guximi

Nëntor 2020                                 Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jozueu 1:6-9

“Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh”.

Perëndia i kërkon Jozueut tri herë të jetë “i fortë dhe trim”, fjalë që më herët i qenë thënë Jozueut nga Moisiu, kur e caktoi Jozueun të udhëheqë popullin (shih Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueut do t’i duhet forcë dhe guxim për të pranuar detyrën (“ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin” Jozueu 1:6); për t`u bindur ndaj Torah (“Librit të Ligjit”; me shumë mundësi përfshihet libri i Ligjit të Përtërirë, ose pjesëve të tij [shih Ligji i Përtërirë 31:26, “këtë libër të ligjit”]); dhe për të mos lejuar veten të tmerrohej (“mos ki frikë dhe mos u thyej”; Jozueu 1:9). Më e vështira prej të gjithave do të jetë përgjegjësia e dytë — që do të thotë, të bëjë ligjin e Perëndisë (hebraisht “Torah”) përcaktues të asaj që është dhe bën (Jozueu 1:8), të mendojë për të  vazhdimisht, që të veprojë sipas tij (Jozueu 1:8). Prandaj, në këtë kërkesë të dytë, theksi vendoset në përdorimin e dy fjalëve: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim”. Duke marrë parasysh përgjegjësinë e udhëheqjes që mori Jozueu, kjo kërkesë për të qenë i fortë dhe trim do të kishte qenë tmerruese, nëse nuk do të kishte nisur dhe nuk do të kishte përfunduar me këto premtime: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5); dhe “ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9). Vetëm pasi mori sigurinë e prezencës së pandashme të Perëndisë, Jozueu u fuqizua për të marrë mandatin e tij me guxim. Terminologjia hebraike e përdorur në këto premtime nuk ka të bëjë fare me pasurinë apo suksesin njerëzor, por ka të bëjë plotësisht me përmbushjen e misionit përmes fuqisë së brendshme në çdo situatë që del përpara. Vetëm nëse dikush nuk “këshillohet me ZOTIN” (Jozueu 9:14), atëherë kjo fuqi mungon.

Isaia 41:10

Mos ki frikë,
sepse unë jam me ty, mos e humb, 
sepse unë jam Perëndia yt. 
Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj 
dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

Ty” i referohet gjithë popullit si një i tërë (i quajtur “Jakob” tek Isaia 41:8). Ndryshe nga popujt e tmerruar tek Isaia 41:5, populli i Perëndisë gjen arsye në Vetë Perëndinë për të mos pasur frikë (krah. me Isaia 41:13-14). Ndryshe nga zotët e popujve të tjerë, që duhet të përforcoheshin që të mos lëviznin (Isaia 41:7), ishte Perëndia i Izraelit ai që përforconte dhe i mbante fort njerëzit e tij.

Kështu populli i dobët i Perëndisë bëhet një forcë e mrekullueshme, që edhe mund të zhvendosë male për qëllimin e tij të gëzueshëm.

Efesianëve 6:10-18

Së fundi, vëllezërit e mi, fuqizohuni në Zotin dhe në forcën e pushtetit të tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore. Prandaj merrni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e ligë dhe të qëndroni në këmbë pasi të keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke ngjeshur mesin tuaj me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë dhe, duke ndenjur zgjuar për këtë me çdo këmbëngulje dhe përgjërim për të gjithë shenjtorët.

Pali prezanton armatimin e Perëndisë duke u përqendruar te forca që ai jep. “Fuqizohuni”, të krishterët nuk mund të përballen me forcën e tyre kundër fuqive mbinjerëzore, prandaj duhet të mbështeten në “forcën” “e fuqisë” së Perëndisë (shih Efesianëve 1:19). Këtë forcë, Perëndia e jep me bollëk përmes lutjes (Efesianëve 6:18).

Fjala greke për “gjithë armatimin” (panoplia) i referohet të gjitha pjesëve të armatimit të plotë të një ushtari, që përbëhet nga mburojat dhe armët, si ato të përshkruara tek Efesianëve 6:14, 16-17. Përshkrimi që Pali bën këtu është marrë kryesisht nga Dhiata e Vjetër, megjithatë termat e përdorur përputhen mirë edhe me armatimet romake (sidomos termat për mburojën e madhe me formën e një dere dhe për kamën). Të tilla përshkrime të armatimeve mund të shihen te skulpturat ushtarake (sidomos te sarkofagët) gjatë Perandorisë Romake. “Dredhive”, te kjo fjalë,  origjina djallëzore shfaqet duke iu referuar “gënjeshtrave të gabimit” të atyre që mësojnë doktrinën e rreme (Efesianëve 4:14; shih edhe: 1 e Gjonit 2:18, 22; 1 e Gjonit 4:3; 2 e Gjonit 7).

Lista e “...principatave, …pushteteve dhe …sunduesve” të botës (shih Efesianëve 3:10) na jep një pamje të qartë të aleatëve të djallit, të “frymërave të liga”, që kanë fuqi tepër të madhe ndërsa ushtrojnë fuqitë e tyre kozmike ndaj “errësirës së kësaj jete”. E megjithatë, Shkrimi e bën të qartë se armiku nuk mund të matet me Zotin, i cili “mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të”.

Isaia 43:2-3

Kur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty,
ose të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur të ecësh nëpër zjarr, 
nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të përpijë. 
Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. 
Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty.

“Ty” përfshin të gjithë popullin (Isaian 42:1). Edhe kur vuajnë në mërgim ose në skllavëri, Perëndia është gjithmonë me popullin e tij (krah. me Isaia 41:10).

Populli i Perëndisë është i ruajtur për shkak se Perëndia është i vendosur të marrë lavdi me shpëtimin e popullit të tij. “Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban…” Këtu Isaia përdor idenë e çmimit të shpagimit, që ndonjëherë përdoret me termin “shpengim” (Isaia 42:1). Perëndia do të lëvizë historinë për hir të popullit të tij. “Egjipti” nënkupton eksodin; largësia e Etiopisë dhe Sebës mund të tregojë se si Perëndia do të bëjë gjithçka që duhet dhe do të ndryshojë historinë e çdo kombi për shpëtimin e popullit të tij.

Mateu 10:28-31

Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; por kini frikë më tepër nga ai që mund t’jua humbë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr. A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dashjen e Atit tuaj. Por te ju edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

“Harabela”, këta zogj në atë kohë konsideroheshin rëndom si një prej krijesave më të vogla, dhe një aspër ishte një prej monedhave romake me më pak vlerë (krah. me Mateu 5:26). Pjesa pa dashjen e Atit tuaj” na thotë se Perëndia është sovran edhe mbi gjërat më të parëndësishme. “Mos kini frikë, pra”, duke qenë se Ati qiellor i mbikëqyr vazhdimisht në mënyrë sovrane edhe krijesat, që në dukje janë të parëndësishme, pa dyshim që ai gjithashtu do të tregojë kujdes për dishepujt e tij në misionin e tyre për të shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë.

Psalmi 56:3-4

Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.
Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; 
kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. 
Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Shumë njerëz e marrin këtë si vajtim personal, por ky mund të jetë gjithashtu një psalm falënderimi (paraprirës): përshkrimi i problemeve dhe lutja bëhen me mirënjohje, për faktin se Perëndia i ka dëgjuar ato dhe do të veprojë (siç ka vepruar në të shkuarën). Këngëtari përshkruan rrethanat e tij dhe ngulit mendjen te përgjigjja e duhur. Situata mund të shihet në përsëritjen  e njerërzve që “përpijnë” dhe “luftojnë” (Psalmi 56:1-2); ndërsa përgjigjja shihet në përsëritjen e besimit (Psalmi 56:3-4). Kjo ndihmon ata që e këndojnë këtë psalm për t’u përqendruar te përgjigjja e duhur: kur ata kanë frikë, kundërhelmi është ky.

Psalmi 27:1

ZOTI është drita ime dhe shpëtimi im;
nga kush do të kem frikë? 
ZOTI është kështjella e jetës sime; 
nga kush do të kem frikë?

Me këndimin e Psalmit 27, populli i Perëndisë ka një mënyrë se si të shfaqë jo vetëm siguri në Perëndinë, por dhe ta kultivojë sigurinë gjatë situatave më të vështira të jetës. Psalmi përdor disa sinonime për fjalën “armiqtë” (Psalmi 27:2, 6, 11, 12), duke dhënë shembuj konkretë të një personi besnik, që është rrethuar prej atyre që duan ta shkatërrojnë me plane të këqija dhe gjakatare; ai që mund t’i besojë Perëndisë në ato rrethana, mund ta bëjë edhe në situata të tjera.

Termi “frikë” (Psalmi 27:1, 3) dhe “do të kem frikë” (Psalmi 27:1) bien në kontrast me do të kisha besim” (Psalmi 27:3): njeriu besnik duhet të mësojë të vendosë besimin në mbrojtjen e përhershme të Perëndisë (“drita”, “shpëtimi”, “kështjella”, Psalmi 27:1); kjo do të jetë një siguri që do të rritet me përjetimet e çlirimit (siç thotë edhe Psalmi 27:2).

Romakëve 8:15-17

Sepse ju nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë; si trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë.

Të krishterët nuk janë më skllevër të mëkatit, por janë birësuar në familjen e Perëndisë si bij, siç vërtetohet edhe nga Fryma që dëshmon brenda tyre se Perëndia është Ati i tyre; “birërisë”. “Aba” është fjala hebraike për “Atë”. Termi është përdorur nga Pali duke iu referuar Jezusit që e quajti Perëndinë ‘Aba’ (Marku 14:36). Fryma e Perëndisë i dëshmon frymës së të krishterit sigurinë se ai apo ajo është bir/bijë e Perëndisë.

2 e Korintasve 4:8-12

Në çdo gjë duke u shtrënguar por pa u ngushtuar, duke dyshuar, por jo duke u dëshpëruar, duke qenë të përndjekur por jo duke qenë të braktisur; duke u rrëzuar, por jo duke u shkatërruar; gjithnjë duke mbajtur në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Sepse ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për hir të Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.

Pali nuk ligështohet, edhe pse ai vuan si apostull (2 e Korintasve 4:16), sepse e njëjta fuqi që ngriti Jezusin prej së vdekurish i jep forcë të qëndrojë në shtrëngime (2 e Korintasve 4:7-12), ajo shfaq gjithashtu fuqinë e Perëndisë (2 e Korintasve 4:7, 11-12), dhe i jep një shenjë të sigurt se do të përjetojë ringjalljen në fund të kohërave (2 e Korintasve 4:16-18).

“Thesar” (v. 7) i referohet “njohurisë së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6) si përmbajtja e Ungjillit (2 e Korintasve 4:4). “Enë prej balte” (v. 7) është një metaforë e zakonshme, e cila në lashtësi përdorej për të simbolizuar dobësinë njerëzore (shih Psalmin 31:12; Isaia 30:14). Ky varg rithekson temën kryesore te 2 e Korintasve siç shihet edhe te 2 e Korintasve 1:3-11, edhe te 2 e Korintasve 2:14-17: Perëndia triumfon në mes të dobësive njerëzore, duke mishëruar parimin e kryqëzimit të Krishtit (krah. me 1 e Korintasve 1:27; 2 e Korintasve 10:3; 2 e Korintasve 11:30; 2 e Korintasve 12:5, 9; 2 e Korintasve 13:4, 9).

Perëndia ia dorëzonte vazhdimisht Palin vdekjes (“vazhdimisht të dorëzuar”), “për hir të Jezusit”, që fuqia e ringjalljes së Jezusit (e cila përjetohej në aftësinë e Palit për t’iu rezistuar shtrëngimeve dhe në ndarjen e fuqishme të Ungjillit, pavarësisht kundërshtimeve) të mund të njihet në dobësinë e “mishit tonë të vdekshëm” (2 e Korintasve 4:7). Vuajtja dhe durimi i Palit kanë si qëllim të sjellin të njëjtën “jetë” të ringjallur mes korintasve, ndërkohë që edhe ata mësojnë t’i zënë besë Perëndisë në mes të vështirësive.

2 e Timoteut 1:7

Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe mendjekthjelltësie.

“Frymë”, ndoshta Fryma e Shenjtë. “Frike”, fjala në greqisht (‘deilia’), në literaturën jokanonike (apokrifa), i referohet atij që ia mbath në betejë, dhe ka tendencë të frikësohet gjithnjë. Guximi është shenja e Frymës dhe jo frika (shih Fjalët e Urta 28:1; Veprat e Apostujve 4:31).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-courage/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 (Përditësuar në 2024)


EtiketaCrossway, Guximi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin