“O njeri, ai ta tregoi çka është e mirë, çka ZOTI kërkon prej teje: veç të veprosh drejt, të duash
mirësinë dhe të jesh i përulur me Perëndinë tënd.” MIKEA 6:8 (BIBLA “SË BASHKU”, 2023)
Kur John Newton-i, pastori dhe shkrimtari i himneve i shekullit të tetëmbëdhjetë, predikoi mbi këtë varg, ai e titulloi predikimin e tij “Nuk mund t’i afrohemi Perëndisë, përveçse nëpërmjet Ungjillit të Krishtit”. Pse do të përdorte ai një titull që duket sikur nuk ka fare lidhje me vargun?! Vetë Newton-i komentoi: “Zor se ka ndonjë pasazh në Bibël i cili të keqkuptohet më shumë se ky.” Duket se titulli i predikimit të tij kishte për qëllim korrigjimin e keqkuptimeve të zakonshme.
Titulli i Newton-it na paralajmëron për rrezikun e leximit të virtyteve të përshkruara këtu dhe më pas përpjekjes për t’i jetuar ato pa ungjillin ose për t’i shpallur ato në vend të ungjillit, si një mjet për t’iu afruar Perëndisë. Asnjëra nga këto nuk e trajton si duhet atë që profeti — dhe Zoti — kishin për qëllim të thoshin. Mënyra më e mirë për ta kuptuar vargun nga Mikea 6:8 nuk është si një listë e gjërave që kontribuojnë në drejtësimin tonë, por si dëshmi të drejtësimit tonë. Kur shohim në këtë mënyrë, pasi kemi caktuar motivin dhe synimet e duhura, mund të kuptojmë atë për të cilën Zoti po thërriste Izraelin dhe po na thërret edhe ne që ta bëjmë.
Nëpërmjet Mikeas, së pari, Zoti na thotë të “[veprojmë] drejt”. Kjo do të thotë të përkushtohesh për të vepruar në përputhje me vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë. Për shembull, te Ligji i Përtërirë, Moisiu thotë se Perëndia “u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave… e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje” (Ligji i Përtërirë 10:18). Ne duam të kujdesemi për ato gjëra që interesohet Perëndia, gjë që do të thotë t’i marrësh seriozisht këto përparësi, të kërkosh t’u bësh “të mirën të gjithëve, por veçanërisht shtëpiarëve të besimit” (Galatasve 6:10).
Së dyti, Zoti na thotë të “[duam] mirësinë”. Nëse zbatimi i drejtësisë është veprimi, atëherë dashuria për mirësinë është qëndrimi i zemrës që e ushqen atë. Dhembshuria e përzemërt na siguron që ta ndjekim drejtësinë jo si kryerjen e ndonjë detyre, por si një veprim të gëzueshëm dashamirësie.
Së treti, duhet të “[jemi të] përulur”. Me fjalë të tjera, duhet të ecim të nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë, duke përqafuar varësinë tonë të plotë tek Ai në çdo hap të kësaj udhe. Pse e përfundon Mikea këtë varg me të qenët të përulur? Së pari, sepse kërkohet përulësi për të pranuar që ne nuk i bindemi përsosurisht thirrjes për të dashur mirësinë dhe për të zbatuar drejtësinë — prandaj, kemi nevojë për faljen e Zotit dhe jo vetëm urdhërimet e Tij. Dhe së dyti, sepse edhe kur i bindemi Atij në mënyrën që na thërret Mikea 6:8, frytshmëria e punës sonë, në fund të fundit, nuk varet nga ne.
Unë dhe ju nuk mund ta rregullojmë dot botën; përkundrazi, ne duhet t’ia besojmë zgjidhjen Mbretit dhe Gjykatësit të botës. Bërja e kësaj na nxit dhe na mbështet, me ndihmën e Perëndisë, për ta jetuar ungjillin që na ka shpëtuar, përmes shprehjeve të drejtësisë, mirësisë dhe përulësisë, për të mirën e të afërmve tanë, për dëshminë e kishës dhe për lavdinë e Krishtit. Nga shekujt e largët, Mikea ju thërret sot që të reflektoni me përulësi mbi nevojën tuaj për ungjillin, të shikoni në zemrën tuaj dhe t’i kërkoni Frymës që ta rritë atë në mirësinë e Krishtit, dhe pastaj të shikoni botën tuaj dhe të ndiqni gjallërisht paanësinë dhe drejtësinë.
