12 mars

Mars 2022                                                                      


Madhështia e Perëndisë lartësohet kur e shohim Atë përmes lenteve të krijimit ex nihilo (nga hiçi). Ai e urdhëron asgjënë, ajo i bindet dhe bëhet diçka.

Nga hiçi, Ai bën argjilën dhe nga argjila, na bën ne, enët e Zotit (Isaia 45:9), zotërimin e Tij, të destinuar për lavdinë e Tij, në varësi totale ndaj Tij.

“Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij” (Psalmi 100:3). Është përulëse të jesh një dele dhe një enë, të cilat i përkasin dikujt tjetër.

Sot në mëngjes, po lexoja tek Isaia dhe zbulova një deklaratë tjetër rreth madhështisë së Perëndisë. Kur e lidha këtë me fuqinë absolute të Perëndisë dhe me të drejtat e Tij si Krijues, në zemrën time ndodhi një shpërthim. Buuum!

Isaia 33:12 thotë: “Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne!”

Për ne! Për ne! Krijuesi është për ne dhe jo kundër nesh. Duke pasur gjithë pushtetin në gjithësi si dhe gjithë të drejtën absolute për të bërë siç i pëlqen me atë që ka krijuar—Ai është për ne!

“Asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai” (Isaia 64:4). “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

 A mendon dot për diçka që (me të vërtetë) të ngushëllon, të jep siguri dhe të kënaq, më tepër sesa fakti që Zoti në madhështinë e Tij është për ty?


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia