vargjet kyc, prinderimi

 Gusht 2022                                       Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Fjalët e Urta 22:6

Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

“Mësoji fëmijës.” Kjo fjalë e urtë, gjendur në besëlidhjen me Abrahamin (krahaso me Zanafilla 18:19), i inkurajon prindërit t’i “mësojnë” (pra, “të dedikohen” ose “përkushtohen”; ky është kuptimi i fjalës te Ligji i Përtërirë 20:5; krahaso me Ezdra 6:16) fëmijët e tyre në rrugën që duhet të ndjekin (pra, orientimet e drejta morale), duke u treguar sjelljet që kënaqin ose nuk kënaqin Zotin, dhe pasojat normale të secilës. Mësimi përfshin dashurinë dhe udhëzimet, gjithashtu edhe “thuprën e ndreqjes” (Fjalët e Urta 22:15).

Psalmi 127:3-5

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti;
fryti i barkut është një shpërblim. 
Si shigjeta në duart e një trimi, 
kështu janë bijtë e rinisë. 
Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! 
Ata nuk do të ngatërrohen 
kur të flasin me armiqtë e tyre te porta.

Bekimi i të pasurit fëmijë. Ashtu si pjesa e parë, edhe kjo nuk mënjanon veprimtarinë njerëzore: “bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti”, pra, dhuratë prej tij. E megjithatë, burri dhe gruaja duhet të bëjnë pjesën e tyre për t’i sjellë në botë dhe për t’i rritur, që të jenë anëtarë besnikë të popullit të Perëndisë. Këtu theksi bie “mbi bijtë e rinisë”, që janë rritur tashmë dhe qëndrojnë me atin e tyre kur ai flet “me armiqtë e tyre te porta” (pra, vendi ku administrohej drejtësia). Do të jetë e vështirë për armiqtë (që supozohet të jenë jo besnikë) të frikësojnë një njeri të tillë.

Efesianëve 6:1-4

Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, ky është urdhërimi i parë me premtim, “që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe”. Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i rrisni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

“Fëmijë.” Marrëdhënia e dytë familjare që ilustron nënshtrimin ndaj autoritetit (Efesianëve 5:21) është ajo e fëmijëve dhe prindërve. Ligji i Moisiut cakton vdekje për fëmijën që godet ose mallkon një prind (Eksodi 21:15, 17; Levetiku 20:19), dhe Pali liston një mosbindje të tillë si një prej mëkateve të rënda (Romakëve 1:30; 2 e Timoteu 3:2). Megjithatë, Pali nxit tek Efesianëve 6:1-3 detyrën pozitive të fëmijëve për t’iu bindur prindërve të tyre. Bindja duhet të jetë ndaj të dy prindërve; nënshtrimi i nënës ndaj burrit të saj nuk ia heq dinjitetin prindëror, në fakt e rrit. “Në Zotin” plotëson foljen “bindjuni”. “e drejtë.” Ajo që e bën këtë bindje “të drejtë” apo “me vend” është fakti se është në përputhje me urdhërimin e shenjtë të Perëndisë cituar tek Efesianëve 6:2-3.

“Ndero.” Bindja e fëmijëve ndaj prindërve (Efesianëve 6:1) është pjesërisht mënyra si i nderojnë ata; shih gjithashtu Fjalët e Urta 31:28, që përshkruan fëmijët të cilët ngrihen për të bekuar një nënë të mençur e të perëndishme. “premtim.” Më parë ka pasur urdhërime të Perëndisë me premtime (p.sh., Zanafilla 17:1-2), por ky është i pari dhe i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet që përmban një premtim (shih gjithashtu Eksodi 20:12). Në besëlidhjen e re, premtimi i tokës nuk është i asaj fizike, por jeta e përjetshme, që fillon kur personi ripërtërihet këtu dhe tani, dhe përmbushet në realitet të plotë në kohën që do të vijë. Pali nuk po mëson shpëtim përmes veprave. Bindja e fëmijëve është prova që ata e njohin Perëndinë dhe rezulton në marrjen e bekimeve nga Perëndia.

“Etër.” Ashtu si më parë, edhe tani Pali e nis këshillën e tij me një veprim negativ që duhet shmangur, ndjekur pastaj nga një veprim pozitiv që duhet zhvilluar. Pali adreson përgjegjësinë e etërve në veçanti, edhe pse kjo nuk zbeh kontributin e nënave në këto fusha (shih Fjalët e Urta 31). “provokoni… për zemërim.” Fëmijët e bindur janë veçanërisht të cenueshëm, prandaj veprimet e një ati dominues dhe të pandjeshëm do të ishin dekurajuese për ta (Kolosianëve 3:21). “rritini.” Prindërit luajnë një rol thelbësor, të caktuar nga Perëndia, në dishepullimin e fëmijëve të tyre “në Zotin” (Efesianëve 6:1); shih Ligji i Përtërirë 6:1-9. Dishepullimi prindëror në disiplinën dhe këshillën e Zotit duhet të përqendrohet në praktikat tashmë të nënvizuara tek Efesianëve 4-5.

Ligji i Përtërirë 6:5-9

Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.

Ta duash. Shih Ligji i Përtërirë 4:37. “me gjithë.” Që vetëm Zoti është Perëndi i Izraelit çon në kërkesën për përkushtimin ekskluziv dhe total ndaj tij. Zemër… shpirt… forcë.** Të gjithë izraelitët, me gjithë qenien e tyre, duhet të duan Zotin: “Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27, Jezusi përfshin edhe “mendjen”. Në hebraishten e lashtë, “zemra” përfshinte atë që quajmë “mendje”. “Forca” tregon energjinë dhe aftësitë.

“në zemrën tënde.” Krahaso me Ligji i Përtërirë 4:39. Urdhërimi është për një zemër që e do plotësisht Zotin. Ligji i Përtërirë paraprin besëlidhjen e re, ku fjala e Perëndisë do të jetë vërtet e shkruar në zemër (Jeremia 31:31-34; gjithashtu Ligji i Përtërirë 30:6-8).

Dy palët e kundërta (rri ulur/ecën, ke rënë në shtrat/ kur çohesh) sugjerojnë çdo kohë, vend dhe veprimtari. “do t’i lidhësh…do t’i shkruash.” Shumë judenj i kanë përmbushur këto urdhërime fjalë për fjalë me filateritë (v.8) dhe thekët (v.9), pra., kuti të lidhura te krahët dhe në ballë, ose të ngjitura në portat e shtëpisë, ku shkruheshin vargjet 4-5 dhe vargje të tjera nga Shkrimi. Shih gjithashtu Ligji i Përtërirë 11:18-20.

Hebrenjve 12:7-11

Në qoftë se ju duroni ndreqjen, Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir të cilin s’e ndreq i ati? Por, po të jeni pa ndreqje, në të cilën të gjithë u bënë pjesëtarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij. Pastaj etërit tanë sipas mishit i kishim ndreqës dhe i respektonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të frymërave për të jetuar? Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij. Por çdo ndreqje aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u kthen një fryt të paqshëm drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj.

Nxitje që ju drejtohen si bij. Perëndia shihet se po flet përmes fjalës së urtë; disiplina e Perëndisë vërteton se ai i konsideron besimtarët si bijtë e tij (për birërinë, shih Hebrenjve 2:10), meqenëse Perëndia fshikullon çdo bir që ai pranon (Hebrenjve 12:6; shih Hebrenjve 12:7-8). Ndreqja (greqisht, paideia) ishte një term i zakonshëm për rritjen e fëmijëve përmes udhëzimit, trajnimit dhe korigjimit; megjithatë, këtu, fjala në hebraisht fokusohet në thirrjen për këmbëngulje (durimi te Hebrenjve 12:7) në sprovat e vështira të jetës (Hebrenjve 12:11). Këto sprova janë për përfitimin e tyre, për të vërtetuar birërinë e tyre dhe si përgjigje kërkojnë këmbënguljen. Prandaj lexuesit nuk duhet të dekurajohen.

Kjo analogji nga më pak në më shumë nga trajnimi në fëmijëri i vetë lexuesit tregon se është e përshtatshme për Atin qiellor të ndreqë dhe kërkon një përgjigje respekti dhe nënshtrimi. Si një Atë i dashur, Zoti gjithmonë i ndreq bijtë e tij për të mirën e tyre.

1 e Timoteut 5:8 

Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.

“Më i keq se një jobesimtar.” Sigurimi për familjen është një çështje shpirtërore me një rëndësi të jashtëzakonshme. Të mos jetuarit në përputhje me ungjillin në këtë mënyrë është e ngjashme me mohimin e besimit.

Psalmi 103:13

Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij,
kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

Perëndia është një “baba” për popullin e tij në tërësi (Eksodi 4:22-23), edhe për anëtarët besnikë në veçanti (Fjalët e Urta 3:12). Patjetër që shumë etër njerëzorë nuk e mishërojnë këtë ide; ky imazh hamendëson se njerëzit e informuar biblikisht kanë intuitën e një babai ideal. Por kjo shërben gjithashtu si qëllim për etërit besnikë: ata do të përpiqen gjithnjë e më shumë të jenë babai që tregon mëshirë për fëmijët e tij.

Eksodi 20:12

Ndero atin dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

“Ndero atin dhe nënën tënde.” Fjala “nder” do të thotë ta trajtosh dikë me respektin që i takon dhe rolit që ka. Në lidhje me prindërit, kjo do të thotë (1) t’i trajtojnë me nderim (krahaso me Eksodi 21:15, 17); (2) të sigurojnë dhe të kujdesen për ta në pleqëri (për këtë kuptim të nderimit shih Fjalët e Urta 3:9). Edhe Jezusi edhe Pali theksojnë rëndësinë e këtij urdhërimi (Marku 7:1-13; Efesianëve 6:1-3; 1 e Timoteut 5:4). Ky është i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet të cilit i bashkëngjitet një premtim specifik: “që ditët e tua të jenë të gjata”–duke nënkuptuar jo vetëm një jetë të gjatë, por një jetë që është e mbushur me praninë dhe favorin e Perëndisë. Shih shënimin te Ligji i Përtërirë 5:16.

Kolosianëve 3:20-21

Ju bij, bindjuni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin. Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.

Fjalët e Palit drejtuar bijve reflektojnë urdhërimin e pestë (Eksodi 20:12). Mos provokoni bijtë tuaj. Burrat nxiten ta kontrollojnë zemërimin dhe çdo sjellje tjetër që mund të hidhërojë fëmijët e tyre (krahaso me Efesianëve 6:4), që ata të mos dëshpërohen për t’i kënaqur prindërit.

Fjalët e Urta 17:6

Bijtë e bijve janë kurora e pleqve
dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. 

Familjet varen nga njëri-tjetri për indetietin dhe gëzimin e tyre. Edhe të rinjtë edhe të vjetrit duhet të gëzohen për marrëdhëniet e tyre ndër brezash.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: : https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-parenting/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin