Shtator_12

Shtator 2022


Vargjet nga Mateu 6:25-34 përmbajnë të paktën shtatë premtime nga Jezusi për të na ndihmuar të luftojmë luftën e mirë kundër mosbesimit dhe të çlirohemi nga shqetësimi. (Dje pamë premtimet 1 dhe 2, ndërsa sot do të shohim premtimet 3 dhe 4.)

Premtimi #3: “Dhe cili nga ju, me gjithë shqetësimin e tij, mund t’i shtojë shtatit të vet qoftë një kubit?” (Mateu 6:27)

Ky është njëfarë premtimi–është një premtim i thjeshtë i realitetit, që mund ta zbulosh nga përjetimi: Shqetësimi nuk do të të sjellë asnjë të mirë. Ky është premtim. Ky nuk është argumenti kryesor, por ndonjëherë duhet të jemi të ashpër me veten dhe të themi: “Shpirti im, ky shqetësim është krejtësisht i panevojshëm. Nuk të premton asgjë. Jo vetëm që po ia prish ditën vetes, por edhe shumë njerëzve të tjerë. Hiq dorë nga shqetësimi! Lërja në dorë Perëndisë dhe vazhdo me punën tënde.”

Shqetësimi nuk arrin asgjë me vlerë. Ky është premtim. Besoje. Vepro sipas tij.

Premtimi #4: “Vini re si rriten zambakët e fushës: nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe po ju them se as Salomoni, me gjithë lavdinë e vet, nuk ishte veshur si një nga ata. Por nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?” (Mateu 6:28-30)

Në krahasim me lulet e fushës, ti je një përparësi më e lartë për Perëndinë, sepse do të jetosh përjetë dhe kështu mund t’i sjellësh Atij lavdërim të përjetshëm, si fëmija e Tij i dashur.

Prapëseprapë, Perëndia zotëron një bollëk aq të madh kujdesi dhe energjie krijuese që e derdh mbi lulet, të cilat zgjasin vetëm disa ditë. Prandaj, sigurisht që Ai do ta marrë të njëjtën energji dhe aftësi krijuese dhe do ta përdorë për t’u kujdesur për fëmijët e Tij, të cilët do të jetojnë përjetë. Pyetja është kjo: A do ta besojmë këtë premtim dhe ta lëmë mënjanë shqetësimin?


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>