10 vargje kyce te bibles per durimin

Nëntor 2020                                         Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jini të duruar sepse Ai është i duruar

Perëndia është pafundësisht i dururar me ne, bijtë e Tij. Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të tregojmë hir dhe durim ndaj të tjerëve me ndihmën e Frymës së Shenjtë. Inkurajohu nga Shkrimet e mëposhtme me koment nga Bibla e Studimit ESV.

Psalmi 86:15

Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.

Ata që janë besnikë nuk kanë përse dëshpërohen. As nuk kanë arsye për t’u shqetësuar se mos Perëndia i braktis tek armiku për shkak të mëkateve të tyre: Perëndia është i mëshirshëm dhe i dhembshur, për këtë arsye besnikët e Tij mund të besojnë se Ai do t’i falë dhe do t’i ruajë. Për të njëjtën arsye këngëtari merr guxim për të përfunduar kërkesën e tij: “që ata që më urrejnë të të shohin dhe të mbeten të shushatur.” Kur armiqtë kuptojnë se Perëndia i vërtetë kujdeset për besimtarin, ata gjithashtu do të kuptojnë se shpresat e tyre i kanë vënë mbi baza të pavërteta. Kjo mund të çojë në konvertimin e tyre. Ky vajtim, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk përfundon me ndjenjë sigurie se lutja është dëgjuar, por kjo siguri nënkuptohet përgjatë gjithë psalmit.

Romakëve 8:23-25

Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytin e parë të Frymës, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me durim birërimin, shpengimin e trupit tonë. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që shihet nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë? Por nëse shpresojmë atë që s’e shohim, atëherë e presim me durim.

Krijimi është mishëruar, dhe tregon se mezi pret ditën, kur shpëtimi, që tashmë ka nisur te bijtë e Perëndisë, do të përmbushet. Populli i Perëndisë gjithashtu rënkon dhe mezi pret plotësimin e veprës së Tij shpëtuese. Këtu tensioni dallohet në teologjinë e Palit për atë tashmë dhe atë ende. Tashmë të krishterët kanë frytet e para të Frymës, megjithatë ende presin ditën e birërimit final, kur trupat e tyre do të çlirohen plotësisht dhe ata do të ngrihen prej së vdekurish.

Birërimi i tyre tashmë ka nisur në aspektin ligjor (Romakëve 8:15), dhe ata shijojnë shumë prej privilegjeve të tij, por këtu Pali e përdor fjalën “birërim” duke iu referuar privilegjit akoma më të madh për marrjen e trupave të përsosur në ringjallje.

Romakëve 2:4

Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos e ditur se mirësia e Perëndisë të prin në pendim?

Shprehja “i përçmon” me shumë mundësi u drejtohet judenjve që mendonin se besëlidhja e vjetër me Perëndinë do t’i mbronte nga gjykimi final. Në fund të fundit, ata e kishin përjetuar shpeshherë mirësinë, durimin dhe zemërgjerësinë e Tij. Ata mendonin se një bekim i tillë tregonte se ishin në rregull me Perëndinë dhe nuk kishin nevojë t’i besonin Krishtit, por Pali u thotë se e kundërta është e vërtetë: bekimi i Perëndisë duhet t’i kishte prirë në pendim.

Jakobi 1:19-20

Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

Jakobi inkurajon kishën të synojë dëgjimin e fjalës, dhe të shmangë fjalët e nxituara dhe zemërimin e padrejtë.

Jakobi thekson traditën e mençurisë judaike për keqpërdorimin e gjuhës dhe zemërimin që e ndjek (Fjalët e Urta 10:19; 11:12; 15:1; 17:28). “I shpejtë në të dëgjuar”, mungesa e të dëgjuarit së bashku me mungesën e vetëpërmbajtjes së gjuhës, çon në veprime të kryera në zemërim. Të jesh i ngadaltë në zemërim nuk do të thotë se çdo zemërim njerëzor është mëkat (Efesianëve 4:26), por zemërimi i shpejtë dhe egoist i botës (“zemërimi i njeriut,” Jakobi 1:20) tregon mungesë besimi në Perëndinë dhe mungesë dashurie për të tjerët.

Zemërimi i njeriut që mbështetet vetëm te vetja, edhe nëse është kundër diçkaje të gabuar, nuk arrin të kuptojë se thjesht qortimi njerëzor nuk mund të ndryshojë zemrën e një personi, dhe nuk bën drejtësinë e Perëndisë; kështu që ky zemërim as nuk është në të vërtetë i drejtë. Perëndia është i shenjtë e i drejtë, dhe kërkon që populli i Tij të ketë karakterin e Tij të drejtë (p.sh., Levitiku 19:2; Mateu 5:48; 1 e Pjetrit 1:16). “Drejtësinë” nuk i referohet ligjeve të letrave të Palit apo drejtësisë mjeko-ligjore, që paraqitet në ligjin gjyqësor të Perëndisë (p.sh., shih shënimin tek Romakëve 3:20; 5:10) por përafrohet më shumë me përdorimin në Dhiatën e Vjetër (Isaia 61:3) dhe me Jezusin (Mateu 3:15; 5:6, 10, 20; 6:1, 33; 21:32), në kuptimin e drejtimit të jetës sipas vullnetit të Perëndisë dhe standardeve të Tij.

Galatasve 5:22-23

Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

Fryma lufton kundër mëkatit jo vetëm për t’u mbrojtur, por edhe për ta sulmuar mëkatin, duke prodhuar tek të krishterët atributet pozitive të karakterit të perëndishëm, të cilat i shohim të gjitha te Jezusi, përgjatë ungjijve. Dashuria renditet e para, sepse është cilësia më e rëndësishme (1 e Korintasve 13:1-13; 2 e Pjetrit 1:5-7), për shkak se ajo reflekton qartë karakterin e Perëndisë. Gëzimi është po aq afër, duke u renditur i dyti, sepse duke u gëzuar për shpëtimin e Perëndisë, të krishterët tregojnë se dëshirat e tyre janë vendosur siç duhet në vullnetin dhe qëllimet e Perëndisë (shih Gjoni 15:11; 16:24; Romakëve 15:13; 1 e Pjetrit 1:8; Juda 1:24; etj.). Paqja është rezultat i pajtimit që Perëndia bëri me mëkatarët, që të mos ishin më armiqtë e Tij, gjë e cila duhet të sjellë siguri dhe liri për t’iu afruar Perëndisë (Romakëve 5:1-2; Hebrenjve 4:16). Durimi tregon se të krishterët po ndjekin planin dhe kohën e Perëndisë dhe jo të vetën, dhe se kanë braktisur mendimet e vetes për mënyrën si duhet të funksionojë bota.

Mirëdashja do të thotë të tregosh mirësi, bujari, dhe dhembshuri ndaj të tjerëve, që është gjithashtu një atribut i Perëndisë (Romakëve 2:4). Mirësia do të thotë të mundohesh për të mirën e të tjerëve, jo tënden; Pali e përmend sërish te Galatasve 6:10. Besimi është një tjetër karakteristikë hyjnore; do të thotë që vazhdimisht të bësh atë që thua.

Zemërbutësia është një cilësi, që Jezusi ia atribuon vetes te Mateu 11:29; kjo cilësi u jep njerëzve aftësi për të gjetur pushim tek Ai dhe për të inkurajuar e forcuar të tjerët. Vetëkontrolli është disiplina që jepet nga Fryma e Shenjtë, dhe i mundëson të krishterit t’i rezistojë tundimeve të mishit (Galatasve 5:17). Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj, pra ata që i ushtrojnë këto cilësi po përmbushin ligjin - më shumë se ata që ushtrojnë ceremonitë judaike, dhe gjithashtu më shumë se ata që ndjekin veprat e mishit të paraqitura te Galatasve 5:19-21.

Jakobi 1:2-4

Ta quani gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në tundime të ndryshme, duke ditur se sprova e besimit tuaj sjell durim. Por durimi të kryejë në ju një vepër të përsosur dhe të plotë, që të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë mangësi.

Tundimet janë “sprova” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2-5). Kur tundimet vijnë, duhet ta quajmë gëzim — jo në kuptimin e një lumturie të përkohshme të botës, por “gëzim i plotë” shpirtëror dhe i qëndrueshëm në Zotin, i Cili është sovran mbi gjithçka, përfshirë tundimet.

“Sprova e besimit tuaj” jep kuptimin e një prove për të krishterin: ashtu si Jezusi u “tundua” në shkretëtirë (Mateu 4:1-13), kështu tundohen dhe besimtarët. Fjala greke dokimion (“tundim”) ka kuptimin e një prove pozitive, e cila ka për qëllim të bëjë “të vërtetë” besimin e personit (shiko 1 e Pjetrit 1:7, Bibla ESV në anglisht). Rezultati i kësaj prove është durimi, është një jetë që qëndron me besnikëri në mes të shqetësimeve dhe vuajtjeve.

Në fund, qëndrueshmëria të çon në përsosmëri. Besimtarët rriten në shenjtëri, por ende nuk janë përsosur në të. Përsosmëria në shenjtëri do të përmbushet vetëm, kur Jezusi të kthehet.

Kolosianëve 3:12-13

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

Pali u kërkon kolosianëve të jetojnë një jetë të shenjtë, që të jetë në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para Tij si shenjtorë dhe të dashur. Ata duhet të jetojnë në lartësinë e identitetit të tyre të ri në Krishtin.

Toleranca është një virtyt në komunitetin e krishterë, megjithatë Pali nuk do që kolosianët të tolerojnë mësimet e rreme. “Sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju”; kur të krishterët trajtohen keq dhe tradhtohen, ata janë thirrur për të falur njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi i ka falur për tradhtinë e tyre ndaj Tij. Shih Mateu 6:12, 14-15; 18:21-22.

Jakobi 5:7-8

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

Vëmendja kalon nga i pasuri tek i varfri, nga shtypësi i lig tek i drejti i shtypur, nga padurimi në durim. Në vend që të luftojnë, të krishterët janë thirrur të qëndrojnë me durim dhe të besojnë se është Perëndia që merr hak për ta.

Të drejtët duhet të presin deri në ardhjen e Zotit (shiko 1 e Thesalonikasve 4:15), kur Ai do të drejtësojë çdo të keqe. Shirat e parë dhe të fundit përshkruajnë klimën palestineze, në të cilën shirat e vjeshtës vijnë pikërisht pas mbjelljes dhe ato të pranverës pak para korrjes (Jeremia 5:24; Joel 2:23). Edhe pse tre të katërtat e shirave në Palestinë binin gjatë muajve dhjetor-shkurt, shiu i parë dhe i fundit ishin më të rëndësishmit.

2 e Pjetrit 3:11-15

Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt në flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen? Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.

Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe. Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha.

“Duke shpejtuar (greqisht speudo, “të nxitosh [duke u përpjekur shumë]”) ardhjen e ditës së Perëndisë” sugjeron që, duke jetuar një jetë të shenjtë, të krishterët mund të ndikojnë në kohën e kthimit të Zotit. Patjetër që, kjo nuk nënkupton se Perëndia nuk e ka paranjohur dhe nuk e ka paracaktuar kohën e kthimit të Jezusit (Mateu 24:36; Veprat e Apostujve 17:31). Por kur Perëndia caktoi ditën, Ai gjithashtu paracaktoi që do të ndodhte pasi të përmbusheshin të gjitha qëllimet e Tij për shpëtimin e besimtarëve dhe pasi të jetë plotësuar ndërtimi i mbretërisë në kohën e tashme. Këto qëllime përmbushen, kur Perëndia punon dhe i realizon përmes njerëzve të Tij. Për këtë arsye, parë nga perspektiva njerëzore, kur të krishterët ndajnë ungjillin me të tjerët dhe luten (Mateu 6:10), kur ndihmojnë përparimin e mbretërisë së Perëndisë në mënyra të tjera, vërtetë “shpejtojnë” përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë, përfshirë kthimin e Krishtit.

Shpresa e të krishterëve varet plotësisht, jo nga veprat e tyre por në premtimin e Perëndisë. Shpresa e tyre nuk është shkatërrimi i të pabesëve dhe i veprave të tyre, edhe pse kjo është një pjesë e nevojshme e gjykimit të fundit të Perëndisë. Shpresa e tyre qëndron në premtimin se Perëndia do të bëjë një qiell të ri dhe një tokë të re (shih Isaia 65:17; 66:22; Zbulesa 21:1-22:5), që do të jetë vendbanimi i përjetshëm i të drejtit. “Të rinj” mund të nënkuptojë “e sapokrijuar”, por me shumë mundësi do të thotë “e ripërtërirë, e bërë e re” (shih shënimin tek Romakëve 8:20-21; 2 e Pjetrit 3:10).

2 e Pjetrit 3:8-9

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

Durimi i Zotit përcakton kohën e kthimit të Tij. Perspektiva që Zoti ka për kohën, është ndryshe nga ajo e njerëzve. Perëndia nuk është i ngadaltë në përmbushjen e premtimeve të Tij, por është i duruar.

Fjala “të dashur” (krahaso me shënimin te 2 e Pjetrit 3:1) prezanton një paragraf të ri. Pjetri shpjegon se vonesa e ardhjes së dytë nuk është shumë larg, parë nga perspektiva e Perëndisë. Pastaj ai shpjegon se vonesa ndodh gjithashtu, për shkak se Perëndia është i duruar, dhe nuk ka nxituar të sjellë fundin e kësaj kohe, sepse Ai nuk do që dikush të humbasë (shih shënimin 1 e Timoteut 2:4; gjithashtu Romakëve 2:4). Edhe pse të krishterët mezi presin kthimin e Krishtit dhe mposhtjen e çdo ligësie, për aq kohë sa Perëndia lejon zgjatjen e kësaj kohe, njerëzit kanë ende mundësi të kthehen te Perëndia me besim.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-patience/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Durimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin