key verses dashuria

Shkurt 2022                                        Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Çfarë është dashuria?

Pamja biblike e dashurisë mund të ndryshojë tërësisht nga mënyra se si e përcakton bota. Kupto më shumë dhe inkurajohu nga këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

1 e Korintasve 13:4-8 

Dashuria është zemërgjerë; plot mirësi; dashuria nuk ka zili, nuk krekoset, nuk fryhet, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk llogarit të keqen; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk bie poshtë kurrë; por profecitë do të shuhen, gjuhët do të pushojnë dhe njohuria do të shuhet.

Termat beson dhe shpreson janë vendosur midis duron dhe mban, e ashtu si to, me shumë mundësi, i referohen marrëdhënieve midis njerëzve, më shumë se besimit dhe shpresës në Perëndinë. Dashuria beson dhe shpreson më të mirën për të tjerët.

Dashuria nuk bie poshtë kurrë; por profecitë do të shuhen, gjuhët do të pushojnë dhe njohuria do të shuhet. Interpretuesit kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me kohën kur Pali pret që profecitë do të shuhen dhe gjuhët do të pushojnë (bashkë me dhuntitë e tjera që përfaqësohen me këto shembuj). Pikëpamja e “pushimit” vjen sepse dhuntitë e mrekullueshme si profecitë, shërimet, gjuhët, interpretimet dhe mrekullitë ishin dhënë për të vërtetuar thirrjen e apostujve dhe shkrimet e tyre në vitet e para të kishës, por këto dhunti “pushuan” pasi u shkrua e gjithë Dhiata e Re dhe pasi vdiqën apostujt (rreth vitit 100 pas Krishtit). Të tjerë besojnë se Pali priste që këto dhunti do të vazhdonin deri në kthimin e Krishtit dhe kjo do të ishte koha kur “përsosmëria” (1 e Korintasve 13:10) e të folurit dhe e njohjes në epokën që do të vijë, do të zëvendësojnë “pjesërisht” dhuntitë e (1 e Korintasve 13:9) kësaj epoke. Mbështetja e mendimit të dytë gjendet te 1 e Korintasve 13:12, që tregon se “atëherë” (koha kur dhuntitë do të pushojnë) është koha e kthimit të Krishtit.

Efesianëve 5:25-27

Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.

Pali kthehet te detyra e burrave. Ai nuk e urdhëron burrin t’i nënshtrohet gruas, por i tregon atij se duhet ta japë veten për të. Kështu, burrat duhet t’i duan gratë e tyre, në mënyrë vetësakrifikuese, duke ndjekur shembullin e Krishtit, i cili “e ka dhënë veten e tij” për kishën, në dashuri vetëmohuese. Qartësisht, pamja biblike e një burri që jep jetën për gruan, çon në drejtimin e kundërt të çdo tiranie apo shtypjeje mashkullore. Burri lidhet nga dashuria për t’u siguruar se për gruan e tij, martesa e tyre është një burim përmbushjeje e plotë dhe shërbesë e gëzueshme ndaj Zotit. Siç vihet re, Pali i kushton tri herë më shumë hapësirë detyrave të burrit (nëntë vargje), sesa atyre të gruas (tre vargje).

Fokusi në këto vargje është te Krishti, sepse burrat nuk “shenjtërojnë” apo “lajnë” gratë e tyre nga mëkatet, edhe pse duhet të bëjnë gjithçka munden për të ndihmuar në shenjtërimin e tyre. Shenjtërimi këtu nënkupton dedikimin në shërbesën e Zotit përmes pastrimit. larjen e ujit. Kjo mund t’i referohet pagëzimit, meqenëse është e zakontë në Bibël të flitet për gjërat shpirtërore, që nuk shihen (në këtë rast, pastrimi shpirtëror) duke iu drejtuar një shenje të jashtme fizike të tyre (shih Romakëve 6:3-4). Mund të ekzistojë një lidhje edhe me Ezekielin 16:1-13, ku Zoti lan foshnjën Izrael, e rrit atë, e ngre në mbretërim dhe pastaj martohet me të, që do të korrespondonte me prezantimin e kishës para Tij në lavdi në darkën e dasmës së Tij (shih gjithashtu Ezekieli 36:25; Zbulesa 19:7-9; 21:2, 9-11). Shenjtëria e plotë dhe përsosja morale e kishës do të ndodhë në lavdinë e ringjalljes, por vjen nga sakrifica shenjtëruese e Krishtit në kryq.

Efesianëve 4:1-3

Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht ndaj thirrjes që u thirrët, me gjithë përulësinë e zemërbutësinë, me zemërgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.

Pali shpjegon thirrjen dhe shërbesën e tij si apostull te johebrenjtë. Kjo u bë për t’i siguruar lexuesve johebrenj, se pjesa e tyre e trashëgimisë është autentike, për shkak të origjinës së saj hyjnore. Pali vuajti burgosjen ose izolimin, disa herë gjatë shërbesës së Krishtit (Efesianëve 4:1; Veprat 16:23; 24:23; Kolosianëve 4:10; 2 e Timoteut 1:8; Filemoni 1).

Pali ishte apostull, mësues dhe predikues për johebrenjtë (1 e Timoteut 2:7; 2 e Timoteut 1:11), prandaj vuajtjet që ai përjetoi gjatë shërbesës së tij, u bënë për hir të tyre (2 e Korintasve 6:5; 11:23). Pali mund të mos i kishte njohur të konvertuarit e fundit në Efes, sidomos në fshatrat periferikë, edhe pse kishte kaluar tri vite atje (Veprat 20:31). Ky mister tashmë është zbuluar: Krishti ka ardhur të bashkojë hebrenjtë dhe johebrenjtë në një trup përmes ungjillit, për të cilin Pali sapo kishte shkruar shkurtimisht (shih paralelet me Efesianëve 1:9, 17). Krishti ia shfaqi këtë mister Palit përmes një zbulese në rrugën për në Damask (Veprat 9:1-7) dhe më plotësisht në raste të tjera (krahaso me Veprat 22:17-21; 2 e Korintasve 12: 1-7; Galatasve 1:12; 2:2).

Kënga e këngëve 8:6-7

Më vër si një vulë mbi zemrën tënde,
si një vulë mbi krahun tënd;
sepse dashuria është e fortë si vdekja,
xhelozia është e ashpër si Sheoli.
Flakët e saj janë flakë zjarri,
një flakë që përvëlon.
Ujërat e mëdha nuk do të
mund ta shuajnë dashurinë,
as lumenjtë ta përmbytin.
Në rast se dikush do të jepte
tërë pasuritë e shtëpisë së tij
në këmbim të dashurisë,
do të përbuzej me siguri.

Një vulë mund të jetë një stampë ose cilindër (kjo e fundit më pak e zakonshme) dhe mund të qëndrojë te një person me anë të një lidhëse (duke e varur në qafë ose krah), ose duke e vënë si unazë. Ushtrohej presion në argjilë për të krijuar një imazh ose një nënshkrim që shënonte pronësinë e një objekti. Dashuria, ashtu si dhe vdekja, është këmbëngulëse në mënyrë të pareshtur dhe e përmbush gjithmonë qëllimin e vet. Këtu xhelozia (që paralelizohet me “dashuria” në vargun paraardhës), është një përkushtim i plotë dhe jo një ambicie egoiste; vetëm një përkushtim i tillë mund të përshkruajë siç duhet marrëdhënien me Perëndinë dhe me bashkëshortin/ten.

Këtu përmendet për të vetmen herë emri hyjnor në të gjithë Këngët e Solomonit, por përshtatet në një libër urtësie të besëlidhjes. Kjo deklaratë tregon se edhe dashuria, edhe xhelozia për të mbrojtur martesën, janë dhënë nga Perëndia. Imazhi i ujërave të mëdha që nuk mund ta mbytin dashurinë është vazhdimi i imazhit të dashurisë si zjarr te Kënga i Këngëve 8:6; lumenjtë që nuk janë në gjendje ta mbysin (ose “përmbytin”; krahaso me Isaia 43:2) janë një imazh tjetër.

Fjalët e Urta 3:3-4

Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë;
lidhi rreth qafës,
shkruaji mbi rrasën e zemrës sate;
do të gjesh kështu hir dhe arsye
në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. 

Këto terma janë përdorur së bashku në vetëdeklarimin e Perëndisë drejtuar Moisiut për karakterin e tij në marrëdhënien e besëlidhjes (Eksodi 34:6, “i pasur në mirësi dhe në besnikëri”). Nën dritën e këtyre apeleve për të besuar (Fjalët e Urta 3:5), për të pasur frikën (Fjalët e Urta 3:7) dhe për të nderuar (Fjalët e Urta 3:9) Zotin, thirrja për t’i lidhur rreth qafës dhe për t’i shkruar mbi rrasën e zemrës, këtu kuptohet më së miri si inkurajim për të jetuar me besnikëri ndaj besëlidhjes (shih gjithashtu Fjalët e Urta 14:22; Fjalët e Urta 16:6; Fjalët e Urta 20:28) duke i vënë veshin me besnikëri udhëzimeve prindërore (krahaso me Psalmin 25:10).

1 e Gjonit 4:16-21  

Dhe ne kemi njohur dhe kemi besuar dashurinë, që Perëndia ka ndaj nesh. Perëndia është dashuri; dhe ai, që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Në këtë u përsos dashuria me ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, jemi edhe ne në këtë botë. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari. Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë, të cilin nuk e ka parë? Dhe këtë urdhërim kemi nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e tij.

Siguria e shpëtimit, duke mos qenë kurrë një supozim arrogant, mund të bëhet një gjendje e qëndrueshme e mendjes dhe e zemrës. “Në këtë” i referohet vargut të mëparshëm, ku Gjoni flet për besimtarët që qëndrojnë në Perëndinë dhe Perëndia në ta.

Njerëzimin e pret jeta e përjetshme ose ndëshkimi i përjetshëm (shih Gjoni 3:36), dhe dashuria e Perëndisë ushqen një shpresë të sigurt për ata që kanë besuar në Të. Sepse sikurse është Ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë; ashtu si Biri ishte dhe është i pranishëm në botë me një shprehje dashurie që në asnjë mënyrë nuk nxiti mospëlqim hyjnor, po kështu janë edhe ndjekësit e Birit. Dashuria që Krishti mishëroi dhe jetoi midis besimtarëve, është siguria e tyre në ditën e gjykimit.

Në dashuri nuk ka frikë, kjo nuk përjashton praninë dhe efektin dobiprurës të “frikës së Zotit” që është “fillimi i njohjes” (Fjalët e Urta 1:7). Këtu Gjoni flet për frikën e gjykimit të fundit (krahaso me 1 e Gjonit 4:17). Dashuria e përsosur e Perëndisë për besimtarët nxjerr jashtë frikën e zemërimit dhe ndëshkimit të përjetshëm.

Dashuria e krishterë është një dhuratë nga Perëndia, e shfaqur në mënyrë supreme në kryq (shih Romakëve 5:8). Dashuria e Perëndisë merr gjithmonë iniciativën dhe dashuria e të krishterëve është përgjigje e asaj dashurie. Po ashtu, të gjitha veprimet e mira morale njerëzore janë të mira, jo sepse përmbushin ndonjë standard rastësor njerëzor të së mirës, por sepse ato janë rrënjosur në imitimin e karakterit të përsosur moral të Perëndisë dhe përmbushin urdhërimet e Perëndisë.

1 e Pjetrit 4:8

Dhe të keni, para së gjithash, një dashuri të fortë për njëri-tjetrin, sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh”.

Dashuria e durueshme për të tjerët dëshmon se një person po jeton nën dritën e së ardhmes. Dashuria e vërtetë mbulon një shumicë të mëkateve të njerëzve të tjerë (Fjalët e Urta 10:12). Kur dashuria tepron, shkeljet shpeshherë anashkalohen dhe harrohen shpejt. Mikpritja shumë e admiruar edhe në kulturën greko-romake, edhe atë judaike (krahaso me 1 e Timoteut 3:2; Titit 1:8), ishte shumë e nevojshme në një kohë ku bujtinat mund të ishin të rrezikshme dhe të pakëndshme.

Kolosianëve 3:12-14

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi, zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ka ankesë kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë

Pali u bën thirrje kolosianëve të bëjnë një jetë të shenjtë, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para Tij si të shenjtët e Tij. Ata duhet të jetojnë në përmbushje të asaj që janë në Krishtin.

Toleranca është një virtyt në komunitetin e krishterë, edhe pse Pali qartësisht nuk do që kolosianët të tolerojnë mësimet e rreme. Kur i trajtojnë keq ose i tradhtojnë, të krishterët janë thirrur të falin, ashtu siç kanë marrë faljen për tradhtinë e tyre ndaj Krishtit. Shih Mateu 6:12, 14-15; 18:21-22. Mbi të gjitha, të krishterët janë thirrur për ta dashur njëri-tjetrin (shih 1 e Korintasve 13). “Që është lidhja...”, mund të sugjerojë që dashuria bashkon të gjitha virtytet.

Romakëve 13:8

Mos kini asnjë detyrim askujt, përveçse ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin ka përmbushur ligjin

Romakëve 13:8-10, fokusohet në marrëdhënien e të krishterit me ligjin e Moisiut. Mos i kini asnjë detyrim askujt lidhet me Romakëve 13:7. Urdhërimi nuk ndalon çdo marrje hua, por nënkupton se çdokush duhet të “paguajë atë që detyrohet”, duke përmbushur çfarëdo marrëveshje pagese që është caktuar. Detyrimi që askush nuk ndalon kurrë së paguari është thirrja për të dashur njëri-tjetrin. Në të vërtetë, dashuria përmbush atë që ligji i Moisiut kërkon.

Hebrenjve 10:24-25

Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet

Thirrja e tretë dhe e fundit te Hebrenjve 10:22-25 kërkon të menduarit serioz rreth të krishterëve të tjerë, me qëllim për t’i nxitur (ose “provokuar”) ata në dashurinë dhe shërbesën e tyre (veprat e mira). Këmbëngulja e krishterë bëhet kështu edhe një përpjekje për komunitetin. Inkurajimi i komunitetit drejt këmbënguljes, kërkon të qëndruarit së bashku. Fakti që disa po e neglizhonin këtë detyrë, mund të ketë qenë ndër motivet e paralajmërimeve të autorit përgjatë këtij libri. Shpallja e nxitjeve u bë me qëllimin e forcimit të besimit të njëri-tjetrit (shih Hebrenjve 3:13; krahaso me Hebrenjve 13:22).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-love/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaCrossway, Dashuria

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin