tema lakmia

Shtator 2023                    Nga: Crossway

 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

1 e Timoteut 6:6-10

Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi ushqim dhe mbulesa, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në humbje dhe rrënim. Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje.

Një perspektivë e përjetshme (v. 7), i ndihmon besimtarët të shmangin joshjen e lakmisë dhe si rezultat, i bën të jenë “të kënaqur” me atë që Perëndia u ka dhënë, edhe nëse është vetëm “ushqim dhe mbulesa”.

Këtu dënohet fakti që ata “dëshirojnë të pasurohen”, por nuk dënohen të mirat materiale të cilat përdoren siç duhet për lavdinë e Perëndisë. Dëshira për t’u pasuruar i çon njerëzit të “bien në tundim”. Kjo e fundit i çon ata te “lakmia për para”, të cilën Pali e identifikon si “rrënja e të gjitha të këqijave” (v. 10). Lidhja mes mësimeve të rreme dhe dëshirës për t’u pasuruar, ka qenë problem që nga fillimi i kishës. “U larguan nga besimi.” Paralajmërimi nuk flet vetëm për faktin se “lakmia për para” është e dëmshme, por se kjo e fundit i ka shtyrë disa ta mohojnë besimin, duke e treguar veten si jobesimtarë (krah. me 1:19).

Hebrenjve 13:5

Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis”.

Kundërhelmi për “lakmi paraje” është të jesh i kënaqur, gjendje që vjen nga të besuarit në premtinim se Perëndia do të sigurojë (shih Ligji i Përtërirë 31:6, 8; Jozueu 1:5). Citimi nga Psalmi 118:6 zbaton idenë e të besuarit në Perëndinë për më shumë se vetëm për nevojat financiare (sidomos nën pikëpamjen e përndjekjes, Hebrenjve 13:3).

Luka 12:13-21

Atëherë dikush nga turma i tha: “Mësues, i thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë”. Por ai i tha: “Njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?”. Pastaj u tha atyre: “Kini kujdes dhe ruhuni nga lakmia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron”. Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: ‘Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie frytet e mia?’. Dhe tha: ‘Këtë do të bëj: do të prish hambarët e mi dhe do të ndërtoj më të mëdhenj, dhe atje do të mbledh të gjitha prodhimet e mia dhe të mirat e mia, dhe do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke të mira të shumta të vëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzohu’. Por Perëndia i tha: ‘O i pamend, këtë natë shpirti yt do të kërkohet dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?’. Kështu i ndodh atij që grumbullon thesar për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë”.

“I thuaj vëllait tim ta ndajë.” Për shkak të mësimit të Jezusit mbi lakminë, që vjen menjëherë pas kësaj kërkese, ky njeri me shumë mundësi po fliste nga lakmia personale. “Kush më vuri mua gjykatës…?” Edhe pse Jezusi ishte Zot i gjithë universit, ai ishte i kujdesshëm të mos përfshihej në çështje që nuk lidheshin drejtpërdrejt me veprën dhe shërbesën e tij në tokë, dhe priste që njerëzit t’i zgjidhnin vetë këto çështje. “Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë…” krahaso me 9:24-25; 12:22-34.

“O i pamend!” Është ironike që i njëjti person i cili i kushtonte kaq shumë kujdes nevojave të tij (tokësore), del të jetë i pamend. Në vend që të përmbushë përgjegjësinë e tij morale për t’u kujdesur për nevojat e të tjerëve, ai qortohet sepse “grumbullon thesar për vete” dhe nuk është “i pasur ndaj Perëndisë”. Edhe pse ky varg nuk e ndalon rreptësisht pasurinë, Jezusi i paralajmëron qartë dëgjuesit në lidhje me ndikimin e rrezikshëm të saj në përjetësi, dhe me prirjen joshëse drejt lakmisë, vetëmjaftimit dhe vetëkënaqësisë. Edhe pse i pasuri i pamend ka përpara vite me lehtësira – “pusho, ha, pi dhe gëzohu” – nga ana tjetër e pret një fat i përjetshëm larg Perëndisë. Siç konfirmojnë edhe fjalët dënuese të Jezusit: “Këtë natë shpirti yt do të kërkohet.”.

Fjalët e Urta 11:24

Ka nga ata që shpërndajnë bujarisht e bëhen më të pasur  
dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.

Veprimet e vëna në fokus janë mënyrat se si një person lidhet me njerëzit dhe me faktin se Perëndia do të sigurojë (vargjet 24-26, 28). Në këtë pjesë, dobia e një jete bujare për të drejtin dhe për të tjerët, përfaqësohet përmes disa imazheve agrikulturore: ujit/do të ujitet (v. 25), do të blerojnë si gjethe (v. 28), fryti (v. 30), dru i jetës (v. 30). Këto imazhe përfaqësojnë një ilustrim më të plotë të deklaratës së pjesës së dytë të vargut 18: “ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.” Për shkak se është një Perëndi që bekon bujarinë dhe nuk ia jep bekimin lakmitarit, kjo fjalë e urtë paradoksale ka shumë kuptim.

Predikuesi 5:10-13

Kush e do paranë, nuk ngopet kurrë me para dhe kush do pasuri, nuk ngopet me përfitimin e saj. Edhe kjo është kotësi. Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj të zotët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre? I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flejë. Është një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për të zotin në dëm të vet.

Lakmia përballë të qenët i kënaqur. Predikuesi vëren natyrën shkatërrimtare të lakmisë dhe del në përfundimin se të qenët i kënaqur është një karakteristikë kyç e një jete të perëndishme në këtë botë (krah. me Filipianëve 4:11; 1 e Timoteut 6:6, 8; Hebrenjve 13:5).

“Pasuritë e ruajtura... në dëm të vet”, pra, pronari duroi vështirësi dhe sakrifikoi për pasurimin e vet, por nuk mundi ta shijonte kurrë, sepse i humbi në një investim të gabuar. Ndaj, jo vetëm që nuk i shijoi pasuritë e tij, por as nuk bëri diçka të vlefshme me to. E si të mos mjaftonte kjo, kishte dhe një familje për të cilën duhej të siguronte.

Jakobi 5:1-3 

Ejani tani ju, o pasanikë: qani e vajtoni për mjerimin, që do të vijë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

“Qani e vajtoni.” Kjo është një gjuhë profetike për ata që janë nën paditjen e Perëndisë ditën kur Zoti të vijë (p.sh., Isaia 13:6, 15:3; Osea 7:14; Amos 8:3). “Për mjerimin, që do të vijë”, i referohet gjykimit të fundit dhe jo mjerimeve të kësaj jete.

“Pasuria, rrobat” dhe “ari” përmbledhin jetesën materialiste dhe të kushtueshme të këtyre pronarëve. Këto gjëra jo vetëm që do të humbasin përgjithmonë, por do të jenë “dëshmi” për në gjyqin e fundit përpara Perëndisë dhe do të ushqejnë vetë flakët e liqenit “si zjarr”, ku ata do të kalojnë përjetësinë (Zbulesa 20:11-15).

1 e Korintasve 5:11

Por tani ju shkrova të mos përziheni nëse dikush kërkon të quhet vëlla, duke qenë kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose rrëmbyes; me një të tillë madje as të mos hani bashkë.

“Të mos përziheni.” Shih 2 e Thesalonikasve 3:6, 14. Ashtu siç është te 2 e Thesalonikasve, edhe këtu, njëri prej qëllimeve është shpengimi në lidhje me personin që kryen mëkatin (1 e Korintasve 5:5; 2 e Thesalonikasve 3:14-15). Por një qëllim tjetër është të shmanget ideja e miratimit të sjelljes mëkatare, që të mos qortohet kisha dhe Ungjilli.

1 e Timoteut 6:17-19  

Porositi të pasurit e kësaj bote që të mos mbahen me të madh, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar, të bëjnë të mira, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të ndarë me të tjerë, duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.

Porositi të pasurit. Porosia e drejtpërdrejtë për besimtarët e pasur mund të duket e papritur në këtë vend. Megjithatë, ajo ofron një korrigjim të pikëpamjes së gabuar të të pasurve, që shihet te mësuesit e rremë (shih vargjet 2-10). Për më tepër, nënvlerësimi i pasurive, duke theksuar faktin se ato janë vetëm për “këtë botë”, vjen pas përshkrimit prekës të paraqitjes para Perëndisë në ditën e fundit (vargjet 15-16). Thirrja që të pasurit ta përdorin pasurinë e tyre për t’u përgatitur për të ardhmen, nënkupton që, ose mënyra si ata e përdorin pasurinë tregon nëse janë të shpëtuar ose jo, ose që duhet të kërkojnë shpërblim më të madh në qiell, ose të dyja.

“Të pasur në vepra të mira.” I pasuri, të cilit mund të mos i duhet më të punojë, ka shumë mundësi ta kalojë ditën e punës duke bërë “vepra të mira” për të tjerët dhe duke ndërtuar kishën.

Fjalët e Urta 1:17-19

Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ua heq jetën atyre që e kanë.

Këto vargje përmbyllin apelin e parë duke krahasuar veprimet e arsyeshme të çdo lloji “zogjsh” me veprimet e marra të atyre që kërkojnë përfitim të padrejtë. Një zog që sheh një gjuetar i cili hedh rrjetën, ia mbath për shkak të rrezikut se mos jeta e tij bie në kurth. Megjithatë, ata që përpiqen të fusin në kurth të pafajshmin, nuk e kuptojnë se mund ta marrin çmimin e dëshiruar (pasuri të çmueshme dhe plaçkë, v. 13), por injorojnë pasojat e plota të veprimeve të tyre: duke ngritur kurth për dikë, në fakt, “këta kurdisin prita kundër gjakut të vet” (v. 18). Ndryshe nga fluturimi i arsyeshëm i zogut, ata marrin plaçkën, duke e formuar më tej karakterin e tyre në rrugën drejt rrezikut përfundimtar. Vetë fjalët që thonë, theksojnë verbërinë e tyre. Në vargun 12, mëkatarët i referohen kapjes së të pafajshmit në kurth duke thënë: “le t’i kapërdijmë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht, si ata që zbresin në gropë”, duke i krahasuar veprimet e tyre me efektet fizike të vdekjes. Megjithatë, kur vargu 19 flet për rezultatet e “çdo njeriu të etur për pasuri” (shih vargun 13) – pra, “ua heq jetën atyre që e kanë” – nuk po thotë thjesht që veprimet e tyre do t’u sjellin vdekjen (megjithëse mund të ndodhë). Në fakt, po thotë se veprime të tilla çojnë në fundin e rrugës së të padrejtit, një humbje edhe më e thellë e “jetës”, me gjithçka përfshin (shih gjithashtu 22:22-23).

1 e Korintasve 6:9-11

A nuk e dini se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as shpifësit, as rrëmbyesit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë qetë disa prej jush; por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë.

Përdorimi i fjalës “të padrejtët” nga Pali (greqisht, ‘adikos’ e përsëritur; shih vargjet 7-8) nënkupton se ata, sjellja e të cilëve nuk dallon nga bota jobesimtare, mund të mos jetë fare midis “shenjtorëve” (v. 1). Shih gjithashtu 2 e Korintasve 13:5.

“U latë.” Kjo i referohet pastrimit frymëror nga faji dhe pushteti dominues i mëkatit që ndodh në rilindje (shih Titit 3:5) dhe që simbolizohet në “larjen” e pagëzimit (Veprat 22:16). “U shenjtëruat.” Ky është një koncept i ngjashëm, që në këtë rast do të thotë se në rilindje ndodh një shkëputje fillestare nga dashuria për mëkatin dhe nga pushteti e kryerja e tij (shih Veprat 20:32; Romakëve 6:11; 2 e Korintasve 5:17). Megjithatë, nga ana tjetër, “shenjtërimi” është gjithashtu një proces i vazhdueshëm në jetën e krishterë (Romakëve 6:19; Filipianëve 3:13-14; Hebrenjve 12:1, 14; shih gjithashtu 1 e Korintasve 1:2). U drejtësuat. Termi grek është ‘dikaioo’ dhe është ekuivalenti pohor i termave “të padrejtëve”, “t’ju bëhet padrejtësi”, dhe “të padrejtët” te 6:1; 7-8 dhe 9 (shih këto vargje). Në këtë rast, Pali nuk e përdor fjalën ‘dikaioo’ në kuptimin etik (“të shihesh si i drejtë”), por në kuptimin gjyqësor (“të shpallesh i drejtë”). Perëndia i ka shpallur tashmë të krishterët “të drejtësuar” në Korint (shih Romakëve 5:1; 8:1; 33). Ai mundi ta bënte këtë, sepse “drejtësia” që i përket Krishtit, për shkak të jetës së tij të përsosur, është bërë “drejtësia…jonë” (1 e Korintasve 1:30; shih gjithashtu 2 e Korintasve 5:21). Çështja e Palit te 1 e Korintasve 6:1-11 është që, korintasit duhet të jetojnë në një mënyrë e cila është në përputhje me atë vendim dhe status.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-greed/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2023


EtiketaCrossway, Lakmia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin