imazhi kryesor drita

Prill 2025                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Zanafilla 1:3-4

Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

“Pastaj Perëndia tha.” Te Zanafilla 1, fuqia absolute e Perëndisë shprehet përmes faktit që Ai thjesht flet dhe gjërat krijohen. Drita është vepra e parë krijuese e Perëndisë, të cilën Ai e ‘sjell në jetë’ përmes fjalës. “Drita ishte e mirë” (Zanafilla 1:4). Gjithçka që Perëndia krijon është e mirë. Kjo frazë bëhet refren i rëndësishëm përgjatë kapitullit (shih Zanafilla 1:10,12, 18, 21, 25, 31). “Dhe Perëndia e quajti dritën ‘ditë’...” (Zanafilla 1:5). Fokusi te Zanafilla 1:5 është fakti se Perëndia ka urdhëruar kohën në një cikël javor; prandaj, “U bëftë drita”, mund të tregojë agimin e një dite të re. Perëndia përfytyrohet duke punuar gjashtë ditë e duke pushuar në shabat, një model që përshkruan edhe veprimtarinë njerëzore. Dita e 4-t e zhvillon edhe më tej këtë ide: ndriçuesit vendosen në kupën qiellore si shenja të stinëve, me qëllim për të shënjuar ditët, vitet dhe stinët e festivaleve të mëdha siç është Pashka. Strukturimi i tillë i kohës theksohet edhe më tej përgjatë kapitullit ndërsa çdo fazë e të folurit dhe e plotësimit të krijimit ndahet nga mbrëmja dhe mëngjesi në ditë specifike.

Gjoni 1:4-5

Në të ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Dhe drita shndrit në errësirë, dhe errësira nuk e kaploi.

Prologu i ungjillit të Gjonit prezanton shumë prej temave kryesore që zhvillohen gjatë gjithë ungjillit: Jezusi është jeta (Zanafilla 1:4), drita (Zanafilla 1:5-9) dhe e vërteta (Zanafilla 1:14, 16-17); besimtarët janë fëmijë të Perëndisë (Zanafilla 1:12-13); dhe refuzimi që bota i bën Jezusit (Zanafilla 1:10-11).

Referenca e jetës, e dritës dhe e errësirës vazhdon të jetë një lidhje me Zanafillën (krahaso me Zanafilla 1:3-5; 14-18, 20-31; 2:7; 3:20; Isaia 9:2; 42:6-7; 49:6; 60:1-5; Malakia 4:2; Luka 1:78-79). Përballë këtij sfondi, Jezusi si “drita” sjell në këtë errësirë njohurinë e vërtetë, pastërtinë morale dhe dritën që shfaq vetë praninë e Perëndisë (krahaso me Gjoni 8:12; I Gjoni 1:5).

I e Gjonit 1:5

Dhe ky është lajmi që e kemi dëgjuar nga ai dhe po jua lajmërojmë: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka errësirë aspak.

Natyra e Perëndisë dhe Mëkati njerëzor. “Perëndia është dritë” (I Gjoni 1:5) reflekton sfondin e Dhiatës së Vjetër ku “drita” simbolizon edhe njohurinë, edhe pastërtinë (shih Gjoni 1:4-5; 8:12). Të gjitha shkrimet e Gjonit rrjedhin nga realiteti i Perëndisë në përsosurinë e tij frymërore, nga epërsia e tij morale dhe nga madhështia e tij e pashoqe – drita e tij (shih I Timoteu 6:16). Kjo do të kundërshtojë dukshëm të pabesët që protestojnë për pafajësinë e tyre (I Gjoni 1:6, 8, 10).

Jakobi 1:17

Çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, duke zbritur nga Ati i dritave, tek i cili nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi.

Nuk ka asgjë në këtë botë, që të jetë vërtet e mirë, e të ketë prejardhje tjetër veçse “nga lart”, pra, nga qielli, duke zbritur nga “Ati i dritave”, që i referohet Perëndisë si krijuesi i “dritave” qiellore (Psalmi 74:16; 136:7-9) – një shembull i shkëlqyer i dhuratave të tij të mira. Perëndia është i pandryshueshëm në karakterin e tij, ndryshe nga ndërrimi i natës në ditë apo ndryshimi i hijeve shkaktuar nga dielli a hëna.

Isaia 42:6-7

“Unë, ZOTI, të kam thirrur sipas drejtësisë
dhe do të të zë për dore, 
do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit 
dhe dritën e kombeve, 
për t’u hapur sytë të verbërve, 
për të nxjerrë nga burgu të burgosurit 
dhe ata që dergjen në terr.”

Perëndia e ka bërë shërbëtorin “aleancën e popullit” (Isaia 49:8), pra, ai përfaqëson popullin në besëlidhjen e Perëndisë. Perëndia tha se e ka vendosur atë si “dritën e kombeve” (Isaia 49:6), duke sjellë kështu njohurinë e Perëndisë; me shumë mundësi, kjo lidhet me atë që thotë Jezusi te Gjoni 8:12. “Për t’u hapur sytë… për të nxjerrë.” Ky është qëllimi i hirit të Perëndisë për popullin e tij, duke përdorur imazhin e çlirimit nga mërgimi babilonas për të nënkuptuar çlirimin frymëror.

Gjoni 8:12

Atëherë, përsëri u foli Jezusi atyre, duke thënë: “Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek, nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.

“Unë jam.” Jezusi është drita e botës (shih Gjoni 3:19-21; Gjoni 12:35-36, 46). Jezusi përmbush premtimet e Dhiatës së Vjetër të ardhjes së “dritës” së shpëtimit dhe të “dritës” së Perëndisë (p.sh., Eksodi 25:37; Levitiku 24:2; Psalmi 27:1; Isaia 9:2; 42:6; Gjoni 9:5; Veprat 13:47; 26:18, 23; Efesianëve 5:8-14; 1 e Gjonit 1:5-7).

Mateu 5:14-16

Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet një qytet që shtrihet përmbi mal. Dhe as nuk ndezin një kandil dhe e vënë nën magje, por e vënë mbi kandiler, dhe atëherë u jep dritë gjithë atyre në shtëpi. Kështu duhet të rrezatojë drita juaj përpara njerëzve, me qëllim që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.

“Drita e botës.” Dishepujt e Jezusit kanë jetën e mbretërisë brenda tyre, si dëshmi e gjallë për ata që nuk e kanë ende dritën.

Në një shtëpi tipike judease, “kandili” vendosej zakonisht mbi një shandan që të kishte ndriçim të plotë.

Bota do të shohë dritën e mbretërisë përmes veprave të mira të kryera prej dishepujve të Jezusit (dhe prej besimtarëve sot), duke bërë që njerëzit të lëvdojnë “Atin… që është në qiej”.

Fjalët e Urta 13:9 

Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.

Imazhi i dritës dhe i llambës i referohet gëzimit, energjisë dhe suksesit të dukshëm në jetën e një personi, e të gjitha këto e bëjnë të drejtin të gëzohet, ndërsa i pabesi “do të shuhet”. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu fundin e jetës dhe mungesën e së ardhmes për të pabesin (Fjalët e Urta 24:20).

Romakëve 13:12 

Nata shkoi dhe dita është afruar. Të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.

Në këtë varg, shpëtimi shihet si realitet i së ardhmes, i cili afrohet çdo ditë. “Dita është afruar.” Afrimi i fundit i thërret të krishterët të heqin çdo vepër të keqe dhe të jetojnë në dritë.

Zbulesa 21:22-24 

Dhe nuk pashë shenjtërore në të, sepse Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, është shenjtërorja e tij, si dhe Qengji. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diellin, dhe as për hënën, që të shndrisin mbi të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon dhe kandili i tij është Qengji. Dhe kombet do të ecin përmes dritës së tij, dhe mbretërit e tokës do të sjellin lavdinë e tyre në të.

“Është shenjtërorja e tij, si dhe Qengji.” Vetë Jezusi është tenda dhe tempulli prej të cilit Perëndia banon midis popullit të tij (Gjoni 1:14; 2:19-21). Për shkak se Qengji është mes saj, kisha është “banesë e Perëndisë në Frymë” (Efesianëve 2:22).

Gjuha që jehon Isaian 60:19-20 e identifikon Perëndinë Atë si burimin, dhe Krishtin si ndërmjetësin e “dritës” rrezatuese të nuses (e vërteta dhe pastërtia e saj).


Të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Vjetër janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV, sikurse të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Re janë përshtatur nga Bibla PRO.


Kategoria: Drita

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-light/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2025


Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi bekimin