prill 13

Prill 2022


Nuk ka asgjë të trishtueshme në mbjelljen e farës. Mbjellja nuk kërkon më shumë punë se korrja. Ditët mund të jenë të bukura. Mund të ketë shpresë të madhe për të korrat.

Megjithatë psalmi flet për mbjelljen “me lot”. Thotë se “vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet”. Pyetja është, po përse qan?

Mendoj se arsyeja nuk është që mbjellja është e trishtueshme, ose që mbjellja është e vështirë. Mendoj se arsyeja nuk ka të bëjë fare me mbjelljen. Mbjellja është thjesht puna që duhet bërë, edhe atëherë kur ka gjëra në jetë të cilat na bëjnë të qajmë.

Të mbjellat nuk do të presin derisa ne t’i japim fund vajtimit tonë apo të zgjidhim të gjitha problemet tona. Nëse duam që të ushqehemi vitin e ardhshëm, duhet të dalim në fushë dhe të mbjellim farën, jemi apo nuk jemi duke qarë.

Nëse e bën këtë, premtimi i psalmit është se do të “korrësh me këngë gëzimi”. Ti do të kthehesh “me këngë gëzimi, duke sjellë duajt” e tu. Jo për shkak se lotët e mbjelljes prodhojnë gëzimin e korrjes, por sepse vetë mbjellja prodhon korrjen, dhe duhet ta kujtosh këtë, edhe atëherë kur lotët e tu të tundojnë të heqësh dorë nga mbjellja.

Ja cili është mësimi: Kur ka punë të thjeshta dhe të qarta për t’u bërë, kur je plot trishtim dhe lotët të rrjedhin lirshëm faqeve, vazhdo dhe bëji ato punë edhe me lot. Tregohu realist! Thuaju lotëve të tu: “Lotë, ju ndiej. Ju më bëni të dëshiroj të heq dorë nga jeta. Sidoqoftë, ka një fushë, e cila duhet mbjellë (ka enë për t’u larë, ka një makinë që duhet rregulluar, ka një predikim që duhet shkruar).”

Pastaj në bazë të fjalës së Perëndisë thuaj: “Lotë, e di që nuk do të vazhdoni përgjithmonë. Vetë fakti që unë thjesht bëj punën time (pavarësisht lotëve) në fund ka për të sjellë një të korrë bekimi. Prandaj vazhdoni, pikoni nëse duhet të pikoni. Gjithsesi, unë besoj—edhe pse ende nuk e shoh ose e ndiej plotësisht—unë besoj se puna e thjeshtë e mbjelljes do të sjellë duajt e të korrave. Kështu lotët e mi do të kthehen në gëzim.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia