“…Ruthi u përgjigj: ‘Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti, do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.’” RUTHI 1:16
Gjatë gjithë jetës ka çaste që kërkojnë një vendim. Dhe, siç thotë pastori dhe autori Rico Tice: “Ne jemi zgjedhjet që bëjmë.”
Pasi u godit nga tragjedia e trefishtë e varrosjes së burrit dhe dy djemve të saj në Moab, Naomi vendosi të kthehej në qytetin e saj të lindjes, në Bethlehem. Megjithatë, në vend që t’i detyronte nuset e saj, Ruthin dhe Orpahun, të ktheheshin me të, Naomi i nxiti të qëndronin në atdheun e tyre, në Moab, të ktheheshin te familjet e tyre, të martoheshin përsëri dhe të jetonin një jetë të plotë (Ruthi 1:8-9). Ruthi dhe Orpahu u përballën papritur me një vendim jetëndryshues.
Jetët e këtyre tri grave ishin të ndërthurura. Ato kishin jetuar me njëra-tjetrën, kishin përjetuar humbje së bashku, kishin vajtuar së bashku dhe kishin qarë së bashku. Në fund, Orpahu zgjodhi të qëndronte pas, ndërsa Ruthi vendosi të udhëtonte për në Bethlehem me Naomin. Në thelb, Orpahu bëri atë që pritej dhe që ishte e arsyeshme. Ruthi, nga ana tjetër, braktisi të njohurën për të panjohurën. Ajo hoqi dorë nga mundësia për t’u rimartuar, me qëllim që të kapej pas vjehrrës së saj të moshuar dhe të pafuqishme.
Ruthi e kuptoi se vendimi i saj nuk duhej të udhëhiqej nga familjariteti, siguria ose mundësitë e marrëdhënieve. Ky çast do të formësonte jetën dhe fatin e saj. Qëndrimi në Moab nënkuptonte të qëndronte me perënditë e rremë, me të cilët ishte rritur, dhe t’i kthente shpinën gjithçkaje që, me sa duket, kishte zbuluar nga Naomi për Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Perëndia i Naomit ishte bërë Perëndia i Ruthit. Ja pse ajo vendosi të qëndronte përkrah Naomit.
Vendimi i Ruthit rrugës për në Bethlehem tregon drejt luginës së vendimit, aty ku Jezusi e thërret secilin prej nesh: Doni të jeni dishepujt e mi apo dëshironi të ktheheni te jeta që keni njohur deri tani? Kush do ta braktisë babanë dhe nënën e tij ose të saj dhe gjithçka që njeh — gjithçka që përfaqëson stabilitet dhe siguri — për hirin tim? (shih Luka 14:26). A mund t’i themi plot besim Krishtit: “Kudo që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë”? A mund të shpallim: “Edhe pse rruga përpara është e panjohur dhe e papëlqyeshme, unë, prapëseprapë, do të të ndjek”?
Ky nuk është një vendim të cilin e marrim vetëm në çastin e shpëtimit. Ne e marrim atë çdo ditë të jetës sonë: A do të kthehemi në rrugët tona të vjetra, mëkatare, apo do të ndjekim rrugën e së vërtetës? A do të sakrifikojmë dhe do të rrezikojmë për të ndjekur Perëndinë dhe për t’i shërbyer popullit të Tij?
Përgjigjja e guximshme dhe besnike e Ruthit ndaj kësaj zgjedhjeje kryesore na jep një shembull teksa shqyrtojmë se ç’diploma duhet të fitojmë, ç’karriera të ndjekim, si e kalojmë kohën tonë dhe me kë e shpenzojmë atë, sa para kemi dhe si do t’i administrojmë ato, ose ku do të jetojmë dhe do të shërbejmë. Vendime të tilla, kur merren si duhet, do të bëjnë që ne të dallohemi si të ndryshëm — si njerëz të përkushtuar pa rezerva për të ndjekur Jezu Krishtin, Atë tek i cili vërtet gjejmë jetë me bollëk (Gjoni 10:10).
