Prill 2025 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Efesianëve 1:3
I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, ai që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin.
“I bekuar qoftë.” Bekimi që hap lutjen e Palit është i ngjashëm me atë të lutjeve judease të shekullit të parë, që recitoheshin përgjatë ditës (krahaso me II Korintasve 1:3; I e Pjetrit 1:3). “Në Krishtin.” Përlëvdimi i Palit thekson ndërmjetësimin e Krishtit për të gjitha bekimet e Perëndisë, duke përsëritur se këto gjëra të mira janë tonat “në Krishtin” (Efesianëve 1:3, 9), “në të Dashurin” (Efesianëve 1:6), ose “në të” (Efesianëve 1:4, 7, 11, 13). “Frymëror” (gr. pneumatikos), në këtë rast tregon se dhuratat shpëtuese të Perëndisë jepen përmes Frymës së Shenjtë (gr. Pneuma), prania personale e të cilit është garantuesi i bekimeve qiellore të së ardhmes përgjatë kësaj epoke (shih “këngë frymërore” tek Efesianëve 5:19; Kolosianëve 3:16). Prandaj, këto bekime janë në “vendet qiellore”, duke qenë se ai është vendbanimi i ardhshëm i të krishterëve në lavdinë e paprishshme kur ata të ringjallen në një trup frymëror përmes “Adamit të fundit”, që është “frymë që bën të gjallë” (I Korintasve 15:40, 44-50).
Zanafilla 12:2-3 (versioni “Së bashku”)
“Do të të bëj komb të madh e do të të bekoj. Emrin tënd do ta bëj të madh e bekim do të jesh. Do të bekoj këdo që të bekon, por atë që të përçmon do ta mallkoj. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty”.
Fjalimi hyjnor që prezanton krejt papritur këtë pjesë të Zanafillës është veçanërisht i rëndësishëm, sepse përcakton rrjedhën e historisë, jo vetëm për jetën e Abramit, por edhe për pasardhjen e tij. Përqendrimi te mënyra se si bekimi hyjnor do të kalojë përmes Abramit te “të gjitha fiset e tokës”, shënjon një pikë kthese të rëndësishme në librin e Zanafillës. Përsëritja e foljes “bekoj” (Zanafilla 12:2-3) thekson shpresën se përmes Abramit, njerëzit kudo do të mund të përjetojnë hirin e Perëndisë, duke përmbysur përvojën kryesisht negative të ngjarjeve te Zanafilla 3–11. Planet e Perëndisë për Abramin kanë dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, dimensione të cilat zhvillohen në episodet pasuese.
Qëllimi i Perëndisë për Abramin, për ta bërë një “komb të madh”, qëndron në kontrast të fortë me shterpësinë e Sarait, dhe thirrjeve për të lënë vendin e tij. Abrami sfidohet nga Perëndia për të zhvilluar një njerëzim të ri. “Emrin tënd do ta bëj të madh.” Ky ishte synimi i dështuar i atyre që po ndërtonin kullën (Zanafilla 11:4).
Edhe pse Abrami merr thirrje që të jetë bekim për të tjerët, shumëçka varet nga mënyra se si të tjerët e trajtojnë atë. Ata që janë pozitivë kundrejt Abramit do të përjetojnë hirin e Perëndisë; ata që e përçmojnë Abramin do të përjetojnë mospëlqimin e Perëndisë. Teksti flet për “këdo që të bekon” (shumës), por “atë që të përçmon” (njëjës), duke theksuar se do të jenë më të shumtë të bekuarit se sa të mallkuarit. Në të vërtetë, i tillë do të jetë ndikimi i Abramit, saqë “të gjitha fiset e tokës do të bekohen” në të. Ky premtim i përforcohet më vonë Isakut dhe Jakobit (shih Zanafilla 22:18; 26:4; 28:14). “Në ty.” Kjo mund të nënkuptojë “përmes teje”, por ka më tepër gjasa të jetë një shprehje që cakton Abramin si përfaqësuesin e besëlidhjes për popullin. Të jesh “në” një person, do të thotë të jesh pjesë e atij populli që ky person përfaqëson (krahaso me 2 i Samuelit 19:43; 20:1). Me sa duket, kjo është mënyra se si e interpreton Pali atë te Galatasve 3:8-9, ku “në ty” bëhet “bashkë me” Abrahamin; ky interpretim do të shpjegonte gjithashtu origjinën e shprehjes “në Krishtin” në Dhiatën e Re.
Ligji i Përtërirë 30:19
Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhja jote.
“Unë marr… qiellin dhe tokën.” Traktatet e lashta duhej që të kishin dëshmitarë, në mënyrë që të miratoheshin. Shpeshherë këta dëshmitarë ishin perënditë. Te Ligji i Përtërirë, duke qenë se vetë Perëndia është palë e besëlidhjes, si dëshmitarë merren qielli dhe toka. Jeta dhe të jetuarit, është temë kyç në kapitullin 30 (shih Ligji i Përtërirë 30:6, 15, 16, 18, 19, 20). “Zgjidh… jetën” do të thotë zgjidh vetë Perëndinë, besoji hirit të Tij dhe rrethprit zemrën.
Psalmi 118:26
I bekuar qoftë ai që vjen në emër të ZOTIT; ne ju bekojmë nga Shtëpia e ZOTIT.
“I bekuar qoftë ai që vjen në emër të ZOTIT!” Turmat i përdorën këto fjalë teksa bërtisnin gjatë hyrjes triumfuese të Jezusit (Mateu 21:9; Marku 11:9; Luka 19:38; Gjoni 12:13), duke nënkuptuar se ata mendonin që ishte një rast i veçantë. Jezusi i përdori këto fjalë kur iu drejtua Jerusalemit; për shkak të rezistencës së saj ndaj Perëndisë, “Shtëpia” (me shumë mundësi, tempulli) e saj ishte shkretuar, dhe asaj do t’i duhej ta priste Jezusin me këto fjalë, nëse do të donte ta shihte atë (Mateu 23:39; Luka 13:35).
Mateu 5:43-45
Dëgjuat se u tha: ‘Do ta duash të afërmin tënd’ dhe ‘do ta urresh armikun tënd’. 44Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin, 45me qëllim që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej; sepse ai e bën të lindë diellin e tij mbi të ligj dhe të mirë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtë dhe të padrejtë.
“Duajini armiqtë tuaj.” Perëndia e urren të keqen, megjithatë ai gjithsesi sjell shumë bekime në këtë jetë, edhe për armiqtë e tij (Mateu 5:45), përmes “hirit të përbashkët” (favori që Perëndia u jep të gjithë njerëzve, jo vetëm besimtarëve). Këto bekime kanë për qëllim t’i çojnë jobesimtarët drejt pendimit (Veprat e Apostujve 14:18; Romakëve 2:4). Patjetër, na tregohet se Perëndia i urren ata që janë të pabesë e të pamend (krahaso me Psalmin 5:5; 11:5; Efesianëve 2:3), mirëpo bekimet e hirit të përgjithshëm nga Perëndia kanë të bëjnë me veprimet e tij, kryesisht siguruese, kundrejt njerëzimit, në këtë kohë.
“Bij.” Bijtë e “Atit” qiellor janë ata që i përgjigjen vullnetit të tij, siç pasqyrohet në shërbesën e Jezusit (krahaso me 12:48-50). “Diellin…shi.” Perëndia tregon hir dhe kujdes për të gjitha krijesat e tij; prandaj, dishepujt e Jezusit duhet të imitojnë Perëndinë dhe të duan edhe të afërmit, edhe armiqtë.
Numrat 6:22-27
ZOTI i foli ende Moisiut, duke thënë: “Folu Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ju do t’i bekoni kështu bijtë e Izraelit, duke u thënë: ZOTI të bekoftë dhe të ruajttë! ZOTI bëftë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi ty dhe qoftë i hirshëm me ty! ZOTI ktheftë fytyrën e tij mbi ty dhe të sjelltë paqe!’. Kështu do ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit dhe unë do t’i bekoj”.
Bekimi priftëror. Gjendur në librin e Numrave, ky bekim i famshëm tregon se vullneti i Perëndisë është të bekojë çdo izraelit, jo vetëm nazareasit. Megjithatë, bekimi i Perëndisë kalon përmes priftërinjve. Zbulimi më i hershëm arkeologjik, që përmban emrin e Perëndisë në besëlidhje (Yahve) në Jerusalem, është një hajmali argjendi që përmban bekimin priftëror. Gjendej në një varr judeas që daton në shekullin e shtatë ose të gjashtë para Krishtit.
“ZOTI të bekoftë.” Perëndia bekon duke dhënë të korra të mira, paqe, fëmijë dhe praninë e Tij (Levitiku 26:3-13). “Të ruajttë.” Pra, mbrojtje.
“Të shkëlqejë fytyra e tij mbi ty.” Prania e Perëndisë është si shkëlqimi i diellit (Psalmi 19:1-11). Një fytyrë që shkëlqen është një fytyrë që buzëqesh, një shfaqje e hirit të Perëndisë (Psalmi 80:3, 7, 19).
Që Perëndia të kthejë “fytyrën e tij” do të thotë të japë vëmendje e ta trajtojë popullin me hir. “Paqe” (hebr. shalom) përfshin më tepër se ideja e “mungesës së luftës”; nënkupton mirëqenie të plotë.
Malakia 3:10
“Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë”, thotë ZOTI i ushtrive, “nëse unë nuk do t’i hap portat e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”.
Si provë e pendesës me gjithë zemër (Malakia 3:7), Perëndia premton se nëse populli i tij bëhet besnik me dhënien e të dhjetave (hebraisht do të thotë “një e dhjeta”), atëherë shiu që mezi presin do të vijë (Malakia 3:10), murtaja dhe shkatërrimi i të korrave do të ndalet (vargu 11) dhe premtimi si i Abrahamit që “të gjitha kombet do t’ju shpallin të lumtur” (Malakia 3:12; Psalmi 72:17) do të përmbushet. Të dhjetat jepeshin për të mbështetur priftërinjtë dhe levitët (shih Nehemia 10:38; 12:44), shërbesa e të cilëve ishte thelbësore që Izraeli të ishte besnik ndaj thirrjes së tij. Duke thënë: “më vini në provë”, Perëndia i sfidon njerëzit të japin të dhjetën që i detyrohen, dhe më pas të shohin nëse ai do t’i qëndrojë besnik premtimit të tij. Perëndia premton se do të plotësojë të gjitha nevojat e tyre, por jo “lakmitë” e tyre, gjithashtu se do të derdhë mbi ta “aq shumë bekim”, sa nuk do të kenë vend të mjaftueshëm ku ta shtien.
Jakobi 1:17
Çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, duke zbritur nga Ati i dritave, tek i cili nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi.
Jakobi kalon nga tundimet e të ligut (të cilat nuk vijnë kurrë nga Perëndia) në vërejtjen se “çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur” vjen nga Perëndia (krahaso me Mateu 7:11). Njësoj si te Jakobi 1:5, edhe këtu, ai u kujton lexuesve mirësinë e Perëndisë. Në sfidat e tyre, Perëndia nuk i tundon të mëkatojnë, por qëllimi i vështirësive është që ata të forcohen, të përsosen e të jenë më të ngjashëm me Perëndinë. Qëllimet e Perëndisë për ta janë gjithmonë të mira (krahaso me Romakëve 8:28). Nuk ka asgjë në këtë botë që të jetë vërtet e mirë e të mos e ketë origjinën “nga lart”, pra, nga qielli, e që zbret nga “Ati i dritave”, që i referohet Perëndisë si krijuesi i “dritave” qiellore (Psalmi 74:16; 136:7-9) – një shembull i dhuratave të tij të mira. Perëndia është i pandryshueshëm në karakter, po njësoj edhe në dhënien e të mirave, ndryshe nga ndërrimi i natës në ditë apo ndryshimi i hijeve shkaktuar nga dielli apo hëna.
Psalmi 1:1-2
Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por gjen kënaqësinë e tij në ligjin e ZOTIT dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
“Lum”(bekuar). Njeriu vërtet i lumë është i tillë për shkak se Perëndia e mbush me hir. Jezusi përdori fjalën ekuivalente greqisht te Mateu 5:3-11; krahaso me Jakobin 1:12. Në latinisht, fjala është ‘beautus’. The Latin translation, beatus, is the source of the word beatitude. “Njeriu.” Një individ specifik i perëndishëm (hebr. ha’ish, “njeriu”) vendoset si shembull për t’u ndjekur nga të tjerët. Mësime të tilla që përdorin shembuj konkretë janë të zakonshme në letërsinë e Dhiatës së Vjetër. “Të pabesëve… mëkatarëve… tallësit.” Këta janë njerëz, edhe midis izraelitëve, që nuk pranojnë të jetojnë sipas besëlidhjes; njeriu i perëndishëm nuk pranon të ndjekë orientimin moral të një stili të tillë jetese. Disa e kanë interpretuar si rritje të nivelit të mëkatit në termat “të pabesëve… mëkatarëve… tallësit”, bashkëngjitur me rritjen e besnikërisë ndaj tyre te metaforat “ecën – ndalet – ulet”; megjithatë, ka më tepër gjasa që “të pabesëve” dhe “mëkatarëve” të jenë të barabarta në këtë rast, ndërsa “tallësit” është emër padyshim më i përkushtuar ndaj së keqes.
Mateu 5:3-11
“Lum të varfrit në frymë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve.
Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
Lum të butët, sepse ata do të trashëgojnë tokën.
Lum ata që kanë uri dhe që kanë etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
Lum të mëshirshmit, sepse ata do të mëshirohen.
Lum të pastrit në zemër, sepse ata do të shikojnë Perëndinë.
Lum paqebërësit, sepse ata do të thirren bij të Perëndisë.
Lum ata që janë përndjekur për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve.
Të lumë jeni ju kur t’ju shajnë dhe t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, të thonë çdo të ligë kundër jush për shkakun tim.”
Lumturitë fillojnë të gjitha me “lum...”. Quhen lumturitë, nga latinishtja “beatus”, “I bekuar, i lumtur”. Këto deklarata të shkurtra përmbledhin thelbin e Predikimit në Mal.
“Lum” (bekuar). Më tepër se sa një ndjenjë e përkohshme lumturie që varet nga rrethanat, kjo është një gjendje mirëqenieje në marrëdhënie me Perëndinë, që u përket atyre që i përgjigjen shërbesës së Jezusit. “Të varfrit në frymë” janë ata që e kuptojnë se kanë nevojë për ndihmën e Perëndisë. “E tyre është Mbretëria e Qiejve.” Ajo u përket atyre që e rrëfejnë dështimin e tyre frymëror.
“Të lumë jeni ju kur t'ju shajnë dhe t'ju përndjekin… për shkakun tim.” Ashtu si Jezusi përjetoi kundërshtime dhe përndjekje, edhe dishepujt duhet të presin të njëjtën gjë. Shpërblimi i tyre mund të mos vijë në tokë, por me siguri do të jetë i tyre te “në qiej”.
Të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Vjetër janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV, sikurse të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Re janë përshtatur nga Bibla PRO.
Kategoria: Bekimi
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-blessing/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2025