key verses being happy

Janar 2024                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Mateu 5:2-12

Atëherë ai hapi gojën e tij dhe i mësoi duke thënë:
“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.
Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.
Lum ata që bëjnë paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.
Lum ata që përndiqen për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim.
Gëzohuni dhe ngazëllehuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush”.

“Lum. Më shumë se thjesht një ndjenjë e përkohshme e lumturisë, e cila varet nga rrethanat, kjo është një gjendje mirëqenieje në marrëdhënie me Perëndinë, e cila u përket atyre që i përgjigjen shërbesës së Jezusit. “Skamësit në frymë” janë ata që e kuptojnë se kanë nevojë për ndihmën e Perëndisë. “E tyre është mbretëria e qiejve.”  I përket atyre që e rrëfejnë korruptimin e tyre frymëror.

Lumturitë fillojnë me “Lum ata…”. Quhen “lumturitë” nga latinishtja “beatus” “të bekuar, të lumtur”. Këto deklarata të shkurtra përmbledhin thelbin e Predikimit në Mal.

Psalmi 1:1-2

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve,
që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, 
por gjen kënaqësinë e tij në ligjin e ZOTIT 
dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

“Lum.” Personi vërtet i lumtur është i lumtur për shkak se Perëndia e mbush atë me favor. Jezusi përdor ekuivalentin në greqisht te Mateu 5:3-11; krahaso gjithashtu me Jakobi 1:12. Përkthimi latin “beatus”, është burimi i fjalës “lumturitë”. “Njeriu.” Një individ specifik, i perëndishëm (hebr. “ha’ish”, “njeriu”), mbahet si shembull për t’u ndjekur nga të tjerët. Mësimi i tillë, duke përdorur një shembull konkret, është i zakonshëm në librat e urtësisë së Dhiatës së Vjetër. “Të pabesëve… mëkatarëve…tallësit.” Këta janë njerëz, madje edhe brenda Izraelit, të cilët nuk pranojnë të jetojnë sipas besëlidhjes; personi i perëndishëm nuk pranon të ndjekë orientimin moral të stilit të jetesës së këtyre njerëzve. Disa kanë parë nivele në rritje të natyrës mëkatare në lidhje me “të pabesët-mëkatarët-tallësit”, bashkë me besnikërinë në rritje te metaforat “ecën-ndalet-ulet”; megjithatë, ka gjasa që këtu, termat “i pabesë” dhe “mëkatar” janë ekuivalente, ndërsa “tallësi” është më i dhënë ndaj së keqes.

Krahasimi i Burimeve të Vlerave. Personi vërtet i lumtur e udhëheq jetën nga udhëzimet e Perëndisë dhe jo nga këshillat e atyre që i refuzojnë ato.

Predikuesi 3:9-13

Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet? Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen. Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund. Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë sesa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë; dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.

Pavarësisht përsëritjes që ndodh në botën natyrore (Predikuesi 1:4-11), Predikuesi e sheh që Perëndia “e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet”. Problemi është se Perëndia ka vendosur gjithashtu përjetësinë (që do të thotë një ndjesi se jeta vazhdon përtej ekzistencës së tanishme) në zemrën e njeriut, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund. Folja “zbulon” ose “të zbulojë” (hebraisht “matsa’”), në këtë varg, por edhe në vende të tjera në libër, ka idenë e “zbuloj, kuptoj përmes studimit” (Predikuesi 7:14; Pred. 7:24; Pred. 7:26;Pred. 7:27; Pred 7:28; Pred 7:29; Pred 8:17). Kështu Predikuesi kupton se, edhe dëshira e tij për të kuptuar jetën, edhe limitet e aftësive të tij për ta bërë këtë, janë caktuar nga Perëndia.

Në vend që njeriu të hidhërohet për ato që Perëndia nuk u ka dhënë qenieve njerëzore (pra, aftësinë për ta kuptuar të plotë realitetin), ai duhet të shijojë dhuratat që Perëndia i ka dhënë.

Filipianëve 4:4

Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!

“Gëzohuni.” Gëzimi që kërkon Pali, nuk është lumturi që varet nga rrethanat, por kënaqësi e thellë që gjendet në Zotin, bazuar në besimin te Perëndia i gjallë e sovran, që është gjithmonë i gjendshëm edhe në kohë të vështira.

Fjalët e Urta 15:13-15

Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën,
por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.
Zemra e njeriut me mend kërkon njohuri, 
por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.
Të gjitha ditët e të varfrit janë të këqija, 
por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.

Këto fjalë të urta përqendrohen te “zemra”. “Të lumtur fytyrën” tregon një qëndrim pozitiv ndaj jetës; kjo vjen kur personi i brendshëm është i shëndetshëm (Fjalët e Urta 15:13a). Një person i tillë ka festë përherë (Fjalët e Urta 15:15b). Por rrethanat, qofshin të brendshme (Fjalët e Urta 15:13b), apo të jashtme (Fjalët e Urta 15:15a), mund t’i vjedhin qetësinë njeriut. Çelësi i të fituarit të një zemre të gëzuar është te Fjalët e Urta 15:14; kërko “njohuri”.

Jakobi 1:2-3

Ta quani gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në tundime të ndryshme, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell durim.

Gëzim në sprova. Sprovat kanë për qëllim të prodhojnë pjekuri frymërore dhe për këtë arsye, duhen parë si gëzim.

Sprovat janë “teste” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2-5). Kur ndodhin sprovat, njeriu duhet t’i quajë “gëzim të madh” – kjo nuk do të thotë thjesht një lumturi e përkohshme sipas kësaj bote, por “gëzim të plotë” frymëror, i përhershëm në Zotin, i cili është sovran mbi gjithçka, përfshirë edhe mbi sprovat.

“Sprova e besimit tuaj” përcakton kuptimin e sprovave për të krishterin: ashtu si Jezusi u “sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1-13), ashtu sprovohen edhe besimtarët. Fjala greqisht “dokimion” (“sprovë”) ka konotacion pozitiv, një provë që ka për qëllim ta bëjë besimin e dikujt “të vërtetë” (krah. me 1 e Pjetrit 1:7). Rezultati është durimi, një jetë me qëndrueshmëri besnike midis problemeve dhe vuajtjeve.

1 e Pjetrit 4:12-13

Të dashur, të mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju, se si ju ndodhi diçka e çuditshme. Por gëzohuni, në atë masë që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlleheni.

“Të dashur” shënon fillimin e pjesës së re të letrës (1 e Pjetrit 2:11). Vuajtja është normë për të krishterët, jo përjashtim surprizues. Të vuash si i krishterë është një thirrje për t’u gëzuar si dishepull i Krishtit, dhe një gëzim i tillë është vetëm një parathënie e gëzimit që do të vijë në kthimin e Krishtit (“në zbulesën e lavdisë së tij”).

Psalmi 37:4 

Gjej kënaqësinë tënde në ZOTIN
dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

“Dëshirat e zemrës sate.” Disa mendojnë se “dëshirat” i referohen ndjenjës së dëshirës, p.sh., “Perëndia do ta formojë zemrën tënde në atë mënyrë që të dëshirojë gjërat e duhura”; por kuptimi në fakt është: “ai do të të japë atë që dëshiron zemra jote.” Mund të themi me siguri se ata që përqafojnë këshillën e këtij psalmi, duke qenë se e gjejnë “kënaqësinë” e tyre “në ZOTIN”, do të dëshirojnë gjërat e duhura në zemrat e tyre (Psalmi 37:16, 31).

Gjoni 15:10-11 

Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

Bindja nuk duhet lidhur me angarinë; ajo lidhet plotësisht me “gëzimin”. Profetët e Dhiatës së Vjetër kanë parashikuar një periudhë gëzimi të madh të kohëve të fundit (p.sh., Isaia 25:9; Isaia 35:10; Isaia 51:3; Isaia 61:10; Sofonia 3:14-17; Zakaria 9:9). Perëndia kërcënoi me gjykim, në rast se populli i tij nuk do t’i shërbente “me gëzim dhe hare në zemër” (Ligji i Përtërirë 28:47-48). “Që gëzimi im të qëndrojë në ju.” Ashtu si Jezusi kishte gëzim të madh kur i bindej Atit të tij edhe midis kundërshtimeve, po ashtu të krishterët do të kenë gëzim në bindje.

Romakëve 5:1-2 

Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

“Të drejtësuar, pra.” Kapitulli 5 fillon me një pohim kumbues të qëndrimit objektiv ligjor të të krishterit – që i krishteri, përmes besimit në Krishtin, është drejtësuar dhe është deklaruar i drejtë nga Perëndia, njëherë e përgjithmonë. Rezultati i kësaj është që i krishteri nuk jeton më nën frikën e gjykimit dhe zemërimit të Perëndisë, por ka “paqe me Perëndinë”, që nuk është thjesht një ndjenjë subjektive, por një realitet objektiv.

“Hir në të cilin qëndrojmë” i referohet pozicionit të sigurt të qëndrimit të besimtarit (si një bekim i drejtësimit), dhe “shpresën e lavdisë së Perëndisë” i referohet premtimit se të krishterët do të përlëvdohen dhe do të përsosen në ditën e fundit – një shpresë që rezulton në gëzim.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Kategoria: Të qenët të lumtur
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-being-happy/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin