Shpresa

Korrik 2021                                       Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Shpresë që merr përgjigje

Si besimtarë, ne nuk e vendosim shpresën tonë më të madhe në këtë botë, por në atë që nuk duket. Ne besojmë dhe presim me shpresë që Perëndia të sjellë Mbretin dhe mbretërinë e premtuar. Inkurajohu nga këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Romakëve 5:2–5

Me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngime, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

Hiri në të cilin qëndrojmë, i referohet pozicionit të sigurt të qëndrimit të besimtarit (si bekim i shfajësimit), dhe shpresa e lavdisë i referohet premtimit se të krishterët do të lavdërohen dhe përsosen në ditën e fundit, një shpresë që çon në gëzim.

Populli i Perëndisë gëzohet jo vetëm në lavdinë e ardhshme, por në vuajtjet dhe sfidat e tanishme, jo sepse sfidat i gëzojnë, por sepse ata përjetojnë një transformim hap pas hapi që i bën më të ngjashëm me Krishtin.

Hebrenjve 10:23

Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.

Porosia e dytë e Hebrenjve 10:22-25 bën thirrje për një përqafim të patundur (shih Hebrenjve 3:6, 14) të rrëfimit të shpresës sonë, pra, aprovimin e kishës ndaj mësimeve që lidhen me Krishtin dhe punën e Tij (shih Hebrenjve 3:1; 4:14; krah. me 2 e Korintasve 9:13; 1 e Timoteut 6:12), mësime të cilat japin shpresë (Hebrenjve 6:18-20; 7:19). Shpresa e patundur në premtimet e Perëndisë (shih Hebrenjve 6:12-20), buron nga karakteri i besueshëm i Perëndisë (Hebrenjve 11:11).

1 e Pjetrit 1:3

Qoftë bekuar Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili sipas mëshirës së tij të shumtë na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish. 

Shpëtimin e kemi falë mëshirës, hirit dhe sovranitetit të Perëndisë, sepse Ai, në mënyrë të mrekullueshme, u dha mëkatarëve jetë të re (na rilindi, krah. me 1 e Pjetrit 1:23). Pjetri mund të jetë duke lidhur fjalën “rilindi” me faktin se ajo ndodh përmes ringjalljes së Krishtit, duke dhënë të kuptohet se rilindja u bë e mundur, sepse ata që besojnë në Krishtin, Perëndia i mendoi si të bashkuar me Të në ringjalljen e Tij (krah. me Romakëve 6:4; Efesianëve 1:19-20; 2:5-6; Kolosianëve 3:1). Ose ai po lidh ringjalljen me shpresën e gjallë të besimtarëve, meqenëse ajo shpresë vjen menjëherë pas ringjalljes. Në rastin e dytë, shpresa e të krishterëve është ringjallja e tyre e ardhshme. Besimtarët kanë një shpresë të patundur për të ardhmen, sepse ringjallja e Krishtit është siguri për ringjalljen e tyre të ardhshme.

Efesianëve 4:4–6

Është një trup dhe një Frymë, sikurse ju u thirrët në një shpresë të thirrjes suaj. Një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, përmes të gjithëve dhe në ju të gjithë. 

Ashtu si trupi njerëzor ka një frymë që i jep jetë, po ashtu edhe trupi i Krishtit, kisha, merr jetë nga Fryma e Shenjtë që i gjallëron të krishterët për jetën e përjetshme. “Në një shpresë”, të krishterët nuk kanë “shpresa” të ndara, por janë të thirrur së bashku për jetën e përjetshme, për të shijuar Perëndinë përjetësisht në lavdinë e ringjalljes. Ata janë gjithashtu të thirrur për të shprehur atë unitet në këtë anë të përjetësisë. Në lidhje me kishën si një trup, shih Romakëve 12:4-8; 1 e Korintasve 12:12-31.

“Një Zot” i referohet Jezu Krishtit. “Një besim” i referohet të vërtetave doktrinare që të krishterët rrëfejnë. “Një Frymë” (Efesianëve 4:4), “një Zot [Krishti]” (Efesianëve 4:5), dhe “një Perëndi dhe Atë” (Efesianëve 4:6) lidhen me formulën e Trinitetit. “Një pagëzim”, të krishterët nuk kanë rënë dakord për mënyrën e duhur të pagëzimit, që në fillimet e historisë së kishës së hershme. “Një pagëzim” këtu mund t’i referohet pagëzimit të të gjithë besimtarëve në një trup të vetëm (siç përshkruhet te 1 e Korintasve 12:13), që është rezultat i punës rigjeneruese të Frymës së Shenjtë kur dikush bëhet besimtar i vërtetë në Krishtin. Nëse kjo pikëpamje është e saktë, pagëzimi me ujë do të ishte një shenjë e jashtme e realitetit të brendshëm të besimtarit që është në Krishtin, si rezultat i punës rigjeneruese të Frymës së Shenjtë (krah. me Gjoni 3:5, 8; Titi 3:5). Prandaj ka një unitet të thellë frymërortë të gjithë besimtarëve të vërtetë që janë “në Krishtin” (shih Gjoni 17:21, 23), të themeluar në “një besim” në “një Zot”, pavarësisht ndryshimeve denominacionale. Të tjerë thonë se këtu bëhet fjalë për pagëzimin në ujë, por nuk bien dakord për mënyrën e duhur.

Romakëve 8:22 – 25

Sepse e dimë se deri tani mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytin e parë të Frymës, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me durim birërimin, shpengimin e trupit tonë. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që shihet nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë? Por nëse ne shpresojmë atë që s’e shohim, atëherë e presim me durim. 

Krijimi është personifikuar që të tregojë se edhe ai mezi pret ditën që shpëtimi, i cili tashmë ka nisur te bijtë e Perëndisë, do të bëhet i plotë. Populli i Perëndisë rënkon e pret gjithashtu për plotësimin e veprës shpëtuese. Këtu dallohet tensioni mes aspekteve “tashmë” dhe “ende jo” në teologjinë e Palit. Të krishterët i kanë tashmë frytet e para të Frymës, por ende presin ditën e fundit të birërimit, kur trupat e tyre do të jenë plotësisht të çliruar dhe do të ngrihen prej së vdekurish. Birërimi i tyre tashmë ka ndodhur ligjërisht (Romakëve 8:15), dhe tashmë shijojnë privilegjet e shumta të Tij, por këtu Pali përdor fjalën “birërim” duke iu referuar privilegjit të madh të marrjes së trupave të ringjallur.

1 e Korintasve 13:7

I duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë.

Foljet “i beson” dhe “i shpreson” janë vendosur midis “i duron” dhe “mban”, dhe si ato, edhe këto me shumë mundësi i referohen më shumë marrëdhënieve midis njerëzve sesa midis besimit dhe shpresës në Perëndinë. Dashuria beson më të mirën e të tjerëve dhe shpreson më të mirën për ta.

Marrëdhënia e besimit, e shpresës dhe e dashurisë është një temë e përsëritur shpesh në letrat e Palit. Shih Romakëve 5:1-5; Galatasve 5:5-6; Efesianëve 4:2-5; Kolosianëve 1:4-5; 1 e Thesalonikave 1:3; 5:8.

Psalmi 42:11

Pse ligështohesh, shpirti im,
pse rënkon përbrenda meje? 
Shpreso te Perëndia, 
sepse unë do ta kremtoj ende;
ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Psalmet 42-43 shkojnë së bashku si një këngë me tri strofa: kanë të përbashkët refrenin (Psalmi 42:5, 11; 43:5); Psalmi 43:2 është pothuajse njësoj me Psalmin 42:9; dhe të dy shprehin dëshirën për t'u rikthyer në praninë e Perëndisë në shenjtërore (Psalmi 42:2; Psalmi 43:3-4). Në këto psalme, këngëtari ankohet për rrethanat (në lidhje me armiqtë që përçmojnë Perëndinë dhe shtypin shërbëtorët besnikë), që nuk e lejojnë atë të adhurojë në shenjtëroren qendrore. Këndimi i kësaj pjese në adhurim të përbashkët, do të nxiste një ndjesi dëshire të zjarrtë dhe pritshmërie te besnikët, që ata të mësonin të merrnin pjesë në adhurim duke kërkuar praninë e Perëndisë, për të vajtuar për çdo rrethanë që nuk i lejon të marrin pjesë dhe për ta konsideruar pjesëmarrjen e tyre në adhurim si një dhuratë të madhe nga Perëndia (e patjetër, jo si një detyrë që rëndon!). Psalme të tjera që shprehin dëshirën e zjarrtë për Perëndinë përfshijnë Psalmin 63 dhe Psalmin 85.

Hebrenjve 6:17–20

Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë trashëgimtarëve të premtimit pandryshueshmërinë e vendimit të tij, ndërmjetësoi me betim, që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, të kemi ngushëllim të fortë ne, që kemi marrë strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara. Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur për shpirtin, e cila hyn deri në brendësinë e velit, ku ka hyrë Jezusi, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në përjetësi sipas rendit të Melkisedekut.

Dy gjërat e pandryshueshme janë premtimi/qëllimi i Perëndisë dhe betimi i Tij. Karakteri i Perëndisë është i shenjtë dhe Ai nuk gënjen. Kështu, shpallja e premtimit të Tij është e sigurt dhe dyfishohet kur bëhet bashkë me betimin e Tij. Kjo na inkurajon të mbahemi fort (shih Hebrenjve 4:14) te shpresa (Hebrenjve 3:6; Hebrenjve 6:11; Hebrenjve 7:19; Hebrenjve 10:23) e premtimeve të Perëndisë.

Shpresa e krishterë gjendet në personin dhe veprën shpëtuese të Krishtit (që këtu përshkruhet si kryeprift). Spiranca ishte një metaforë e përdorur shpesh për të treguar stabilitetin; shpresa sjell siguri dhe stabilitet për shpirtin. Është e qartë që edhe pse autori i paralajmëron lexuesit në lidhje me braktisjen e besimit (Hebrenjve 6:4-8), ai beson se ata mund të kenë sigurinë e shpëtimit.

1 e Korintasve 15:19

Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve. 

Prova se vdekja e Krishtit ishte një sakrificë e efektshme, zëvendësuese për mëkatet (1 e Korintasve 3; 11:24-25) qëndron në ringjalljen e Jezusit prej së vdekurish. (Shih gjithashtu Romakëve 4:25.) Nëse Jezusi nuk do të ishte ringjallur, atëherë vdekja e Tij nuk do të kishte paguar për mëkatet dhe nuk do të kishte shpresë për të jetuar me Perëndinë në qiell (shih 1 e Korintasve 15:18-19).

Edhe pse Pali besonte se ata që vdisnin shkonin me Perëndinë menjëherë pas vdekjes së tyre dhe para se të ringjalleshin (2 e Korintasve 5:8; Filipianëve 1:21, 23), po ashtu ai shpalli idenë e ekzistencës së përjetshme të besimtarit si një ekzistencë e mishëruar. Nëse nuk ka ekzistencë të tillë, atëherë nuk ka jetë të përjetshme.

2 e Korintasve 4:16–18

Prandaj nuk ligështohemi; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken, janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen, janë të përjetshme.

Më herët, vuajtja e Palit ishte një barrë shumë e rëndë për t’u mbajtur (greqisht “bareo”, 2 e Korintasve 1:8), por tani ishte e lehtë, një shtrëngim i përkohshëm në lidhje me peshën e amshueshme (greqisht “baros”) të lavdisë, me të cilën nuk ia vlen të krahasohet (shih Romakëve 8:18). Jo vetëm që shtrëngimi nuk do ta dëmtonte përgjithmonë, por ai po e përgatiste Palin për të marrë shpërblimin e madh të përjetshëm. Këtë përfitim nuk e sjell vetë shtrëngimi, por vjen vetëm kur ai shihet në dritën e perspektivës së përjetshme të Perëndisë, teksa i mbajmë sytë jo drejt gjërave të duken (pra, te vuajtjet e Palit dhe të gjitha mungesat e kohës së tashme), por te gjërat që nuk duken (te restaurimi i plotë i të gjitha gjërave në ringjalljen që do të vijë dhe në përmbushjen e sigurt të qëllimeve të Perëndisë për historinë). Ky kontrast ndërmjet kalimtares dhe të përjetshmes tregon se “e përjetshmja” (pra, që i përket apo karakterizohet nga “koha” [greqisht “aionios”] që do të vijë) nuk i referohet mungesës së kohës, por pafundësisë së saj.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-hope/ Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021| Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Shpresa

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin