Vargje kyce biblike mbi shpetimin (shpetimi)

Nëntor 2020                                         Nga: Crossway


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jetë e re në Krishtin

Për shkak të Krishtit, besimtarëve u është siguruar shpëtimi nga mëkati dhe premtimi i jetës së përjetshme. Çfarë shprese kemi në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit! Inkurajohu duke lexuar Shkrimet e mëposhtme me koment nga Bibla e Studimit ESV.

Romakëve 6:23

Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Ata që jepen pas mëkatit do të vdesin edhe fizikisht edhe përjetësisht, ndërsa të krishterëve u është siguruar jeta e përjetshme. Paga nënkupton se ndëshkimi për mëkatin është ajo që dikush ka fituar dhe ka merituar. Dhuntia është e kundërta e diçkaje që dikush meriton, gjë që lidhet dhe me theksin që pak më përpara Pali kishte vendosur në drejtësimin vetëm përmes hirit, vetëm nëpërmjet besimit (t’i besosh Krishtit për drejtësim; shih Romakëve 1:17; Romakëve 3:21-4:25).

Filipianëve 2:12-13

Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.

Filipianët kanë qenë të bindur (shiko Filipianëve 2:8 për bindjen e Krishtit) në të shkuarën dhe duhet të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që punojnë për shpëtimin e tyre me frikë dhe dridhje. Ata nuk mund të kënaqen me lavditë e së shkuarës, por duhet ta tregojnë besimin e tyre çdo ditë, ndërkohë që ushqejnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Por edhe pse drejtësia e Perëndisë është arsyeja për të jetuar me kujdes (“me frikë dhe dridhje”), kjo nuk do të thotë se Pali donte që filipianët të ishin në ankth se nuk do të ishin kurrë mjaftueshëm të mirë për të merituar hirin e Perëndisë. Në fakt, është vetë dashuria dhe hiri i Perëndisë që do t’i ruajë: sepse Perëndia është Ai që vepron në ju. Ata mund të gëzohen në praninë fuqizuese të Perëndisë, ndërkohë që përpiqen fort për të jetuar një jetë të përgjegjshme si të krishterë. Edhe pse duket sikur Filipianëve 2:12 mund të sugjerojë shpëtim me anë të veprave, është e qartë se Pali i refuzon mësime të tilla (Filipianëve 3:2-11). Te Filipianëve 2:12 Pali, me “shpëtimin”, nënkupton përjetimin e vazhdueshëm të të gjitha aspekteve dhe bekimeve të shpëtimit. Për këtë arsye bindja e vazhdueshme e filipianëve është një pjesë thelbësore e “të punuarit” për shpëtimin e tyre. Por, siç e tregon edhe Filipianëve 2:13, këto vepra janë rezultati i punës së Perëndisë në popullin e Tij. “Vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij”, edhe dëshira (“vullneti”) për të bërë atë që është e mirë vjen nga Perëndia; por Ai gjithashtu punon brenda besimtarit që të nxisë zgjedhjen e së mirës, e më pas dëshirat të rezultojnë në vepra.

Gjoni 14:6

Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”

Jezusi, si e vetmja rrugë për tek Ati, përmbush simbolet dhe mësimet e Dhiatës së Vjetër, të cilat tregojnë ekskluzivitetin e deklaratave të Perëndisë, siç janë perdja (Eksodi 26:33) që pengon hyrjen e të gjithëve në prezencën e Perëndisë, përveç kryepriftit levit (Levitiku 16), refuzimi i trillimeve njerëzore si mjete për t’iu afruar Perëndisë (Levitiku 10:2), dhe zgjedhja e Aaronit, dhe vetëm e atij, për të përfaqësuar Izraelin përpara Perëndisë në shenjtëroren e Tij (Numrat 17:5). Jezusi është e vetmja “udhë” për te Perëndia (Veprat 4:12), dhe vetëm Ai siguron hyrjen në prezencën e Perëndisë. Jezusi, si e vërteta, përmbush mësimin e Dhiatës së Vjetër (Gjoni 1:17) dhe shfaq Perëndinë e vërtetë (Gjoni 1:14, 17; Gjoni 5:33; Gjoni 18:37; gjithashtu Gjoni 8:40, 45-46; Gjoni 14:9). Vetëm Jezusi është jeta që përmbush premtimet e Dhiatës së Vjetër për “jetën” që vjen nga Perëndia (Gjoni 11:25-26), duke e pasur jetën në veten e Tij (Gjoni 1:4; Gjoni 5:26), e kështu është i aftë t’ua japë këtë jetë të gjithë atyre që besojnë në Të (p.sh., Gjoni 3:16). Kjo është një tjetër shprehje e “Unë Jam” që deklaron hyjninë.

Romakëve 1:16

Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun.

Pali shjegon përse dëshiron kaq shumë të predikojë ungjillin kudo: ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtim dhe drejtësia e Perëndisë shfaqet në të.
Për shkak të mungesës në numër, në famë dhe nder në korridoret e fuqisë dhe ndikimit romak, të krishterët mund të tundoheshin të kishin turp nga mesazhi i krishterë. Por Pali thotë se nuk ka asnjë arsye për të pasur turp, sepse ai është në fakt një mesazh që vjen së bashku me fuqinë e Perëndisë, që sjell njerëzit në shpëtim. “Më parë judeun” tregon përparësinë e judenjve në historinë e shpëtimit dhe zgjedhjen e tyre si populli i Perëndisë. Roli i judenjve është një çështje shumë e rëndësishme te letra e romakëve, siç shihet veçanërisht në diskutimin e bërë te Romakëve 9-11. Greku, këtu, nuk kufizohet vetëm për ata që janë nga Greqia, por i referohet të gjithë johebrenjve.

Gjoni 1:12-13

Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

“Ata që e pranuan” nënkupton jo thjesht të qenët dakord intelektualisht me disa fakte rreth Jezusit, por ta mirëpresësh dhe t’i nënshtrohesh Atij në një marrëdhënie personale. “Atyre që besojnë në” (greqisht pisteuo eis) nënkupton besim personal. “Në emrin e tij” i referohet të gjitha të vërtetave rreth Tij, pra tërësisë së personit të Tij. “Të cilët nuk janë lindur nga gjaku… por nga Perëndia” siguron se as lindja fizike as prejardhja etnike e as përpjekjet njerëzore nuk mund t’i bëjnë njerëzit bij të Perëndisë, vetëm vepra e mbinatyrshme e Perëndisë mundet (Gjoni 8:41-47; Gjoni 3:16). Kjo e shtriu mundësinë e birërisë te johebrenjtë dhe jo vetëm te judenjtë (Gjoni 11:51-52; Gjoni 10:16). Shih gjithashtu Gjoni 3:3-8. “Të gjithë atyre që e pranuan ai u dha pushtetin” tregon se besimi shpëtues vjen para se të bëhesh pjesë e familjes së Perëndisë përmes adoptimit si fëmijë i Tij.

Efesianëve 1:13-14

Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.

“U vulosët” mund të thotë ose që Fryma e Shenjtë i mbron dhe i ruan të krishterët, derisa të marrin trashëgiminë (shih Efesianëve 4:30; 2 e Korintasve 1:22; 1 e Pjetrit 1:5; Zbulesa 7:2-3) ose që Ai “certifikon” vërtetësinë e plotë të pranimit të tyre nga Perëndia - ata mbajnë “vulën mbretërore” (shih Gjoni 3:33; Veprat 10:44, 47). Interpretimi i parë duket më i përshtatshëm në këtë rast, megjithatë të dyja idetë janë biblikisht të vërteta.
Perëndia derdh Frymën e Tij të Shenjtë mbi të gjithë bijtë e Tij për të garantuar (ose për të siguruar një “kapar”) pjesën e tyre në mbretërinë e Tij të përjetshme, sepse Ai kryen në ta të gjithë veprën e fuqishme të Perëndisë në shpengim. “Për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë.” Kjo frazë mund të thuhet edhe: “derisa Perëndia të shpengojë plotësisht zotërimin e Tij.” Në këtë rast do të thotë se, ashtu si levitët në Dhiatën e Vjetër, besimtarët janë thesari i çmuar i Zotit (shih Numrat 3:12, 45; Numrat 8:14; Jozueu 14:3-4; 18:7).

Gjoni 3:3-6

Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.'' Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?'' Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë.''

Ky diskutim i nevojës për rilindje frymërore është zhvillimi i mëtejshëm i referencës së mëparshme për “bijtë e Perëndisë” që “kanë lindur nga Perëndia” (Gjoni 1:12-13; Gjoni 8:39-58; Gjoni 11:51-52). Fraza “lindur nga uji dhe nga Fryma” te Gjoni 3:5 i referohet lindjes frymërore, që pastron nga mëkati dhe sjell transformim dhe ripërtëritje shpirtërore. Këtu uji nuk i referohet atij në lindjen fizike, dhe nuk ka të ngjarë t’i referohet as pagëzimit. Sfondi me shumë mundësi është Ezekieli 36:25-27, ku Perëndia premton: “do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe ju do të jeni të pastër…do t’ju jap një zemër të re…do të vë brenda jush Shpirtin tim.” Për diskutime të mëtejshme rreth rilindjes, shih 1 e Gjonit 2:29; 3:9; 4:7; 5:1, 4, 18. Mbretëria e Perëndisë, një temë shumë e rëndësishme te ungjijtë e tjerë, përmendet vetëm te Gjoni 3:3, 5 (shih referimin që i bëhet mbretërisë së Jezusit te Gjoni 18:36).

Gjoni 3:16-18

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

Kjo është pëmbledhja më e famshme e ungjillit në gjithë Biblën. “Sepse” lidhet me vargun 15 dhe shpjegon çfarë ndodhi që u bë e mundur që dikush mund “të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:15), pra, përmes besimit në Krishtin. Perëndia e deshi aq botën ishte një deklaratë e mahnitshme në atë kontekst, sepse Dhiata e Vjetër dhe shkrime të tjera judaike flisnin vetëm për dashurinë e Perëndisë ndaj popullit të Tij, Izraelit. Dashuria e Perëndisë për “botën” mundësoi që “kushdo” (Gjoni 3:15) që beson në Krishtin, jo vetëm judenjtë, të ketë jetë të përjetshme. Dashuria e Perëndisë për botën nuk ishte thjesht ndjenjë, por diçka që çoi në veprim specifik: Ai dha Birin e Tij të vetëm, që diku tjetër Gjoni thotë se e dërgoi në botë si njeri (Gjoni 3:17) që të vuante dhe të vdiste duke marrë kështu dënimin për mëkatet. Qëllimi i dhënies së Birit të Tij ishte që dhuratën e madhe të jetës së përjetshme ta bënte të vlefshme për këdo— për këdo që beson në Të, që do të thotë, kushdo që beson personalisht në Të. “Të mos humbasë” do të thotë të mos humbasë në gjykim të përjetshëm, që është e kundërta e të pasurit jetë të përjetshme, jetën e gëzimit me bollëk dhe bekimit të pamasë në prezencën e Perëndisë përjetë. Ata që “besojnë në” Krishtin kanë “jetë të përjetshme” dhe tashmë përjetojnë bekimet e kësaj jete, jo plotësisht, por në një masë të konsiderueshme.
Ata që nuk besojnë në Krishtin nuk kanë as qëndrim pozitiv as qëndrim neutral përpara Zotit. Ata ende qëndrojnë të dënuar përpara Tij për mëkatet e tyre, sepse nuk i kanë besuar zgjidhjes së Perëndisë për fajin, të Vetmit Bir të Perëndisë. Ky varg hedh poshtë çdo pohim se një person i sinqertë, që ndjek çdo lloj feje, mund të ketë ketë të përjetshme me Perëndinë (Gjoni 14:6; Veprat 4:12; Romakëve 10:13-17; 1 e Timoteut 2:5-6; në lidhje me besimtarët në Dhiatën e Vjetër që prisnin ardhjen e Krishtit shih Gjoni 8:56; Romakëve 4:1-24; Hebrenjve 11:13, 26).

Titit 2:11-14

Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

Të krishterët duhet të jetojnë kështu, për shkak se (“sepse”) hiri shpëtues i Perëndisë i udhëzon marrësit e tij që gjithashtu të jetojnë në një mënyrë të re. Askush nuk mund të thotë se ka marrë hirin shpëtues pa qenë edhe një nxënës i “hirit mësues.” Ky ndryshim në stilin e jetesës i ka rrënjët në shpengimin (Titit 2:14) dhe në pritjen e kthimit të Krishtit (Titit 2:13).
“Hiri shpëtues iu shfaq gjithë njerëzve” shpesh keqkuptohet sikur të gjithë njerëzit do të shpëtohen. Megjithatë, një këndvështrim i tillë nuk është i nevojshëm këtu dhe bie në kundërshti të fortë me Shkrime të tjera. Përkundrazi, kuptimi i tij është që shpëtimi i është ofruar të gjithë njerëzve (përfshirë të gjitha grupet etnike), jo vetëm disave.
Hiri shpëtues u mëson marrësve të tij t’i thonë jo mëkatit dhe po perëndishmërisë. “Në këtë jetë” thekson se perëndishmëria duhet ushtruar këtu dhe tani. Gjithashtu i referohet ardhjes së Krishtit në të ardhmen (Titit 2:13). Siguria për të ardhmen mundëson qëndrueshmëri në të tashmen.
Fjala greke për pritjen (prosdechomai) shpesh bart kuptimin e padurimit. Pritja me padurim e kthimit të Krishtit është mënyra me të cilën hiri i mëson të krishterët të mohojnë mëkatin dhe të rrojnë në perëndishmëri (shih Titit 2:11-12). Përqendrimi tek e vërteta e kthimit të Krishtit e nxit personin drejt shenjtërisë (shih 1 e Gjonit 3:2-3). Shpresa e lume nënkupton ardhjen e dytë të Krishtit, që Pali e quan të shfaqurit e… të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Mund të duket e paqartë, nëse këtu Pali i referohet dy personave të Trinisë (Perëndisë Atë dhe Jezu Krishtit) apo nëse përshkruan Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar. Megjithatë gramatika greke reflektohet mirë në këtë përkthim dhe tregon se Jezusi po identifikohet si “i madhi Perëndi dhe Shpëtimtari ynë Jezu Krishti” (Gjoni 1:1; 20:28; etj.).

Pali e bazon thirrjen e tij për perëndishmëri në faktin se një nga qëllimet e vdekjes së Jezusit ishte shenjtërimi i njerëzve të Tij. Të lësh perëndishmërinë do të thotë të përçmosh sakrificën e Krishtit. Pali e rrënjos këtë në Dhiatën e Vjetër me frazën për të na shpenguar nga çdo paudhësi, që në greqisht përafron shumë me Septuagintin te Psalmi 130:8. “ Një popull të veçantë për vete” është përkthimi i një fraze të pazakontë (greqisht laon periousion) me theks të qëllimshëm nga Dhiata e Vjetër (shih veçanërisht Eksodi 19:5; Malakia 3:17). Ka kuptimin e një “thesari të veçantë, të çmuar”. Këta njerëz duhet të jenë të zellshëm për vepra të mira, gjë që përsëri tregon se shpengimi lidhet ngushtë me të jetuarit në perëndishmëri. Nuk mund të pretendosh se je i shpenguar, nëse nuk ke prova praktike të transformimit (shih Jakobi 2:14-26).

1 e Thesalonikasve 5:9-10

Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht, i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

Lidhëza “sepse” e lidh këtë varg ose me 1 e Thesalonikasve 5:6-8 përgjithësisht ose me nxitjen specifike te 1 e Thesalonikasve 5:8 për të vendosur përkrenaren e shpresës. Pali rithekson atë që ka thënë te 1 e Thesalonikasve 5:4: thesalonikasit nuk kanë pse të shqetësohen për asgjë, sepse ata nuk janë caktuar për zemërim por për shpëtim në ardhjen e dytë.
“Zgjuar” i referohet të krishterëve që do të jenë gjallë në ditën e Zotit (1 e Thesalonikasve 5:1-11), ndërsa “fjetur” i referohet të krishterëve që kanë vdekur (1 e Thesalonikasve 4:13-18). Jetojmë; në ardhjen e dytë, të krishterët do të përjetojnë një cilësi të re jetese në praninë e Krishtit. 


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-salvation/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Shpëtimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin