nentor 12

Nëntor 2022


Pas çdo sëmundjeje dhe paaftësie qëndron vullneti vendimtar i Perëndisë. Jo se Satani nuk është i përfshirë–ka të ngjarë që ai është gjithmonë i përfshirë me qëllime shkatërrimtare, në një mënyrë apo në një tjetër (Veprat 10:38). Por fuqia e tij nuk është vendimtare. Ai nuk mund të veprojë dot pa lejen e Perëndisë.

Kjo është një nga mësimet e sëmundjes së Jobit. Teksti e bën të qartë që kur sëmundja erdhi mbi Jobin: “Satani... e goditi Jobin me një ulcerë të keqe” (Jobi 2:7). Gruaja e tij e nxiti që të mallkonte Perëndinë, por Jobi tha: “Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?” (Jobi 2:10). Sërish, autori i frymëzuar i librit (ashtu siç bëri te Jobi 1:22), e lavdëron Jobin duke thënë: “Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.”

Me fjalë të tjera: Kjo është pikëpamja e duhur e sovranitetit të Perëndisë mbi Satanin. Satani është real dhe mund të ketë gisht te fatkeqësitë tona, por ai nuk e ka fjalën e fundit dhe as fjalën vendimtare.

Jakobi e bën të qartë se Perëndia kishte një qëllim të mirë në të gjitha mundimet e Jobit: “Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe keni parë ç’bëri në fund Zoti; sepse Zoti është plot përdëllim e dhembshuri” (Jakobi 5:11).

Pra, edhe pse Satani ishte i përfshirë, qëllimi përfundimtar ishte ai i Perëndisë dhe ky qëllim ishte “plot përdëllim e dhembshuri”.

Ky është i njëjti mësim që marrim nga 2 e Korintasve 12:7, ku Pali thotë se gjembi i tij në mish ishte një “lajmëtar i Satanit” e megjithatë iu dha për qëllimin e shenjtërisë së tij–që të mos mbahej me të madh. “Për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjemb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh.”

Në këtë mundim, përulësia nuk është qëllimi i Satanit, por është qëllimi i Perëndisë. Kjo do të thotë se këtu Satani po përdoret nga Perëndia për të përmbushur qëllimin e Tij të mirë në jetën e Palit. Në fakt, për fëmijët e zgjedhur të Perëndisë, e vërteta është se Satani nuk mund të na shkatërrojë, dhe në fund Perëndia i kthen të gjitha sulmet e tij kundër vetë Satanit dhe në të mirën tonë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia