenë për të ardhur keq, pjesërisht për shkak se Jezusi i kishte emrat tanë përpara vështrimit të Tij — emra që Ai i kishte gdhendur mbi pëllëmbët e atyre duarve që do të shpoheshin nga gozhdët mizore (shih Isaia 49:16).
Mos qofshim kurrë si turma e tërbuar, që tallet me përulësinë e Krishtit, as si Pilati, duke pritur që Krishti të impresionohet nga ne! Përkundrazi, shikojeni këtë Njeri me gjithë përulësinë e Tij — duke mbajtur këtë kallam, duke mbajtur këtë kurorë, duke veshur këtë mantel, duke u varur në atë kryq — dhe shiheni Atë teksa ju bën ftesë. Shikojeni Njeriun dhe dijeni, përtej çdo dyshimi, se dashuria e Tij për ju nuk ka fund.
