Shtator_10

Shtator 2022


Psalmi 56:3 thotë: “Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.”

Vër re që nuk thuhet: “Nuk përleshem kurrë me frikën.” Frika godet dhe beteja fillon. Prandaj Bibla nuk supozon që besimtarët e vërtetë nuk do të përjetojnë ankth. Përkundrazi Bibla na thotë se si të luftojmë kur vjen ankthi.

Për shembull, 1 e Pjetrit 5:7 thotë: “[Hidheni] gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.” Vargu nuk thotë se nuk do të përjetoni kurrë ankth, por thotë se kur të përballeni me të, hidheni mbi Perëndinë. Kur xhami i parë i makinës tuaj spërkatet nga balta dhe për një çast nuk e dalloni rrugën dhe nisni të shkoni majtas-djathtas nga ankthi, vini në punë fshirëset e xhamit dhe lëngun pastrues.

Prandaj reagimi im ndaj atij që i duhet të përballet me ndjenjat e ankthit çdo ditë është që t’i them: kjo është pak a shumë normale. Të paktën kështu ka qenë për mua që nga adoleshenca. Çështja është: Si të luftojmë kundër këtyre ndjenjave?

Përgjigjja është: Ne e luftojmë ankthin duke luftuar kundër mosbesimit dhe duke luftuar për besimin në hirin e ardhshëm. Mënyra si e luftojmë këtë “luftë të mirë” (1 e Timoteut 6:12; 2 e Timoteut 4:7) është duke medituar mbi sigurinë që Perëndia na jep për hirin e ardhshëm dhe duke kërkuar ndihmën e Frymës së Tij.

Fshirëset e xhamave janë premtimet e Perëndisë, të cilat e largojnë baltën e mosbesimit dhe lëngu i pastrimit është ndihma e Frymës së Shenjtë. Beteja për të qenë i lirë nga mëkati–duke përfshirë edhe mëkatin e ankthit–luftohet “në shenjtërimin e Frymës dhe të besimit në të vërtetën” (2 e Thesalonikasve 2:13).

Puna e Frymës së Shenjtë dhe fjala e së vërtetës. Këto janë dy ndërtuesit e mëdhenj të besimit. Pa punën zbutëse të Frymës së Shenjtë fshirëset e fjalës thjesht gërvishtin njollat verbuese të mosbesimit mbi xhamin ballor.

Të dyja janë të nevojshme: Fryma dhe fjala. Ne i lexojmë premtimet e Perëndisë dhe lutemi për ndihmën e Frymës së Tij. Ndërsa xhami ballor pastrohet që të mund të shohim mirëqenien që Perëndia planifikon për ne (Jeremia 29:11), besimi ynë bëhet edhe më i fortë dhe kështu pakësohen shmangiet e shkaktuara nga ankthi.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>