perulesia

Shkurt 2021                                     Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Përule veten para Zotit

Krishti u bë shembulli më i lartë i përulësisë duke e nënshtruar veten ndaj jetës në tokë e pastaj ndaj vdekjes në kryq në vend të mëkatarëve. Si të krishterë, edhe ne jemi thirrur për të jetuar një jetë në përulësi. Inkurajohu nga Shkrimi me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Jakobi 4:6-10

Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.” Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!

Hiri i Perëndisë do të jepet për ata që përulen para Tij; Fjalët e Urta 3:34 (krahaso gjithashtu me Jakobi 4:10; 1 e Pjetrit 5:5). Fjalët “Perëndia u kundërvihet” nënkuptojnë se Ai kundërshton dhe dërgon gjykim, sepse krenarët kanë zgjedhur lavdërimin dhe mënyrat e kësaj bote duke vepruar kështu si armiq të Perëndisë (Jakobi 4:4).

E vetmja mënyrë për të kundërshtuar djallin është duke iu nënshtruar Perëndisë e duke u afruar tek Ai (krahaso me 1 e Korintasve 10:13). Kështu satani do të mposhtet e do të largohet ashtu siç bëri para Jezusit (Luka 4:13). “Pastrimi” në Besëlidhjen e Vjetër është term që i referohet pastërtisë së ritualeve (p.sh., priftërinjtë te legeni i bronztë, Eksodi 30:18) dhe pastërtisë etike. Të qeshurit tregon se sa lehtshëm e trajtonin mëkatin lexuesit e Jakobit. Në fakt, i vetmi qëndrim i drejtë përpara gjykimit të Perëndisë është të mbajturit zi, të qarët e pikëllimi, siç shihet shpesh në Besëlidhjen e Vjetër (p.sh., Isaia 15:2; 22:4; Jeremia 6:26).

E për t’u kthyer tek ajo që theksohet te Jakobi 4:6, i përuluri do të jetë Ai që Perëndia do të lartësojë (krahaso me Mateu 23:12; Luka 1:52; 14:11; 18:14; 1 e Pjetrit 5:6). Por, për aq kohë sa njerëzit do të zgjedhin të lartësojnë veten, Perëndia nuk do t’i lartësojë.

Filipianëve 2:3-8

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.

Ka gjithnjë një tundim për t`u bërë si kundërshtarët e Palit te Filipianëve 1:17, të cilët vepronin me një frymë ambicieje personale, duke menduar vetëm për interesin e vet. Një mendjemadhësi e tillë (“mburrje”) kundërshtohet duke i çmuar të tjerët më shumë se veten. Pali vë në dukje që në natyrën e vet secili kërkon interesat e veta. Çelësi është që, i njëjti nivel shqetësimi të zbatohet në interesat e të tjerëve. Një dashuri e tillë radikale është e rrallë, prandaj Pali e tregon natyrën e saj supreme në jetën e Krishtit (Filipianëve 2:5–11).

Shpeshherë ky pasazh referohet si “himni i Krishtit”. Pali përshkruan shembullin e shërbesës së Krishtit në një poezi nxitëse që prek paraekzistencën, mishërimin, vdekjen, ringjalljen dhe ngjitjen e Tij në të djathtë të Perëndisë. Pali e shkroi këtë teologji të mrekullueshme për t’i inkurajuar filipianët të mendonin më parë për interesat e të tjerëve. Jezusi është modeli i përparimit të vërtetë shpirtëror: jo një përpjekje vetëmunduese për superioritet, por një dashuri e thellë për Perëndinë dhe të afërmin që tregohet përmes të shërbyerit. Filipianëve 2:6–11 ka disa elemente të një strukture poetike, duke i shtyrë disa të besojnë se ky është një himn i shkruar para Palit, por i përshtatur prej tij. Megjithatë, ka po aq të ngjarë që vetë Pali ta ketë kompozuar këtë himn. Duke marrë parasysh pafundësinë e pyetjeve teologjike që ngrihen në këto vargje është e rëndësishme të kujtojmë dy gjëra: (1) këto vargje nuk u shkruan për të nxitur debatet teologjike midis të krishterëve por për t’i inkurajuar për përulësi dhe dashuri; dhe (2) përmbledhja e jetës dhe shërbesës së Krishtit që gjendet këtu nuk është unike: të njëjtat tematika janë të dukshme përgjatë gjithë Dhiatës së Re.

Para mishërimit, Krishti ishte në trajtën e Perëndisë (greqisht, morphe theou). Edhe pse disa studiues pohojnë të kundërtën, kjo pjesë me shumë mundësi i referohet “para-ekzistencës” së Krishtit – Ai, Biri i përjetshëm, ishte me Atin (Gjoni 1:1; 17:5, 24) para se të lindte në Betlehem. “Trajtë” këtu mund t’i referohet edhe Krishtit si imazhi i Perëndisë “vula e qenies së tij” (Hebrenjve 1:3). Mund t’i referohet gjithashtu edhe faktit se Ai është shfaqja e dukshme e lavdisë së padukshme të Perëndisë (Kolosianëve 1:15).

Është e mrekullueshme që Jezusi nuk mendonte se të qenët “barabar me Perëndisë” (barazi që Ai e kishte) duhet të nxiste Atë të ruante privilegjet e Tij me çdo kusht. Nuk ishte diçka që Ai duhet ta mbante apo ta shfrytëzonte për interesat e veta. Në fakt, mendësia e Tij ishte ajo e të shërbyerit. “Krishti nuk i pëlqeu vetes” (Romakëve 15:3). Në përulësi, Ai e llogariti interesin e të tjerëve më të rëndësishëm se të vetin (Filipianëve 2:3–4).

2 e kronikave 7:13-15

Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t'i dërgoj murtajën popullit tim,  në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t'i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij. Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend.

Mbi të gjitha, qëllimi i Perëndisë është të falë popullin e Tij të penduar dhe të shërojë vendin e tyre. Fjalori specifik i këtij vargu (përulet, lutet, kërkon, kthehet) përshkruan disa aspekte të një pendese të vërtetë dhe rishfaqet përgjatë 2 e Kronikave kapitujt 10–36. Shprehja “do ta shërojë vendin e tij” përfshin çlirim nga thatësira dhe murtaja, si dhe rikthimin e të mërguarve në shtëpinë e tyre (2 e Kronikave 6:38). Për kronikasin, kjo përfshin dhe rivendosjen e popullit në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Krahaso me Jeremia 25:5; Jeremia 26:3.

Kjo ftesë për lutje dhe pendim (2 e Kronikave 7:14) vuloset me sigurinë fortë të pranisë dhe vëmendjes së Perëndisë në tempull.

mateu 23:2-12

Duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjerojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre. Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit. Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti. Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.

Ulja nëpër banketet e të ftuarve bëhej në bazë të statusit të tyre. Gërmimet e bëra në sinagogat e hershme galilease tregojnë se përgjatë anëve të sinagogës ndërtoheshin stola. Në çdo takim disa vende (karrige) shihen si më të mira se të tjerat.

Rabi (hebraisht rabbi) fjalë për fjalë do të thotë “imzot,” por zakonisht përdorej për mësues të mëdhenj të ligjit, në pjesën më të madhe të rasteve udhëheqësve të shkollave rabinike.

Dishepujt e Jezusit nuk duhet të përpiqen të fitojnë autoritet mbi njëri-tjetrin si mësues apo udhëheqës, sepse vetë Jezusi është mësuesi dhe udhëheqësi i secilit dishepull (vetëm një është mësuesi juaj… vetëm një udhëheqësi), të cilit dishepulli i jep llogari. Jezusi nuk na ndalon të përdorim titujt “mësues,” “doktor,” ose “atë” në çdo rrethanë, por Ai i ndalon dishepujt të përdorin këto terma në mënyrën që e përdornin farisenjtë, në një frymë që lartëson në mënyrë të gabuar drejtuesit dhe përforcon krenarinë njerëzore.

i e pjetrit 5:6

Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur

Në vuajtjet e tyre, populli i Perëndisë duhet t’i dorëzohet plotësisht Atij, duke iu nënshtruar drejtimeve të Tij të mençura për jetën e tyre. Fjalët në dorën e fuqishme të Perëndisë na sjellin në mendje eksodin, ku Zoti çliroi Izraelin nga Egjipti “me një dorë të fuqishme” (p.sh., Eksodi 3:19; 32:11; Ligji i Përtërirë 4:34; 5:15; Danieli 9:15). Ata që vuajnë mund të jenë të sigurt se dita e përuljes dhe vuajtjes nuk do të zgjasë përgjithmonë. Qoftë në këtë jetë, apo në ditën e fundit, Perëndia, në kohën e duhur do të lartësojë popullin e Tij.

2 e korintasve 8:9

Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.

Të dhënët ndaj Zotit duhet të jetë në mënyrë vullnetare, jo e detyrueshme. Kur dhënia është vullnetare, ajo sjell shumë bekime (krahaso me 2 e Korintasve 9:5–8). Kjo i referohet statusit paraekzistues të Krishtit si Biri i përjetshëm i Perëndisë në qiell (Gjoni 1:1–3; Galatasve 4:4; Filipianëve 2:6) dhe përulësisë së mishërimit të Tij, përfshirë këtu edhe vdekjen (Romakëve 15:3; Filipianëve 2:7–8), që besimtarët të bëhen të pasur (me shpëtimin dhe gjithë të mirat që rrjedhin prej Tij). Ajo që Krishti ka bërë për korintasit duhet reflektuar në atë që ata bëjnë për të tjerët.

ligji i përtërirë 8:2-3

Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këto dyzet vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe nëse do të respektoje apo jo urdhërimet e tij. Kështu, pra, ai të bëri të ulësh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me mana që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s'e kishin njohur kurrë, me qëllim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.

Kujto është fjalë kyç në këtë kapitull (gjithashtu te Ligji i Përtërirë 8:18), bashkë me antonimin e vet “harro”: Ligji i Përtërirë 8:11, 14, 19. Të kujtuarit tregohet në bindje. Sprova e shkretëtirës duhet të shfaqte gjendjen e zemrës së Izraelit. Kjo nuk nënkupton që Perëndia nuk e njihte zemrën e tyre, por Ai dëshironte që zemra e Izraelit të jepte provën e bindjes. Mana fjalë për fjalë do të thotë: “Çfarë është kjo?” (Eksodi 16:15); ajo nuk ishte në pëlqimet e tyre (Numrat 11:6; Numrat 21:5). Sprova gjithashtu duhet t’i mësonte Izraelit që njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por nga çdo fjalë që del nga goja e ZOTIT. Jeta e vërtetë rrjedh nga Perëndia dhe besimi në fjalën e Tij (“fjalë” mund të përkthehet edhe “gjë e folur”; shih gjithashtu shënimet e ESV). Ky ishte mësimi që Izraeli duhet të merrte në zemrën e vet (Ligji i Përtërirë), nëse donte të kalonte sprovën në tokë (p.sh., Ligji i Përtërirë 8:17). Ky është i pari nga tre vargjet e Ligjit të Përtërirë që Jezusi citon kur tundohet, duke konfirmuar besnikërinë e Tij ndaj Perëndisë (Mateu 4:4; Luka 4:4; shih gjithashtu Ligji i Përtërirë 6:13, 16).

romakëve 3:23-24

Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.

Askush nuk mund të pretendojë për këtë drejtësi në bazë të bindjes së vet, sepse të gjithë njerëzit kanë mëkatuar dhe nuk arrijnë të plotësojnë atë që Perëndia kërkon (shih Romakëve 1:21). Ja përse, të gjithë janë shfajësuar (deklaruar jofajtor, por të drejtësuar përmes Gjykatësit hyjnor) vetëm përmes hirit të Perëndisë (favor i pamerituar). Fjala shpengim vjen nga eksodi i Besëlidhjes së Vjetër dhe nga gjaku i gjengjit të Pashkës (shih Eksodi 12–15), me anë të të cilit Zoti çliroi Izraelin nga Egjipti; në të njëjtën kohë eksodi drejton për te shpengimi i madh që Jezusi siguroi për popullin e Tij përmes gjakut të Tij duke i falur për mëkatet e tyre përmes vdekjes së Tij në kryq (krahaso me Efesianëve 1:7; Kolosianëve 1:14).

kolosianëve 3:12-13

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

Vishuni me virtytet e Krishtit. Pali i thërret kolosianët të jetojnë në shenjtëri, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë thirrur nga Perëndia dhe qëndrojnë para Tij si të shenjtët e Tij të dashur. Ata duhet të jetojnë në përputhje me atë që janë në Krishtin.

Toleranca është një virtyt në komunitetin e krishterë, megjithatë Pali e bën të qartë se ai nuk do që kolosianët të tolerojnë mësimet e rreme. Kur trajtohen keq apo kur i tradhëtojnë, të krishterët janë thirrur të falin, ashtu si Krishti i ka falur për tradhtinë e tyre ndaj Tij. Shih Mateu 6:12, Mateu 6:14–15; Mateu 18:21–22.

jeremia 9:23-24

Kështu thotë Zoti: "I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra", thotë Zoti.

Njeriu vërtetë i ditur mëson atë që Perëndia i jep; ai e di përse Juda do të bjerë, do të pikëllohet dhe do të përulet nga ky fakt; prandaj nuk do të lavdërohet me diturinë e tij. Të njohësh Perëndinë do të thotë të njohësh mirësinë (besnikëria e besëlidhjes), të drejtën (gjykimi i drejtë) dhe drejtësinë e Tij (sjellja e drejtë, sidomos mbajtja e premtimeve). Shih Eksodi 34:6–7; Psalmi 103:8; Joeli 2:12–14; Jona 3:9–4:2. Pali aplikoi paralajmërimin “ai që mburret le të mburret në Zotin,” bazuar në këtë tekst, tek të krishterët në Korint (1 e Korintasve 1:31; 2 e Korintasve 10:17).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-humility/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin