Shtator_11

Shtator 2022


Do të kalojmë tri ditë me këtë pjesë të Predikimit në Mal nga Jezusi. Te Mateu 6:25-26 Jezusi po trajton në mënyrë të veçantë shqetësimin për ushqim dhe veshje. Por, në fakt, ka lidhje me çdo lloj ankthi.

Edhe në Amerikë, pavarësisht sistemit të zhvilluar të ndihmës sociale, ankthi për financat, strehimin, ushqimin dhe veshjen mund të jetë vërtet i madh. Pa përmendur të krishterët, që jetojnë aty ku varfëria është edhe më e madhe dhe ua kërcënon jetën. Por në vargun 30, Jezusi thotë se ankthi ynë vjen nga besimi i pakët në premtimin e Atit tonë për hirin e ardhshëm: “njerëz besimpakë.”

Këto vargje (25-34) përmbajnë të paktën shtatë premtime nga Jezusi për të na ndihmuar të luftojmë luftën e mirë kundër mosbesimit dhe të çlirohemi nga shqetësimi. (Sot do të shohim Premtimet 1 dhe 2, dhe dy ditët në vijim do të shohim premtimet e tjera.)

Premtimi #1: “Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja?” (Mateu 6:25)

Përderisa trupi dhe jeta jote janë shumë herë më komplekse dhe më të vështira për t’u siguruar sesa ushqimi dhe veshja, e prapë Perëndia të ka krijuar, në fakt, dhe t’i ka dhënë të dyja, atëherë Ai sigurisht që do të jetë në gjendje dhe i gatshëm të të sigurojë ushqim dhe veshje.

Për më tepër, pavarësisht se çfarë ndodh, Perëndia do ta ringjallë trupin tënd një ditë dhe do ta ruajë jetën dhe trupin tënd për të qenë në bashkësi të përjetshme me Të.

Premtimi #2: “Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë?” (Mateu 6:26)

Nëse Perëndia është i gatshëm dhe në gjendje që të ushqejë krijesa kaq të parëndësishme sa zogjtë, të cilët nuk mund të bëjnë dot gjë për të siguruar ushqimin e tyre–siç mund të bësh ti duke mbjellë e duke korrur–atëherë nuk ka dyshim që Ai do të sigurojë atë që ke nevojë, sepse ti vlen shumë më tepër se zogjtë. Ndryshe nga zogjtë, ti ke kapacitetin e mahnitshëm për ta përlëvduar Perëndinë duke i besuar dhe duke iu bindur Atij, dhe duke e falënderuar Atë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia