Nëntor 2022
Njerëzit që mburren dhe shpresojnë në Jezu Krishtin, janë shtëpia e Perëndisë. Kjo do të thotë se Jezusi është Krijuesi ynë, Zotëruesi, Sunduesi dhe Siguruesi ynë pikërisht sot, jo vetëm në kohën e Moisiut ose në kohën e Tij mbi tokë.
Jezusi quhet “ndërtuesi” i kësaj shtëpie. Moisiu nuk ishte ndërtuesi. Ai ishte pjesë e shtëpisë. Prandaj thuhet: “Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.” Prandaj, Moisiu, pavarësisht se ishte i madh në udhëheqjen e shtëpisë dhe për faktin se i dha shtëpisë fjalën e Perëndisë, ai ende ishte thjesht një pjesë e shtëpisë, të cilën Jezusi e ndërtoi.
Prandaj, nëse mburremi në Jezusin dhe shpresojmë në Të, ne jemi shtëpia e Tij, dhe Jezusi është Ndërtuesi ynë, Zotëruesi, Sunduesi dhe Siguruesi ynë. Ai nuk lejon që shtëpia e Tij të shkatërrohet ose të rrënohet.
Më pas shkrimtari e ndryshon imazhin–nga ndërtuesi dhe shtëpia, në bir dhe shërbëtor. “Dhe Moisiu vërtet qe besnik në gjithë shtëpinë e tij si shërbëtor... por Krishti si bir, mbi shtëpinë e tij.” Pra, Krishti u bë pjesë e shtëpisë–pjesë e familjes–që Ai ndërtoi. Por edhe kështu, nderi i Tij është shumë më i lartë se ai i Moisiut. Moisiu ishte një shërbëtor. Krishti është Biri. Ai është trashëgimtari.
Dhe ne jemi pjesë e kësaj shtëpie. Hebrenjve 3:6 thotë: “Shtëpia e të cilit jemi ne, në mbajtshim fort, deri në fund, guximin dhe mburrjen e shpresës.” Sigurisht, le ta respektojmë Moisiun dhe t’i japim atë që i takon, por ideja kryesore e librit të Hebrenjve është kjo: Krishti është më i madh. Ai është më i madh në çdo aspekt. Ai është ndërtuesi i shtëpisë së popullit të Perëndisë. Krishti është Biri në shtëpinë e popullit të Perëndisë. Le ta respektojmë Moisiun, por të adhurojmë Jezusin–Krijuesin dhe vëllain tonë.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022