nentor 13

Nëntor 2022


Edhe pse populli i Izraelit i pa ujërat e Detit të Kuq të ndaheshin dhe eci përmes detit në tokë të thatë, në çastin kur i kapi etja, zemrat e tyre u ngurtësuan kundër Perëndisë dhe nuk patën besim se Ai do të kujdesej për ta. Populli murmuriti kundër Perëndisë dhe thanë se jeta në Egjipt ishte më e mirë.

Libri i Hebrenjve u shkrua që të parandalojë këtë lloj qëndrimi. Oh, sa shumë nga ata që kanë emrin të krishterë, përjetojnë një fillim me Perëndinë. Ata dëgjojnë se mëkatet e tyre mund të falen dhe se mund t’i shpëtojnë ferrit dhe të shkojnë në qiell. Këta njerëz thonë: “Çfarë kam për të humbur? Do të besoj.”

Por pas një jave apo muaji, pas një viti ose dhjetë vitesh vjen sprova–një stinë pa ujë në shkretëtirë. Mana iu vjen në majë të hundës. Krejt papritur shfaqet një lakmi në rritje për kënaqësitë kalimtare të Egjiptit, siç thotë edhe Numrat 11:5-6: “Nuk i harrojmë peshqit që hanim falas në Egjipt, kastravecët, pjeprat, preshtë, qepët dhe hudhrat. Por tani e tërë qenia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë tjetër veç kësaj mane.”

Është e tmerrshme të jesh në një gjendje të tillë–të shohësh se nuk ke më i interes për Krishtin dhe fjalën e Tij, për lutjen dhe adhurimin, për misionin dhe për të jetuarit për lavdinë e Perëndisë. T’i shohësh të gjitha kënaqësitë kalimtare të kësaj bote si më tërheqëse se gjërat e Frymës.

Nëse kjo është situata jote, të përgjërohem që të dëgjosh Frymën e Shenjtë tek të flet në këtë tekst. “Ata nuk mundën të hyjnë, për shkak të mosbesimit.” Vërja veshin fjalës së Perëndisë. Mos e ngurtëso zemrën. Ruaju nga mashtrimi i mëkatit. Mendo për Jezusin, apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit tonë të madh, dhe mbahu fort në sigurinë dhe shpresën tënde tek Ai.

Dhe nëse kurrë nuk ke pasur një fillim me Perëndinë, atëherë vendose shpresën tënde tek Ai. Largohu nga mëkati dhe mbështeturit te vetja, dhe vendose sigurinë tënde në një Shpëtimtar të madh. Këto gjëra janë shkruar që ti të mund të besosh, të durosh dhe të jetosh.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia