“Dërgojini klithma gëzimi ZOTIT, o banorë të të gjithë tokës! … Hyni në portat e tij me falënderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.” PSALMI 100:1, 4
Psalmi i njëqindtë, me thirrjen e tij për adhurim, është një nga më të njohurit në Librin e Psalmeve. Megjithatë, fakti që e njohim kaq shumë, mund ta bëjë të vështirë që ai të ndikojë në zemrat tona. Në shumë mënyra, është më e lehtë të studiosh fragmente që janë më pak të njohura, sepse atëherë nuk jemi të vetëkënaqur në studimin tonë. Nuk supozojmë se tashmë i dimë gjërat.
Kurrë nuk duhet të ndihemi aq rehat me ftesën për falënderim, saqë ta shpërfillim atë, sikur të ishte thjesht retorikë. Ky psalm na nxit të veprojmë! Si populli i Perëndisë, ne jemi thirrur për adhurim të gëzueshëm dhe për lavdërim falënderues.
“Dërgojini klithma gëzimi ZOTIT” është një ftesë për adhurim të zjarrtë dhe të zëshëm. Një lavdërim i tillë nuk duhet të trajtohet si një angazhim i detyruar, sikur të kishim gëlltitur diçka qartësisht të pakëndshme. Përkundrazi, ky lloj lavdërimi duhet të jetë një reagim ndaj veprimtarisë së Perëndisë në jetën tonë, gjë që na shtyn të huazojmë një frazë nga C. S. Lewis-i, të jemi “të befasuar nga gëzimi”. Mundësia për të adhuruar e gjallëron frymën e besimtarit të vërtetë — dhe askush nuk përjashtohet nga kjo nxitje. Perëndia ka krijuar “gjithë tokën” për lëvdimin e hirit të Tij të lavdishëm.
Ftesa na bën edhe thirrjen për të hyrë “në oborret e tij me lavde”. Mendoni në lidhje me përvojën e një njeriu të zakonshëm jashtë Pallatit Buckingham (Buckingham Palace) në Londër, ku më e mira që mund të bëni, është të hidhni vështrimin përmes parmakëve dhe të shpresoni ta shikoni kalimthi dhe nga larg njërin prej anëtarëve të familjes mbretërore. Porta është mbyllur qëllimisht, për ta mbrojtur sovranin. Mirëpo kjo nuk është përvoja jonë me Atin. Vdekja e Jezusit e shqeu më dysh perden e tempullit (Mateu 27:51) dhe na paraqiti një mënyrë të re jetese. Nëpërmjet Jezusit, ne kemi fituar hyrje tek Ati dhe portat janë hapur për të na mirëpritur.
Shprehjet tona të mirënjohjes në adhurimin e gëzueshëm dhe në lavdërimet falënderuese nuk duhet të lidhen me rrethanat ose ndjenjat tona. Themeli i vërtetë për falënderimin gjendet në të diturit se Zoti është Perëndi dhe se Ai na ka ftuar në oborret e Tij, për t’u mbledhur rreth fronit të Tij si nënshtetasit e Tij, por edhe si fëmijët e Tij. Ta dish këtë, do të thotë të kesh një tokë të fortë poshtë këmbëve të tua, në mënyrë që secili prej nesh të mund të thotë bashkë me psalmistin:
“Më nxori jashtë një grope shkatërrimi,
nga balta e moçalit,
i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb
dhe i ka bërë të qëndrueshëm hapat e mi.
Ai vuri në gojën time një këngë të re
për të lëvduar Perëndinë tonë…” (Psalmi 40:2-3)
Një ditë do të qëndroni atje, në oborret e Tij. Deri atëherë, çdo të diel, ju mund të qëndroni me të tjerët në kishën tuaj lokale — një ambasadë e asaj dhome të fronit qiellor — dhe ta prisni atë ditë të ardhshme duke i kënduar Zotit me gëzim.
