key verses envy

 Korrik 2022                                        Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Eksodi 20:17

Mos dëshiro shtëpinë e të afërmit tënd; mos dëshiro gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as ndonjë gjë tjetër që është e të afërmit tënd.

Ndërsa katër urdhërimet e mëparshme fokusohen në veprimet e bëra apo fjalët e thëna (Eksodi 20:13-16), urdhërimi i dhjetë paralajmëron që të mos e lejojmë zemrën të dëshirojë… asgjë që është e të afërmit tonë. Kur personi dëshiron diçka, ai e lejon dëshirën të qeverisë marrëdhënien e tij me njerëzit e tjerë; dhe kjo mund të bëhet motiv për vrasje, për vjedhje apo për gënjeshtër, për të arritur gjënë e dëshiruar apo për të mos lejuar dikë tjetër ta marrë. Për shkak se dëshirimi vendos vlerën e diçkaje mbi besimin dhe mbi bindjen ndaj Zotit si sigurues, është gjithashtu shkelje e urdhërimit të parë, të cilin apostulli Pal e qartëson kur i referohet dëshirimit si idhujtari (Efesianëve 5:5; Kolosianëve 3:5).

Psalmi 37:1-3

Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij;
mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, 
sepse ata shpejt do të kositen si bari 
dhe do të thahen si bari i blertë. 
Ki besim te Zoti dhe bëj të mirën; 
bano vendin dhe shto besnikërinë. 

Strofa hyrëse parashtron temën e përgjithshme: “mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij” (sidomos kur duket se po përparojnë), “ki besim te ZOTI dhe bëj të mirën”. Arsyeja për të mos u dëshpëruar është siguria se drejtësia do të vijë në fund: të këqijtë “do të thahen si bari” (Psalmi 37:2) dhe “do të kositen” (Psalmi 37:9), ndërsa besnikët–ata që “presin ZOTIN”–“do të trashëgojnë tokën” (Psalmi 37:9; pra, ata do të mbeten pasi Zoti t’i nxjerrë të këqijtë nga toka; krahaso me Fjalët e Urta 2:21-22). Ata që “shtojnë besnikërinë” (Psalmi 37:3) do të “kënaqen në ZOTIN” (Psalmi 37:4), ata “vendosin fatin tek ai” (Psalmi 37:5), “rrinë në heshtje” para tij (Psalmi 37:7), dhe e “presin atë” (Psalmi 37:7); kështu do të mund të “heqin dorë nga zemërimi” (Psalmi 37:8; pra, nga mëria që do të ndienin ndaj të ligjve që përparojnë).

Fjalët e Urta 23:17-18

Zemra jote mos i pastë smirë mëkatarët,
por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; 
sepse ka me siguri një të ardhme 
dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

Në vend që të kemi zili ata që e shpërfillin rrugën e Perëndisë, ne duhet ta bëjmë kënaqësinë e Zotit prioritetin tonë kryesor (Fjalët e Urta 23:17), sepse një rrugë e tillë mishëron shpresën e vërtetë se ka të ardhme për të perëndishmit (Fjalët e Urta 24:14, 20; Psalmi 37:9-11, 34, 37-38). Edhe pse Fjalët e Urta nuk i referohen drejtpërdrejt natyrës së kësaj të “ardhme” (krahaso me Fjalët e Urta 10:2; Fjalët e Urta 11:4; Fjalët e Urta 14:32), inkurajimi i saj për të ecur në frikën e ZOTIT prezanton përfitimet e urtësisë si drejtues dhe si ruajtës jo vetëm rrugën e tashme, por edhe fatin e përjetshëm në të cilin rruga drejton.

1 e Korintasve 3:3

Sepse jeni ende mishërorë; sepse ndërsa midis jush ka smirë, grindje e përçarje, a nuk jeni mishërorë dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?

Pjesa e parë e frazës “mishërorë” përfaqëson një fjalë greke (sarkinos) që do të thotë “karakterizuar nga mishi” (krahaso me Romakëve 7:14). Pjesa e dytë (1 e Korintasve 3:3) përfaqëson një fjalë pak ndryshe (sarkikos) që do të thotë “bërë nga mishi, mishërore” (2 e Korintasve 10:4; krahaso me 2 e Korintasve 1:17). Pali i përdor të dyja termat këtu në të njëjtën mënyrë për të shprehur zhgënjimin e tij në sjelljen e korintasve. “Mishi” merr kuptime të ndryshme në Shkrim, por në letrat e Palit shpesh i referohet “natyrës së pandryshuar njerëzore” me të gjitha dëshirat dhe sjelljet e saj karakteristike. Edhe pse korintasit janë të krishterë në të cilët banon Fryma, sjellja e tyre ndarëse tregon se ata po sillen si bota mosbesuese rreth tyre.

Pali mendon se është e padobishme dhe e rrezikshme të japësh mësime të avancuara për të krishterët që ishin moralisht dhe shpirtërisht të papjekur e krenarë.

Predikuesi 4:4

Pashë, gjithashtu, që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën e njërit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.

Predikuesi vëren se shumë prej atyre gjërave që arrihen nga puna e aftësisë njerëzore vjen nga smira e njeriut për të afërmin e vet. Termi i përkthyer “smirë” (hebraisht “qin’ah”) mund të ketë konotacion moral negativ ose pozitiv, në varësi të kontekstit (ashtu si “xhelozia” apo “zilia” në anglisht). Këtu predikuesi fokusohet në kotësinë që vjen për ata që, këtë dëshirë e bëjnë të mirën më të madhe, në vend që të bëjnë dëshirën për t’i shërbyer Zotit (krahaso me Kolosianëve 3:24). Nëse një njeri kryqëzon duart–pra, nuk pranon të punojë–ai vetëm shkatërron veten. Në fund, predikuesi shton një fjalë paralajmëruese kundër dëshirimit të tepërt: të mos rendim pas kotësive në përpjekje për të kapur erën (diçka kalimtare; shih Predikuesi 4:8), njeriu duhet të mësojë të kënaqet me pak (një dorë qetësie).

Jakobi 4:2-3

Ju dëshironi dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk arrini gjë; ju përlesheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk lypni. Ju lypni dhe nuk merrni, sepse lypni keqas që të shpenzoni për qejfet tuaja.

Vargu 2 konsiston në disa deklarata të shkurtra; në greqishten e lashtë nuk kishte pikësim dhe përkthime të shumta i lidhin deklaratat në mënyra të ndryshme. Pikësimi i ESV funksionon mirë kur e krahasojmë këtë varg me Jakobi 3:13-18: njerëzit dëshirojnë dhe lakmojnë (greqisht “zeloo”, krahaso “zelos”, “xhelozi” Jakobi 3:14), që çon në luftëra të tmerrshme dhe debate të brendshme brenda kishës. “Ju nuk keni sepse nuk lypni”, kjo është një kujtesë që besimtarët duhet t’ia kërkojnë Perëndisë dëshirat e tyre dhe jo të luftojnë njëri-tjetrin. Mungesa e lutjes rezulton në dështim për të marrë shumë nga bekimet e Perëndisë. Jakobi nuk po nënkupton se Perëndia do të plotësojë dëshira egoiste mëkatare (Jakobi 4:3), por sjellja e kërkesave para Perëndisë mund të ketë një ndikim pastrues në dëshirat e atij personi.

Jakobi 3:14

Por në qoftë se në zemrën tuaj kemi smirë të hidhur dhe grindje, mos u mburrni dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

Xhelozia e hidhur dhe grindja janë antiteza e urtësisë së vërtetë që karakterizohet nga “butësia” (Jakobi 3:13). Ato janë gjithashtu shumë ndryshe nga karakteri i drejtë i një “Perëndie xheloz” (Eksodi 20:5; 34:14; Ligji i Përtërirë 4:24; shih Jakobi 4:5, i cili me të drejtë pikëllohet për nderin e tij dhe përkushtimin besnik të popullit të tij, ndërsa ziliqarët pikëllohen për atë që nuk u takon. “Grindja” është një dëshirë për të ndarë grupin, për të arritur fuqi dhe prestigj personal (përkthehet “rivalitet” te Galatasve 5:20; Filipianëve 1:17; 2:3).

Jakobi e përshkruan sjelljen e mishit në terma që “përparojnë” nga keq në më keq. Një sjellje e tillë është në vetvete e lidhur me tokën, plotësisht sensuale në kundërshtim me shpirtëroren, dhe origjinën e vet në fuqitë kozmike të errësirës. Rezultati përfundimtar i një konflikti të tillë, nxitur nga Satani, mund të jetë vetëm trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija. Përgjigjja për “trazirë”, te Jakobi 3:16 është të kërkojmë urtësi nga lart, që prodhon cilësi karakteri duke nisur me pastërtinë dhe duke përfunduar me paqen (krahaso me Galatasve 5:22-23, ku cilësitë e perëndishme janë fryti i Frymës).

1 e Gjonit 2:15-17

Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka, që është në botë, dëshirimi i mishit, dëshirimi i syve dhe fodullëku i jetës, nuk është nga Ati, por është nga bota. Dhe bota kalon dhe dëshirimi i saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në përjetësi. 

Dashuria e Atit mbjell një dëshirë për të thyer idhujtarinë e botës. “Mos e doni botën” nuk duhet lexuar si një refuzim i thellë i botës, sepse “ Perëndia… e deshi botën” (Gjoni 3:16). Në fakt, Gjoni paralajmëron kundër përkushtimit ndaj një sistemi të botës që është në kundërshtim me Perëndinë (krahaso me Gjonin 12:31; Jakobi 4:4; 1 e Gjonit 5:19). Me shumë mundësi, dashuria e Atit mbart një kuptim të dyfishtë, duke iu referuar edhe dashurisë që Perëndia ka për popullin e tij dhe dashurisë që ata kanë për të. E para prodhon të fundit (1 e Gjonit 4:7, 9-10).

Duke paralajmëruar për gjithçka është në botë, Gjoni nuk demonizon gjithë rendin e krijuar (krahaso me Zanafilla 1:31). Në fakt, ai jep shembuj (dëshirat e mishit etj.) të gjërave nga të cilat besimtarët duhet të ruhen. Dëshirat njerëzore janë pjesë e krijimit të Perëndisë dhe për këtë arsye nuk janë tërësisht të mbrapshta, por shtrembërohen kur nuk drejtohen nga Perëndia dhe drejt Perëndisë.

2 e Korintasve 10:12

Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten me veten e tyre dhe duke krahasuar veten me veten e tyre, nuk janë të mençur.

Pali nuk guxon të bashkohet me ta në vetë-rekomandimin e tyre; ata nuk janë të mençur, sepse kriteri i tyre i mburrjes (me njëri-tjetrin) është i gabuar. Kundërshtarët rekomandojnë njëri-tjetrin duke krahasuar aftësitë e tyre, dhuntitë shpirtërore dhe përvojat, megjithëse të gjitha këto janë të parëndësishme për caktimin e autoritetit apostolik në një kishë.

Pali mbështet mburrjen e tij si apostull (2 e Korintasve 10:12-16) me citimin e Jeremias 9:23-24 (krahaso me 1 e Korintasve 1:31). Duke qenë se të gjitha aftësitë dhe arritjet njerëzore janë dhurata nga Perëndia, baza e vetme e vërtetë për mburrjen është “të mburresh në Zotin” pra, në atë që Zoti siguron, jo në arritjet e supozuara të dikujt. Zoti e urdhëron popullin e tij duke vepruar në dhe përmes jetëve të tyre (shih 2 e Korintasve 3:1; 2 e Korintasve 4:2; 2 e Korintasve 5:12; 2 e Korintasve 6:4; 2 e Korintasve 2:11).

Psalmi 23:1-2

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
Ai më çon në kullota me bar të njomë, 
më prin tek ujërat e qeta.

Ky himn zakonisht klasifikohet si psalm i sigurisë në kujdesin e Zotit. Përdor dy imazhe: Zoti si Bariu që kujdeset për delet (Psalmi 1-4) dhe Zoti si Mikpritësi që kujdeset për të ftuarit (Psalmi 5-6). Këto imazhe do të ishin të njohura nga përvojat e përditshme (nga ajo e Davidit, krahaso me 1 i Samuelit 17:34); por ato gjithashtu nxisin ide të tjera të zakonshme në Lindjen e Re të lashtë (përfshirë Dhiatën e Vjetër), me hyjninë si bari i popullit të tij dhe hyjninë si mikpritës i vaktit të madh. Në adhurim, besnikët festojnë madhështinë dhe madhërinë e Perëndisë; dhe kur ata këndojnë këtë psalm, ata shohin madhështinë e tij në mënyrën si ai i qaset personalisht secilit qingj të besëlidhjes së tij. Ai është bariu i Izraelit si i tërë; e duke qenë kështu, ai është bariu për çdo izraelit besnik gjithashtu.

Motivi i hyjnisë si bari është i zakonshëm në Bibël (p.sh., Zanafilla 48:15; 49:24; Psalmi 28:9; 80:1; 95:7; 100:3; Zbulesa 7:17; krahaso me Psalmin 49:14). Zoti është Bariu i popullit si i tërë, por edhe si anëtarë individual; dhe në këtë psalm këndvështrimi është mbi anëtarin individual. Të “duash” është të mos kesh atë për të cilën dikush ka nevojë.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-envy/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Zilia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin