prill 12

Prill 2022


Pas vdekjes dhe varrosjes së Jezusit në një varr me një gur të madh në hyrje të tij, farisenjtë erdhën te Pilati për të marrë leje që ta vulosnin gurin dhe ta ruanin varrin.

Ata bënë atë që kishin në dorë—por më kot.

Ishte një përpjekje e kotë atëherë, mbetet e kotë sot, dhe gjithmonë do të jetë e tillë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, njerëzit nuk mund ta mbajnë dot Jezusin poshtë. Ata s’mund ta mbajnë dot në varr.

Nuk është e vështirë për ta kuptuar: Ai mund të dalë, sepse nuk e detyruan të hynte brenda. Ai lejoi që ta përgojonin, ta ngacmonin, ta refuzonin, ta përçmonin, ta shtynin dhe ta vrisnin.

Unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk e merr nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri. (Gjoni 10:17-18)

Askush nuk mund ta mbante Jezusin poshtë, për shkak se askush nuk e rrëzoi. Ai u shtri vetë, kur ishte gati.

Kur duket se është varrosur përfundimisht, Jezusi po bën diçka të mahnitshme në errësirë. “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farë në dhe. Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle e çohet, fara mbin e rritet, pa e ditur ai se si” (Marku 4:26-27).

Bota mendon se e ka hequr qafe Jezusin—tani Ai nuk është më pengesë—por Jezusi është duke punuar në vendet e errëta. “Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt” (Gjoni 12:24). Ai lejoi që ta varrosnin—“askush nuk e merr [jetën] nga unë”—Ai do të dalë nga varri me pushtet kur dhe ku t’i pëlqejë Atij—“kam pushtet ta marr përsëri.”

“Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga vdekja” (Veprat 2:24). Jezusi e ka priftërinë e Tij sot “sipas fuqisë së jetës së pashkatërrueshme” (Hebrenjve 7:16).

Për njëzet shekuj bota ka provuar gjithçka—por më kot. Ata s’mund ta fusin dot në varr. Ata s’mund ta mbajnë do të mbyllur. Ata s’mund t’ia mbyllin dot gojën apo ta kufizojnë. Jezusi është i gjallë dhe plotësisht i lirë të shkojë dhe të vijë si t’i pëlqejë.

Besoji Atij dhe shko me Të, pavarësisht kostos. Në fund, t’i s’mund të humbasësh.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia