“Atëherë [Naomi] u ngrit me gjithë nuset e saj për t’u kthyer nga vendi i Moabit, sepse kishte dëgjuar të thuhej që ZOTI e kishte vizituar popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë.”RUTHI 1:6
Bethlehemi është një qytet i shquar në historinë biblike. Ky ishte qyteti ku Davidi ishte kujdesur për delet e tij para se të vajosej si mbret. Një mijë vjet më vonë, kur disa barinj po ruanin kopetë e tyre, një mori engjëjsh shpallën lindjen e Jezu Krishtit në të njëjtin qytet.
Megjithatë, para të dyja këtyre ngjarjeve të rëndësishme, erdhi periudha e gjyqtarëve, e cila u karakterizua nga dhuna, rrëmuja shoqërore dhe politike, si dhe nga kaosi fetar. Gjatë kësaj epoke të trazuar, në Bethlehem ra zia e bukës, duke e kthyer qytetin, emri i të cilit në hebraisht do të thotë “shtëpia e bukës”, në një shtëpi urie dhe dëshpërimi.
Në këto rrethana dëshpëruese, një burrë me emrin Elimelek vendosi të shpërngulej bashkë me gruan e tij, Naomin, dhe dy djemtë e tyre në vendin e Moabit, për të gjetur ushqim. Emri i Elimelekut do të thotë “Perëndia im është Mbret”, mirëpo vendimi i tij për të lënë Tokën e Premtuar të Perëndisë dhe për të jetuar në tokën e armiqve të Izraelit mund të ngrejë në mendjen tonë pyetjen nëse ai po besonte vërtet në furnizimin e Perëndisë ose nëse ishte i përkushtuar për t’iu bindur sundimit të Tij.
Moabi doli një vend tragjedie dhe jo bollëku. Elimeleku dhe bijtë e tij vdiqën, ndërsa Naomi mbeti e ve. Megjithatë, pas disa vitesh, një rreze e vogël shprese e çau errësirën e dhimbjes së Naomit; asaj i erdhi lajmi se në Bethlehem kishte bukë. Perëndia kishte siguruar për popullin e Tij në tokën e Tij.
Mijëra vjet më vonë, ne tundohemi që ta kalojmë këtë të vërtetë: që Perëndia siguron atë që i nevojitet popullit të Tij. Ndoshta e dini këtë në lidhje me shpëtimin tuaj — por sa e lehtë është ta harrosh këtë në lidhje me furnizimin e Tij të përditshëm! A kemi sy për të parë se çfarë po na jep dhe çfarë po bën Ai për ne në jetën tonë të përditshme? Në fund të çdo dite, a i kemi zemrat të tejmbushura me falënderim për gjithçka që Ai ka bërë?
Një shembull praktik i furnizimit të vazhdueshëm nga Perëndia është vetë ushqimi që marrim çdo ditë. Askush nuk duhet të ecë lart e poshtë korridoreve të një dyqani ushqimor me një ndjenjë më të madhe habie dhe mirënjohjeje sesa një i krishterë! Në fund të fundit, është Perëndia ai që i mbush raftet e dyqaneve dhe dollapët tanë. Ndërsa marrim vezë dhe qumësht, mund të themi: “Kjo është vepër e ZOTIT, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë” (Psalmi 118:23).
Pavarësisht se sa të errëta dhe dramatike mund të duken ngjarjet e jetës, Perëndia ende kujdeset për popullin e Tij dhe i realizon qëllimet e Tij. Ai shpesh zgjedh ta bëjë këtë nëpërmjet njerëzve më të pazakontë dhe në mënyrat më të pabujshme. Ai kishte caktuar të bënte gjëra të mëdha nëpërmjet Naomit dhe familjes së saj — dhe kjo filloi me bukën në Bethlehem. Ne, gjithashtu, duhet të hapim sytë për të parë që furnizimi me ushqim nga Perëndia tregon për sigurimin e nevojës sonë më të madhe jetësore prej Tij — Shpenguesin tonë, Jezu Krishtin — si dhe për sigurimin e Tij për thirrjen tonë më të lartë: “…për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, me qëllim që të ecim në to” për lavdinë e Tij (Efesianëve 2:10).
