imazhi falja

Mars 2022                                           Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Pendohu dhe beso

Bibla jep këshilla specifike se çfarë duhet të bëjmë kur pranojmë mëkatin tonë dhe kemi nevojë për shpëtim: shko te Zoti dhe kërko falje. U inkurajofsh nga Fjala e Perëndisë me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Numrat 14:18

Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë deri në brezin e tretë ose të katërt.

Moisiu këtu lutet njësoj si pas ndërtimit të viçit të artë (Eksodi 32), duke vepruar si ndërmjetës i besëlidhjes, siç ndodh shpesh gjatë Pentatukut (Numrat 12:3-4). Ai vë në dukje se, nëse Perëndia do të përmbushte paralajmërimin e Tij për asgjësimin e Izraelit, kombet do të thoshin se ZOTI nuk ishte në gjendje ta sillte këtë popull në tokën e premtuar (Eksodi 32:12). Ai i kujton Perëndisë që i kishte premtuar Abrahamit se pasardhësit e tij do të trashëgonin tokën (Eksodi 32:13), dhe së fundi citon përshkrimin e vetë Perëndisë për karakterin e Tij, për t’i provuar se Ai duhet të falë (Eksodi 34:6-7; Numrat 14:18-19).

Psalmi 103:10-12

Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai i ka larguar nga ne fajet tona.

Termat mëkate, faje (v. 10) dhe shkelje (v. 12) janë ato që Perëndia fal tek Eksodi 34:7. Njësoj si mirësia e tij (Psalmi 103:11) dhe tregimi i mëshirës (v.13; kjo fjalë lidhet me fjalën i mëshirshëm në v. 8), tregojnë se ky është një zbatim i Eksodit 34:6-7.

Psalmi 51:1-2

Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke, fshiji të ligat që kam bërë. Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im.

Psalmi nis me një apel për falje ndaj Perëndisë. Termat mëshirë dhe mirësi, ashtu si shkelje, faje, dhe mëkat, të gjitha na rikujtojnë shpalljen që Perëndia i bën vetë emrit të Tij (Eksodi 34:6-7), duke u përqendruar në hirin dhe mirësinë e Tij. Përgjërimi për mëshirë është i përulur në këtë psalm, bazohet plotësisht në mëshirën e Perëndisë, ku këngëtari pranon me sinqeritet se nuk e meriton atë. Termat laj (Eksodi 19:10) dhe pastroj (Numrat 19:19) vijnë nga një sistem ceremonial, në të cilin ato i referohen riteve që i mundësojnë një personi të shkojë i sigurt në prezencën e Perëndisë. Psalmi i referohet gjendjes së brendshme që synon ceremonia.

Mateu 6:9-15

Ju pra, lutuni kështu: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu.

Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.

“Na i fal fajet tona” (kërkesa e pestë në lutje) nuk do të thotë se çdo ditë besimtarët duhet të kërkojnë të bëhen të drejtë, duke qenë se besimtarët u bënë të drejtë në përjetësi që nga çasti i parë i besimit shpëtues (Romakëve 5:1, 9; 8:1; 10:10). Në fakt, kjo është një lutje për restaurim të miqësisë me Perëndinë, kur kjo pengohet nga mëkati (krahaso me Efesianëve 4:30). Ata që kanë marrë këtë falje janë kaq të prekur nga mirënjohja ndaj Perëndisë, saqë me të njëjtën dëshirë falin edhe ata që janë borxhli ndaj tyre.

Veprat e Apostujve 2:38-39

Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezus Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”

Kjo nuk nënkupton se njerëzit mund të shpëtohen pa besuar në Krishtin si Shpëtimtar, sepse  nevoja për të besuar nënkuptohet si në urdhërimin për t’u “penduar”, ashtu dhe në urdhërimin për t’u “ pagëzuar në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve”. Gatishmëria për t’iu nënshtruar pagëzimit është një shprehje e jashtme e besimit të brendshëm në Krishtin (1 e Pjetrit 3:21). Ungjilli mund të përmblidhet në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë përmendet vetëm besimi si e vetmja gjë e nevojshme për shpëtim (shiko Gjoni 3:16; Veprat 16:31; Romakëve 10:9; Efesianëve 2:8-9), herë të tjera vetëm pendimi (Luka 24:47; Veprat 3:19; 5:31; 17:30; 2 e Korintasve 7:10), dhe në disa raste përmenden së bashku (Veprat 20:21). Besimi i vërtetë gjithmonë përmban pendim dhe anasjellas. Pendimi është ndryshimi në mënyrën e të menduarit që mundëson besimin në Perëndinë (d.m.th. të kesh besim). Dhurata e Frymës së Shenjtë nuk nënkupton një “dhunti” specifike shpirtërore si ato që përmenden te 1 e Korintasve 12-14, por është dhurata e vetë Frymës që vjen të banojë brenda besimtarit.

1 e Gjonit 1:7-10

Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njëri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

Të krishterët duhet të rrëfejnë mëkatet (e tyre), fillimisht për të marrë shpëtimin dhe pastaj për të ruajtur marrëdhënien me Zotin dhe me njëri-tjetrin (v.3). Perëndia është “i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin” (Numrat 14:18). Prapëseprapë, Gjoni e bën të qartë (1 e Gjonit 3:6, 9) se mëkati i vazhdueshëm pa u penduar nuk është shenja e një të krishteri. Zoti “nuk lë pa ndëshkuar fajtorin” (Numrat 14:18).

Hebrenjve 9:22

Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.

Në ligjin e Moisiut, pastrimi i parë i njerëzve të Perëndisë dhe shenjtërores së Tij kërkonte gjakun e sakrificës (v. 18-21) dhe këto sakrifica kërkoheshin në ligj për njerëzit e Perëndisë (p.sh. v. 7; 10:1-4). Arsyeja është sepse mëkati ka nevojë për sakrificën e gjakut shlyes (Levitiku 17:11). Sakrificat e Dhiatës së Vjetër u dhanë nga Perëndia si lloje të sakrificës së Krishtit, që do të ishte më e madhe dhe më e përsosur.

Psalmi 32:1-7

Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin! Lum ai njeri të cilin ZOTI nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi. Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën. Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia ZOTIT”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. Prandaj çdo njeri i perëndishëm do të të thërrasë në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai. Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi.

Termat “shkelje”, “falur”, “mëkat” dhe “faje” janë jehona e Eksodit 34:6-7, ku gjejmë shprehjen thelbësore të mirësisë dhe mëshirës së Perëndisë kundrejt atyre që janë në besëlidhje me Të. Askush nuk duhet ta detyrojë Perëndinë të tregojë mëshirë. Në fakt, besnikët i rrëfejnë mëkatet e tyre, sepse besojnë se Ai është i mëshirshëm. Vër re si shfaqen disa fjalë në modelin e pasqyrës, duke lidhur të pestë vargjet së bashku: “falur...mbuluar (Psalmi 32:1)...fsheha...ke falur...(v.5).” Ka një ndryshim në këtë lloj mbulimi: kur Perëndia “mbulon” mëkatin, në hirin e Tij, Ai e zhduk (Psalmi 85:2); kur njeriu “mbulon” mëkatin e tij, ai po e fsheh në mënyrë mëkatare (Fjalët e Urta 28:13).

Këto vargje mbështesin temën që vetëm të falurit janë vërtet të lumtur. Ato rrëfejnë për kohën kur ndërsa po heshtja, pra, kur këngëtari nuk pranoi të rrëfente mëkatet e tij për të marrë falje nga Perëndia për to. Humbja e fuqive në vargjet 3-4 është në fakt mëshirë; është dora e Perëndisë... që peshon mbi besnikët e Tij, për t’i sjellë në pikën e rrëfimit. Kur arriti në këtë pikë, këngëtari kuptoi mëkatin e tij, dhe Perëndia e fali paudhësinë e mëkatit të tij. Kjo e sjell psalmin edhe njëherë në vargun e parë, ku këngëtari ka mësuar sa i lumtur është ai, të cilit i janë falur mëkatet.

Mateu 18:21-22

Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, nëse vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?” Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.”

Në judaizëm, tri të falura mjaftonin për të treguar një shpirt falës (bazuar te Jobi 33:29, 30; Amosi 1:3; 2:6), megjithatë (me shtatë), Pjetri mendon se po tregohej bujar. Megjithatë, dishepujt e Jezusit duhet të falin pa mbajtur llogari (shtatëdhjetë herë shtatë). Ndoshta kjo jehon dhe përmbys mburrjen e hakmarrjes së Lamekut te Zanafilla 4:24.

Luka 23:34

Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.”

Jezusi përmbush mësimet e Tij për të dashur armiqtë (shiko Luka 6:35) dhe thekson faktin se vdekja e Tij po mundësonte themelin mbi të cilin ata që e kryqëzuan mund të merrnin falje (Isaia 53:12). Kështu Jezusi jep një shembull për të gjithë besimtarët që e ndjekin (shiko Veprat 7:60; 1 e Pjetrit 2:21-24). “Nuk dinë se ç’bëjnë” nuk heq as përgjegjësinë e judenjve as të romakëve për vdekjen e Jezusit, por tregon se ata nuk e kuptonin plotësisht të keqen e tmerrshme që po kryenin në kryqëzimin e “Të Shenjtit, Të Drejtit” (Veprat 3:14) që ishte edhe Mesia i vërtetë edhe Biri i Perëndisë.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-forgiveness/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina, Linea Simeon

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaCrossway, Falja

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>