12 Prill 2026

“…‘Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote.’ … ‘Ti po thua se jam mbret. Unë për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, e dëgjon zërin tim.’” GJONI 18:36-37

Çfarë do të bësh me Jezusin? Mëngjesin e asaj që sot njihet si e para e Premte e Mirë, autoritetet fetare të judenjve e çuan Jezusin për të vazhduar gjyqin e Tij përpara Ponc Pilatit, guvernatorit romak. Në hollësitë e tregimeve të Ungjijve, mund të shohim se si Perëndia i orkestroi në mënyrë sovrane të gjitha këto ngjarje. Vendosmëria e judenjve për të siguruar vdekjen e Krishtit me anë të kryqëzimit, në fakt, do të përmbushte planin e përjetshëm të Perëndisë. Perëndia kishte planifikuar edhe ndërveprimin e Krishtit me Pilatin. Ndërsa ata qëndronin përballë njëri-tjetrit, Pilati bëri pyetje domethënëse rreth identitetit dhe autoritetit të Jezusit. Këto pyetje formuan një shqyrtim me rrjedhoja të përjetshme — një shqyrtim të cilin duhet ta bëjmë të gjithë ne. Merrni parasysh se si e thotë shkrimtari i himneve:

Në gjykatën e Pilatit Jezusi qëndron —
Pa miq, i braktisur, tradhtuar nga të gjithë;
Dëgjo! Ç’kuptim ka thirrja e papritur?
Çfarë do të bësh me Jezusin?

Pilati besonte se ai po bënte një hetim në një nivel thjesht intelektual dhe natyror. Mirëpo përgjigjja ndaj pyetjes “Kush është Jezusi?” është gjithmonë një çështje frymërore dhe e mbinatyrshme. Jezusi nuk ishte një mbret politik, siç besonte Pilati, por ishte Mbreti qiellor. Ai, në thelb, i tha Pilatit: Mbretëria ime nuk e gjen origjinën në këtë botë. Shqetësimi i mbretërisë Sime është transformimi frymëror që ndodh në zemrat e popullit tim. Arsyeja pse linda si Mbret ishte për të dëshmuar për të vërtetën e Perëndisë. Mirëpo Pilati, i verbër nga mosbesimi i tij, tashmë e kishte ndarë mendjen. I lodhur dhe me përbuzje, ai u përpoq ta shmangte pyetjen themelore të cilën duhet ta bëjmë të gjithë ne: “Çfarë do të bëj me Jezusin?”. Megjithatë, në përpjekje për të mos u përgjigjur, ai e dha përgjigjen e tij: Do ta refuzoj të drejtën e Tij mbi mua dhe sundimin e Tij mbi mua dhe, si rrjedhim, edhe ofertën e Tij për të më shpëtuar.

Çfarë do të bësh me Jezusin?
Asnjanës s’mund të jesh ti;
Zemra do të të pyesë një ditë,
“Çfarë do të bëjë me mua Ai?”

Nuk mund të jesh asnjanës. Ti ose do të jetosh nën sundimin e Jezusit, ose nuk do të jetosh kështu. Prandaj, mos e mbyll Biblën tënde në mëngjes dhe pastaj të jetosh sikur kjo botë, shqetësimet dhe mbretërit e saj janë e vetmja gjë që ekziston ose që ka rëndësi. Mos vepro sikur nuk ke nevojë për Jezusin në jetën tënde në këtë botë. Ai qëndroi pa miq dhe i braktisur përpara Pilatit, në mënyrë që ti të mirëpritesh si miku i Tij në mbretërinë e Tij të përjetshme. Nuk ka asnjë mundësi për të qenë asnjanës — mirëpo pse do të donim që të ekzistonte si mundësi?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 18:28-40