Vargje kyce biblike mbi guximin (guximi)

12 Nëntor 2020                                                                       Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyçe të Biblës.

Merr Zemër

Nuk kemi garanci se do ta kalojmë jetën e krishterë pa probleme dhe sfida—dhe padyshim që një jetë e tillë kërkon guxim. Fjala e Perëndisë na urdhëron të jemi të guximshëm, duke i besuar fuqisë së Perëndisë, dhe jo tonës. Inkurajohu nga këto shkrime me koment nga Bibla e Studimit ESV.

Jozueu 1:6-9

Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.

Tri herë Perëndia i kërkon Jozueut të jetë i fortë dhe trim, fjalë që më herët i qenë thënë Jozueut nga Moisiu, kur e caktoi Jozueun të udhëheqë popullin (shiko Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueut do t’i duhet forcë dhe guxim për të pranuar detyrën “ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin”(Jozueu 1:6); për t`u bindur ndaj Torah(“Librit të Ligjit”; me shumë mundësi përfshihet libri i Ligjit të Përtërirë, ose pjesë të tij [shiko Ligji i Përtërirë 21:26, “këtë libër të ligjit”]); dhe për të mos lejuar veten të tmerrohej (“mos ki frikë dhe mos u thyej”; Jozueu 1:9). Më e vështira prej të gjithave do të jetë përgjegjësia e dytë—që është, të bëjë ligjin e Perëndisë (hebraisht Torah) përcaktues të asaj që është dhe bën (Jozueu 1:8), të meditojë rreth tij vazhdimisht për të vepruar sipas tij (Jozueu 1:8). Prandaj në këtë kërkesë të dytë theksi vendoset në përdorimin e dy fjalëve: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim.” Duke marrë parasysh përgjegjësinë e udhëheqjes që Jozueu mori, kjo kërkesë për të qenë i fortë dhe trim do të kishte qenë tmerruese, nëse nuk do të kishte nisur dhe përfunduar me këto premtime: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5); dhe “ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9). Vetëm pasi mori sigurinë e prezencës së pandashme të Perëndisë, Jozueu u fuqizua për të marrë mandatin e tij me guxim. Terminologjia hebraike e përdorur në këto premtime nuk ka të bëjë fare me pasurinë apo suksesin njerëzor, por ka të bëjë plotësisht me përmbushjen e misionit përmes fuqisë së brendshme në çdo situatë që del përpara. Vetëm nëse dikush nuk “këshillohet me ZOTIN” (Jozueu 9:14) atëherë kjo fuqi mungon.

Isaia 41:10

Mos ki frikë, sepse unë jam me ty,
Mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt.
Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj
Dhe të mbaj në dorën e djathtë të drejtësisë sime.

“Ty” i referohet gjithë popullit si një i tërë (i quajtur “Jakob” tek Isaia 41:8). Ndryshe nga popujt e tmerruar tek Isaia 41:5, populli i Perëndisë ka arsye që i gjen në Vetë Perëndinë, për të mos pasur frikë (krahasoje me Isaia 41:13-14). Ndryshe nga zotët e popujve të tjerë, që duhet të përforcoheshin që të mos lëviznin (Isaia 41:7), ishte Perëndia i Izraelit Ai që përforconte dhe i mbante fort njerëzit e Tij.

Kështu populli i dobët i Perëndisë bëhet një forcë e mrekullueshme, që edhe mund të zhvendosë male për qëllimin e Tij të gëzueshëm.

Efesianëve 6:10-18

Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t'i keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

Pali prezanton armatimin e Perëndisë duke u përqendruar te forca që ai jep. Të krishterët nuk mund të përballen me forcat e tyre kundër fuqive shpirtërore, prandaj ata duhet të mbështeten në forcën e fuqisë së Perëndisë (shiko Efesianëve 1:19). Këtë forcë Perëndia e jep me bollëk përmes lutjes (Efesianëve 6:18).

Fjala greke për gjithë armatimin (panoplia) i referohet të gjitha pjesëve të armatimit të plotë të një ushtari, që përbëhet nga mburojat dhe armët, si ato të përshkruara tek Efesianëve 6:14, 16-17. Përshkrimi që Pali bën këtu është marrë kryesisht nga Dhiata e Vjetër, megjithatë termat e përdorur përputhen mirë edhe me armatimet romake (sidomos termat për mburojën e madhe me formën e një dere dhe për kamën). Të tilla përshkrime të armatimeve mund të shihen te skulpturat ushtarake (sidomos te sarkofagët) gjatë perandorisë romake. Te fjala “kurtheve” origjina djallëzore shfaqet duke iu referuar “gënjeshtrave të gabimit” të atyre që mësojnë doktrinën e rreme (Efesianëve 4:14; shiko edhe 1 e Gjonit 2:18, 22; 1 e Gjonit 4:3; 2 e Gjonit 7).

Lista e principatave, pushteteve dhe sunduesve të botës (shiko Efesianët 3:10) na jep një pamje të qartë të aleatëve të djallit, të forcave shpirtërore të së keqes, që kanë fuqi të tejmadhe, ndërsa ushtrojnë fuqitë e tyre kozmike në errësirën e kësaj jete. Dhe megjithatë, Shkrimi e bën të qartë se armiku nuk mund të matet me Zotin, i Cili “mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të.”

Isaia 43:2-3

Kur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty,
ose të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin;
kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh
dhe flaka nuk do të të konsumojë.
Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt,
i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt.
Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd,
Etiopinë dhe Seban për ty.

“Ty” përfshin të gjithë popullin (Isaian 42:1). Edhe kur vuajnë në mërgim ose në skllavëri, Perëndia është gjithmonë me popullin e Tij (krahasoje me Isaia 41:10).

Populli i Perëndisë është i ruajtur për shkak se Perëndia është i vendosur të marrë lavdi me shpëtimin e popullit të Tij. “Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban…” Këtu Isaia përdor idenë e çmimit të shpagimit, që ndonjëherë përdoret me termin “shpengim” (Isaia 42:1). Perëndia do të lëvizë historinë për hir të popullit të Tij. “Egjipti” nënkupton eksodin; largësia e Etiopisë dhe Sebës mund të tregojë se si Perëndia do të bëjë gjithçka që duhet dhe do të ndryshojë historinë e çdo kombi për shpëtimin e popullit të Tij.

Mateu 10:28-31

Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t'ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

Harabelat shiheshin rëndom si një prej krijesave më të vogla, dhe një aspër ishte një nga monedhat romake me më pak vlerë (krahasoje me Mateu 5:26). Pjesa “pa dashjen e Atit tuaj” na thotë se Perëndia është sovran edhe mbi gjërat më të parëndësishme. Duke qenë se Ati qiellor i mbikëqyr vazhdimisht në mënyrë sovrane edhe krijesat, që në dukje janë të parëndësishme, pa dyshim që Ai gjithashtu do të tregojë kujdes për dishepujt e Tij në misionin e tyre për të shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë.

Psalmi 56:3-4

Kur të kem frikë,
Do të mbështetem te ti.
Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij;
Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë.
Çfare mund të më bëjë njeriu?

Shumë njerëz e marrin këtë si vajtim personal, por ky mund të jetë gjithashtu një psalm falënderimi (paraprirës): përshkrimi i problemeve dhe lutja bëhen me mirënjohje për faktin se Perëndia i ka dëgjuar ato dhe do të veprojë (siç ka vepruar në të shkuarën). Këngëtari përshkruan rrethanat e tij dhe ngulit mendjen te përgjigjja e duhur. Situata mund të shihet si vazhdimësi e luftës dhe e sulmeve (Psalmi 65:1-2); ndërsa përgjigjja shihet në përtëritjen e besimit (Psalmi 65:3-4). Kjo ndihmon ata që e këndojnë këtë psalm që të përqendrohen te përgjigjja e duhur: kur ata kanë frikë, kundërhelmi është ky.

Psalmi 27:1

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?

Me këndimin e Psalmit 27, populli i Perëndisë ka një mënyrë se si jo vetëm të shfaqë siguri në Perëndinë, por dhe për ta kultivuar sigurinë gjatë situatave më të vështira në jetë. Psalmi përdor disa sinonime për “armiqtë” (Psalmi 27:2, 6, 11, 12), duke dhënë shembuj konkretë të një personi besnik, që është rrethuar prej atyre që duan ta shkatërrojnë me plane të këqija dhe gjakatare; ai që mund t’i besojë Perëndisë në ato rrethana, mund ta bëjë edhe në situata të tjera gjithashtu.

Termi “frikë” (Psalmi 27:1, 3) dhe “kam frikë” (Psalmi 27:1) bien në kontrast me “kam besim” (Psalmi 27:3): njeriu besnik duhet të mësojë të vendosë besimin e tij në mbrojtjen e përhershme të Perëndisë (“drita”, “shpëtimi”, “kështjella”, Psalmi 27:1); kjo do të jetë një siguri që do të rritet me përjetimet e çlirimit (siç thotë edhe Psalmi 27:2).

Romakëve 8:15-17

Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ''Aba, o Atë!'' Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe përlëvdohemi me të.

Të krishterët nuk janë më skllevër të mëkatit, por janë birësuar në familjen e Perëndisë si bij, siç vërtetohet edhe nga Fryma që dëshmon brenda tyre se Perëndia është Ati i tyre, dhe ata “bij” të Tij. Abba është fjala hebraike për “Atë”. Termi është përdorur nga Pali duke iu referuar Jezusit që e quajti Perëndinë Abba (Marku 14:36). Dëshmia e Frymës së Perëndisë i jep frymës së të krishterit sigurinë se ai apo ajo janë bij të Perëndisë.

2 e Korintasve 4:8-12

Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar; kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. Dhe kështu te ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.

Pali nuk ligështohet edhe pse ai vuan si apostull, (2 e Korintasve 4:16) sepse e njëjta fuqi që ngriti Jezusin prej së vdekuri i jep forcë të qëndrojë në shtrëngime (2 e Korintasve 4:7-12), ajo shfaq gjithashtu fuqinë e Perëndisë (2 e Korintasve 4:7, 11-12), dhe i jep një shenjë të sigurt se do të përjetojë ringjalljen në fund të kohërave (2 e Korintasve 4:16-18).

“Thesar”(v. 7) i referohet “njohurisë së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6) si përmbajtja e ungjillit (2 e Korintasve 4:4). “Enë prej balte” (v. 7) është një metaforë e zakonsme në lashtësi që përdorej për të simbolizuar dobësinë njerëzore (shiko Psalmin 31:12; Isaia 30:14). Ky varg rithekson temën kryesore te 2 e Korintasve siç shihet edhe te 2 e Korintasve 1:3-11 dhe 2 e Korintasve 2:14-17: Perëndia triumfon në mes të dobësive njerëzore, duke mishëruar parimin e kryqëzimit të Krishtit (krahaso me 1 e Korintasve 1:27; 2 e Korintasve 10:3; 2 e Korintasve 11:30; 2 e Korintasve 12:5, 9; 2 e Korintasve 13:4, 9).

Gjithë kohës Zoti ia dorëzonte Palin vdekjes, për hir të Jezusit, që fuqia e ringjalljes së Jezusit (e cila përjetohej në aftësinë e Palit për t’u rezistuar shtrëngimeve dhe në ndarjen e fuqishme të ungjillit pavarësisht kundërshtimeve) të mund të njihet në dobësinë e trupit të tij të vdekshëm (2 e Korintasve 4:7). Vuajtjet e Palit dhe durimi i tij kanë si qëllim shfaqjen e jetës së ringjallur te të krishterët, ndërsa ata mësojnë t’i besojnë Perëndisë midis shtrëngimeve.

2 e Timoteut 1:7

Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

Fjala “frikë”, në greqisht (deilia), në literaturën jokanonike (apokrifa), i referohet atij që ia mbath në betejë, dhe ka tendencë të frikësohet gjithnjë. Guximi është shenja e Frymës, jo frika (shiko Fjalët e Urta 28:1; Veprat e Apostujve 4:31).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-courage/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
I mëparshmi
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
Pasuesi

Autor


Postime të ngjashme

>