key verses spiritual gifts

Shtator 2023                                  Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

1 e Korintasve 12:4-6 

Ka larmi dhuntish, por është i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimesh, por është i njëjti Zot. Dhe ka larmi veprueshmërish por është i njëjti Perëndi i cili i vepron të gjitha gjërat në të gjithë.

“Frymë… Zot… Perëndi.” I referohet Trinitetit për Frymën e Shenjtë, Zotin Jezus dhe Perëndinë Atë (krah. me 2 e Kor. 13:14). Modeli më i zakonshëm në letrat e Dhiatës së Re është referimi ndaj Perëndisë Atë me fjalën “Perëndi” (gr. Theos, që është përkthimi në Septuagint për fjalën hebraike ‘Elohim, “Perëndi”) dhe për t’iu referuar Perëndisë Bir, përdoret fjala “Zot” (gr. kyrios, që përdoret mbi 6 000 herë në Septuagint si përkthim për fjalën hebraike nga Dhiata e Vjetër YHWH, “Yahweh” ose “ZOT”). Prandaj, të dy emrat janë provë për hyjninë. Larmia e personave hyjnorë brenda unitetit të Trinisë duhet të reflektohet në larminë e dhuntive brenda unitetit të trupit të Krishtit në Korint. (Shih gjithashtu Ef. 4:3-16). Për këtë arsye, Pali dëshiron që kisha në Korint të kuptojë se si mund të forcohet uniteti mes tyre, duke vlerësuar larminë e dhuntive që Perëndia u ka dhënë.

1 e Korintasve 12:7-11 

Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, fjalë urtësie me anë të Frymës; një tjetri, sipas po atij Fryme fjalë njohurie; një tjetri, besim në po atë Frymë; një tjetri, dhuntitë e shërimeve, në po atë Frymë; një tjetri, pushtet për të kryer mrekulli të fuqishme; një tjetri, profeci; një tjetri, të dallojë frymërat; një tjetri, larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç, ashtu si do vetë.

“Fjalë urtësie…fjalë njohurie.” Disa i kuptojnë këto të dyja si dhunti të mbinatyrshme, me anë të së cilave, folësit i jepet “urtësi” dhe “njohuri” e mbinatyrshme nga Perëndia për t’i përdorur në një situatë të caktuar. Disa të tjerë i konsiderojnë si dhunti më të “natyrshme”: aftësia për të folur me urtësi apo mençuri në një situatë. Shprehjet në greqisht (‘logos sophias’ dhe ‘logos gnoseos’) nuk gjenden në Bibël dhe Pali nuk jep ndonjë shpjegim të mëtejshëm për to, prandaj është e vështirë të jemi të sigurt. Por, duke qenë se Pali përdor një term tjetër, më të gjerë, për t’iu referuar të folurit rreth diçkaje që Perëndia e sjell papritur në mendje, interpretimi i dytë duket më i përshtatshëm.

“Besim.” Nuk bëhet fjalë për besimin që kanë të gjithë të krishterët në Krishtin, meqenëse Pali lë të kuptohet se disa e kanë e të tjerë jo. Ka gjasa të jetë një dhuratë e veçantë besimi për përmbushjen e disa detyrave (shih 1 e Kor. 13:2; krah. me Veprat 14:9; Jak. 5:15). “Dhuntitë e shërimeve.” Të dy emrat janë në shumës duke sugjeruar se njerëz të ndryshëm mund të kenë lloje të ndryshme shërimesh.

“Mrekulli.” Me shumë gjasa është aftësia për të kryer mrekulli të ndryshme, duke e përfshirë shërimin, por jo duke mbetur vetëm aty (shih Veprat 8:13; Veprat 14:8-10; Veprat 19:11-12; Rom. 15:19; Gal. 3:5; Hebr. 2:4). “Profeci.” Fjala “profeci” (greqisht ‘prophetia’), siç përdoret edhe nga Pali te 1 e Korintasve, i referohet përgjithësisht të folurit që raporton diçka që Perëndia e sjell spontanisht në mendje ose “e shfaq” te folësi, por që komunikohet me fjalë të thjeshta njerëzore, jo me fjalë nga Perëndia. Për këtë arsye, mund të ketë gabime, e duhet gjykuar dhe provuar (shih 1 e Kor. 14:29; 1 e Thes. 5:19-21). Një pikëpamje alternative që kanë disa për këtë dhunti është që përfshin të folurit në vetë fjalët e Perëndisë, me autoritet të barabartë me profetët e Dhiatës së Vjetër dhe në mënyrë të barabartë me fjalët e Shkrimit. Një pikëpamje e tretë është që kjo dhunti është shumë e ngjashme me dhuntitë e predikimit dhe të mësimit. Kjo dhunti është shumë e dallueshme në kishat e Dhiatës së Re (shih 1 e Kor. 11:2-5; 1 e Kor. 12:28-29; 1 e Kor. 13:2, 8-9; 1 e Kor. 14:1-40; Veprat 2:17-18; Veprat 11:27-28; Veprat 19:6; Veprat 21:9-11; Rom. 12:6; 1 e Thes. 5:19-21; 1 e Tim. 1:18; 4:14; 1 e Gjonit 4:1). Profecia përdoret për të ndërtuar, për të inkurajuar dhe për të ngushëlluar komunitetin e mbledhur (1 e Kor 14:3). Profecia përdoret gjithashtu nga ana ungjillëzuese për të zbuluar sekretet e zemrave të jobesimtarëve dhe për t’i drejtuar ato që të adhurojnë Perëndinë (1 e Kor 14:24-25). Për shkak se Perëndia e përdori këtë dhunti për të ndërtuar komuntietin e krishterë, Pali i nxit korintasit ta çmojnë shumë këtë dhunti (1 e Kor 14:4-5, 39). “Të dallojë frymërat.” Kjo është aftësia e veçantë për të bërë dallimin midis ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe ndikimit të frymërave demoniake në jetën e dikujt. Ata që thonë se flasin nga nxitja e Frymës mund të jenë gabim, prandaj Perëndia i jep komunitetit të krishterë dhuntinë e dallimit (1 e Kor 14:29; 1 e Thes 5:20-21; 1 e Gjonit 4:1-3). “Larmi gjuhësh.” Të folurit në një gjuhë që folësi nuk e njeh, e që ndonjëherë nuk ndjek modelin e asnjë gjuhe njerëzore (1 e Kor. 13:10. Pali e sheh këtë dhunti si mënyrë për të shprehur lutje ose lavdërim ndaj Perëndisë (1 e Kor. 14:2, 1 e Kor. 14:14-17, 28; krah. me Veprat 10:46), është një gjuhë ku fryma njerëzore e folësit po lutet edhe pse folësi nuk e kupton domethënien (shih 1 e Kor. 14:2, 11, 13-19, 23). Zakonisht natyra e pakuptueshme e gjuhëve e bën të nevojshme interpretimin e tyre, sepse komuniteti i mbledhur duhet të ndërtohet prej tyre (1 e Kor. 14:1-25). Me shumë mundësi, Pali i vendosi dy dhuntitë e fundit në fund të listës, për shkak se theksimi i tepërt i gjuhëve në Korint i kishte çuar njerëzit në neglizhencë të atyre me dhunti të tjera (1 e Kor. 12:14-26). Shih gjithashtu 1 e Kor. 12:28 dhe 1 e Kor. 12:30. Të krishterët që besojnë Biblën, nuk pajtohen me faktin nëse dhuntia e të folurit në gjuhë ka pushuar pas kohës apostolike të kishës së hershme, apo nëse gjuhët janë një dhunti shpirtërore që duhet të praktikohet ende sot. Sidoqoftë, nuk ka tregues që shprehin se të folurit në gjuhë është një kërkesë normative që të gjithë të krishterët duhet ta përjetojnë.

Romakëve 12:4-8

Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili gjymtyrë të njëri-tjetrit. Dhe, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që këshillon, le t’i kushtohet këshillimit; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshire, le t’i bëjë me gëzim.

Ndryshimet dhe uniteti mes besimtarëve në kishë ilustrohen nëpërmjet krahasimit me trupin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut është një me shumë (fjalë për fjalë: pjesë trupi, gjymtyrë), ashtu edhe kisha është e bashkuar, edhe pse përbëhet nga shumë pjesëtarë. Lidhur me temën e kishës si trupi i Krishtit, shih gjithashtu vargjet: 1 e Kor. 12 dhe Efes. 4;4, 12-16.

Llojshmëria e trupit tregohet përmes dhuntive të ndryshme që Perëndia i ka dhënë kishës. Lidhur me dhuntinë e profecisë, shih te Veprat 21:4; 21:10-11; 1 e Kor. 12:10; Efes. 2:20; 1 e Thes. 5:20-21. “Sipas masës së besimit.” Pali i udhëzon profetët të flasin vetëm kur kanë besimin dhe bindjen se Fryma e Shenjtë po iu shfaq vërtet diçka, dhe të mos shkojnë përtej besimit që u ka dhënë Perëndia për t’u pëlqyer të tjerëve.

Të krishterët duhet të përqendrohen e t’i harxhojnë energjitë drejt dhuntive që u ka dhënë Perëndia, qoftë për t’i shërbyer të tjerëve, për të mësuar me durim Fjalën e Perëndisë, apo në nxitje dhe inkurajim për gjërat e Perëndisë. Për këtë arsye, Pali nxjerr në dritë tri qëndrime të nevojshme për ushtrimin e dhuntive specifike: (1) ata që kanë dhuntinë e veçantë për t’i ndihmuar të tjerët financiarisht, nuk duhet të japin me pahir, por të jenë gjithnjë bujarë; (2) ata që drejtojnë, shpeshherë nuk i japin llogari askujt, prandaj duhet të ruhen nga përtacia; (3) ata që tregojnë mëshirë ndaj të lënduarve, nuk duhet të lodhen, por duhet të shërbejnë me gëzim.

1 e Korintasve 12:26-31a

Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Dhe ju jeni trupi i Krishtit dhe gjymtyrët e tij, veç e veç. Dhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimeve, të ndihmës, të qeverisjes, të larmive të gjuhëve. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë vallë të gjithë profetë? Janë vallë të gjithë mësues? A kanë vallë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë vallë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin vallë të gjithë në gjuhë të tjera? A interpretojnë vallë të gjithë? Por kërkoni me zell dhuntitë më të mira...

Qëllimi i dhuntive është të ndërtojmë njëri-tjetrin dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, jo të mburremi për shenjtërinë personale.

“Së pari… së dyti… së treti…” duket se ka një renditje rëndësie apo përfitimi për kishën, ku apostujt janë të parët, pastaj vijnë profecia dhe mësimi, të cilat kontribuojnë shumë në ndërtimin e njerëzve. Dhuntia si mësues, ajo e ndihmës dhe e qeverisjes, nuk shfaqen te lista e 1 e Korintasve 12:8-10, dhe ndihma e qeverisja nuk përmenden në pyetja retorike te 1 e Korintasve 12:29-30, duke treguar se listat e ndryshme janë përfaqësuese dhe jo gjithëpërfshirëse.

Efesianëve 4:11-16

Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë, të tjerë si barinj e mësues, për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këndej dhe të çuar aty-këtu nga çdo erë e doktrinës, nëpërmjet mashtrimit të njerëzve dhe dinakërisë së tyre që me dredhi çojnë në gabim, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi i bashkuar dhe i lidhur mirë, me anë të bashkimit të ndihmesës sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.

Krishti u jep dhunti specifike frymërore njerëzve në kishë, misioni kryesor i të cilëve është ndarja e Fjalës së Perëndisë (Efes. 4:12). Lidhur me profetët, ka disa këndvështrime të Dhiatës së Re mbi natyrën e dhuntisë së profecisë që ndikojnë të kuptuarit e këtij vargu. Duke qenë se këtu struktura e fjalisë në greqisht është ndryshe nga ajo e Efesianëve 2:20 dhe 3:5, disa e shohin këtë varg si një referencë më të gjerë për dhuntinë e profecisë, përgjithësisht në Dhiatën e Re, dhe jo si një referencë për profetët “themelorë” të përmendur tek Efesianëve 2:20 dhe 3:5. Nga fjala në greqisht për “ungjillin” (euangelion), fjala “ungjilltarë” të drejton te njerëz si Filipi dhe Timoteu që shpallën ungjillin (Veprat 21:8; 2 e Tim. 4:5). “Barinj” (ose “pastorë”). Në Dhiatën e Vjetër, këta janë mbretër e gjyqtarë (2 i Sam. 5:2; 7:7). Në Dhiatën e Re, pleqtë e kryenin detyrën e bariut duke u kujdesur dhe duke e ushqyer kishën (Veprat 20:28; 1 e Pjetrit 5:1-2). Nuk është i qartë fakti nëse “barinj e mësues” i referohet dy roleve apo funksioneve të ndryshme në shërbesë, apo nëse kjo është një referencë për një rol të vetëm “bari-mësues”, duke qenë se Pali po përdor një lidhëz tjetër greke në fund të listës që i bashkon më shumë se të tjerët këta dy emra. Nëse “mësuesit” janë një grup më vete, mund të kuptohen si degë e barinjve (mbikëqyrës, pleq) që kanë përgjegjësi për udhëzimet në Fjalën e Perëndisë (krah. me 1 e Tim. 5:17).

Këta drejtues të kishës me dhunti të ndryshme (Efes. 4:11) duhet të pajisin shenjtorët (të gjithë të krishterët) që të bëjnë punën e shërbesës. Të gjithë të krishterët kanë dhunti frymërore që duhen përdorur për t’i shërbyer njëri-tjetrit (1 e Kor. 12:7, 11; 1 e Pjetrit 4:10).

Llojshmëria e dhuntive shërben për të sjellë unitet në popullin e Krishtit. “Te një burrë i përsosur” është zgjatim i metaforës së trupit që u përdor pak më parë për kishën dhe bie në kontrast me fjalën “foshnja” që përdoret në vargun e mëposhtëm (shih Hebr. 5:11-14). Disa njerëz mendojnë se mësimi i doktrinës, në thelb është përçarës, por janë ‘njerëzit’ në fakt ata që ndajnë kishën, ndërsa njohuria e Birit të Perëndisë (edhe të njohësh Krishtin personalisht, edhe të kuptosh gjithçka që Ai bëri dhe mësoi) është ndërtuese dhe kur jepet me dashuri, të çon te një “burrë i përsosur” (Filip. 3:10). Puna e shërbestarëve që kishin dhunti (Efes. 4:11), ishte të shpallnin dhe të mësonin fjalën e qendërzuar te Krishti dhe jo te mësimet spekuluese apo të shtrembëruara nga vetja e tyre (krah. me 1 e Kor. 2:2). “Masën.” Krishti Jezus është standardi i pjekurisë për të cilin duhet të përpiqet kisha. Plotësia e Krishtit është shprehja e plotë e përsosmërisë së tij hyjnore dhe njerëzore (shih Efes. 1:23; 3:19; Kol. 1:19; 2:9).

“Bashkimit.” Pali vazhdon metaforën e trupit për të përshkruar pjekurinë e kishës. Secili pjesëtar (pra, çdo besimtar, i parë si gjymtyrë apo pjesë në trupin e Krishtit), luan një rol thelbësor në këtë rritje. “Në dashuri.” Nuk ka pjekuri apo shërbesë vërtet të krishterë pa dashuri (1 e Kor. 13), dhe çdo vepër dashurie në emrin e Krishtit vlerësohet dhe kujtohet prej tij, ndërsa secila gjymtyrë bën punën e vet (ilustruar tek Efes. 4:25-32; krah. me Mateu 25:31-43; 26:6-13).

1 e Korintasve 1:4-8

Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit, sepse në të u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri, sikurse dëshmia e Krishtit që u vërtetua ndër ju, aq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, duke pritur me durim zbulesën e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krisht.

Pali është falënderues që Perëndia i ka bekuar me bollëk korintasit në çdo fjalë, njohuri dhe dhunti frymërore. Pavarësisht disa problemeve me këto bekime (1 e Kor. 8:1-3, 10; 1 e Kor. 12:12-31; 1 e Kor.14:1-40), ai i konsideron ato dhunti nga Perëndia.

Në të u bëtë të pasur.” Te 1 e Korintasve 4:8, Pali do të thotë se pasuritë frymërore të korintasve kanë çuar në fryrje e mburrje. Mirënjohja e Palit këtu tregon se problemi nuk qëndron te dhuntitë që Perëndia u kishte dhënë, por te mënyra se si korintasit i përdorën ato dhunti. Kura gjendet në një dozë të shëndetshme mirënjohjeje (1 e Kor. 4:7). Korintasit vlerësonin veçanërisht dhuntitë e të folurit dhe të njohurisë (shih 1 e Kor. 8:1-3, 10; 1 e Kor. 12:8; 1 e Kor. 13:2; 1 e Kor. 14:1-40), por për shkak se këto dhunti i kishin përdorur në mënyra të gabuara dhe të papërshtatshme, ushtrimi i tyre kishte çuar në mungesë uniteti (1 e Kor. 8:1-3; 1 e Kor. 12:29-30; 1 e Kor. 14:4).

Kur Pali u thotë “u bëtë të pasur” në Krishtin, “në çdo fjalë dhe në çdo njohuri” (1 e Kor. 1:5) që të mos ju mungojë asnjë dhunti, ai nënkupton se shumë dhunti frymërore janë “pasurim” i aftësive për të folur, i njohurisë, apo i aftësive që njerëzit kishin para se të bëheshin të krishterë. “Duke pritur me durim zbulesën e Zotit tonë Jezu Krisht” nënkupton se dhuntitë frymërore jepen si sigurim i pjesshëm derisa Krishti të kthehet (shih 1 e Kor. 13:10).

1 e Pjetrit 4:10-11

Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si administratorë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Nëse dikush flet, le ta bëjë si thëniet e Perëndisë; kush bën një shërbim, le ta bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amen.

Të gjithë besimtarët kanë marrë të paktën një dhunti frymërore nga Perëndia dhe nuk janë grumbullues të këtyre dhuntive, por duhet t’i përdorin me besnikëri si administratorë të hirit të Perëndisë (krah. me 1 e Kor.intasve 12-14).

“Nëse dikush flet…kush bën një shërbim.” Pjetri i ndan përgjithësisht dhuntitë në ato të të folurit dhe të të shërbyerit (për një listë më të detajuar, shih Rom. 12:6-8; 1 e Kor. 12:8-10, 28-30; dhe Efes. 4:11). Ata që flasin nuk duhet të ngrenë idetë e tyre, por të deklarojnë me besnikëri fjalët e Perëndisë (thëniet). Po ashtu, ata që shërbejnë nuk duhet të varen në fuqitë e tyre, por të marrin forcë nga Perëndia, në mënyrë që të përlëvdohet vetëm Perëndia përmes Jezu Krishtit.

2 e Timoteut 1:6-7

Për këtë arsye po të kujtoj ta ndezësh dhuntinë e Perëndisë, që është në ty, përmes vënies së duarve të mia. Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe mendjekthjelltësie.

“Ta ndezësh dhuntinë e Perëndisë.” Pali nuk e shpjegon cila është dhuntia, gjë që mundëson që ky parim të aplikohet për të gjitha llojet e dhuntive. Dhunti të tilla kanë tendencën të zbehen në forcë kur nuk përdoren dhe nuk inkurajohen. “Përmes vënies së duarve të mia” mund t’i referohet shugurimit të Timoteut. Ky pasazh përqendrohet në pjesën e Palit në atë ngjarje, ndërsa 1 e Timoteut 4:14 i referohet përfshirjes nga “pleqësia”.

Frymë.” Me shumë mundësi, Fryma e Shenjtë. “Frike.” Kjo fjalë në greqisht (deilia), në literaturën jobiblike, i referohet atij që ia mbath nga beteja dhe që ka një ndjesi të fortë negative lidhur me të qenët frikacak. Guximi, e jo frika, është shenjë e Frymës (shih Fjalët e Urta 28:1; Veprat 4:31).

1 e Korintasve 14:1-5

Kapuni pas dashurisë dhe kërkoni me zell të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos, që të mund të profetizoni, sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por në frymë flet mistere. Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim. Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën. Por do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh sesa ai që flet gjuhë, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.

“Kërkoni me zell.” Edhe midis keqpërdorimit të dhuntive frymërore, Pali nuk thotë të mos i përdorin më, por t’i kërkojnë edhe më shumë, duke reflektuar kështu bindjen e tij se ato (dhuntitë) jepen nga Perëndia për të mirën e kishës (krah. me 1 e Kor. 12; 1 e Kor. 12:31).

Nuk u flet njerëzve, por Perëndisë”, tregon se Pali i sheh gjuhët si formë lutjeje dhe adhurimi, por në një gjuhë të cilën folësi nuk e kupton. “Askush nuk e kupton”, nënkupton që Pali pret që gjuhët në Korint të jenë të panjohura, jo si situata ungjillëzuese te Veprat 2:1-13.

Ai që flet në gjuhë, ndërton veten, sepse fryma e tij i lutet Perëndisë, edhe pse ai vetë nuk e kupton se çfarë po thotë (shih 1 e Kor.14: 2, 14, 28).

“Do të doja që të gjithë ju të flisnit në gjuhë.” Dëshira e Palit për t’i vënë kufij të folurit në gjuhë nuk do të thotë se ai mendon që korintasit duhet ta braktisin këtë dhunti. Ajo e ndërton individin që e ka (v.4) dhe nëse interpretohet, ndërton kishën. (Shih gjithashtu 1 e Kor. 14:13, 18, 27, 39.) Megjithatë, profecia është më e lartë, sepse si gjuhë e kuptueshme që nuk ka nevojë për interpretim, është më drejtpërdrejt e dobishme në kishë. “Veçse në interpretoftë” nënkupton që, nëse ka interpretues, profecia dhe gjuhët kanë të njëjtën vlerë, duke qenë se janë të dyja të kuptueshme. Megjithatë, vlera e barabartë nuk nënkupton se kanë të njëjtin funksion, sepse profecia bazohet në diçka që Perëndia e sjell papritur në mendjen e folësit, e për këtë arsye është komunikim nga Perëndia për njeriun (1 e Kor. 14:25, 30; krah. me Veprat 11:28; 21:4, 10-11), ndërsa të folurit në gjuhë është zakonisht një lutje apo lavdërim nga njeriu për Perëndinë (1 e Kor.e 14:2, 14-17, 28; krah. me Veprat 10:46).

1 e Korintasve 13:1-3

Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. Edhe po të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe po të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk do të isha asgjë. Edhe po të ndaja gjithë ç’kam timen që të ushqeja të varfrit dhe po ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!

“Gjuhët… engjëjve.” Gjuhët, me shumë mundësi, janë dhuntia e parë që përmenden, për shkak se korintasit e kanë përdorur e theksuar pa dashuri (1 e Kor. 12:21).

“Po ta jepja trupin tim që të digjej.” Ashtu siç bënë Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja (Dan. 3:19-23; Hebr. 11:34). Dashuria nuk mund të matet vetëm me vepra; edhe qëllimet duhen vlerësuar për të përcaktuar çfarë është bërë me dashuri (shih 1 e Kor. 4:4-5).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-spiritual-gifts/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2023


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin