prill 10

Prill 2022


Kur sytë e një të krishteri hapen për të parë ligësinë e sjelljes së tij të dikurshme, e cila e çnderonte Perëndinë, i krishteri ndihet me të drejtë i turpëruar. Pali i thotë kishës në Romë: “Kur ishit shërbëtorë të mëkatit... Dhe ç’fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp?”

Ekziston një vend i duhur për të hedhur vështrimin pas dhe për të ndier sëmbimin e dhimbjes që dikur jetuam një jetë, e cila e nënçmonte kaq shumë Perëndinë. Sigurisht që nuk duhet të paralizohemi duke u fiksuar pas kësaj. Por një zemër e krishterë, e cila është e ndjeshme, s’mund t’i sjellë në mendje marrëzitë e rinisë dhe të mos e ndiejë jehonën e turpit, edhe nëse gjërat janë sqaruar tashmë me Zotin.

Aty ku turpi është me vend, ai mund të jetë shpengues dhe shumë i shëndetshëm. Pali u tha thesalonikasve: “Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet” (2 e Thesalonikasve 3:14). Kjo do të thotë se turpi është një hapi i duhur dhe shpengues për kthimin në besim, dhe madje edhe në pendimin e një besimtari pas një stine mëkati dhe ftohtësie frymërore. Turpi nuk është diçka të cilën duhet ta anashkalojmë me çdo kusht. Ka një vend për këtë lloj turpi në mënyrën si Perëndia i trajton me mirësi njerëzit e Tij.

Mund të dalim në përfundimin që kriteri biblik për turpin e pavend dhe për turpin me vend është një kriter radikal, që ka Perëndinë në qendër.

Kriteri biblik për turpin pavend thotë: “Mos të të vijë turp për diçka që e nderon Perëndinë, pavarësisht sa të dobët, sa të marrë, apo gabim të bën të dukesh në sytë e njerëzve të tjerë. Ose një mënyrë tjetër për ta zbatuar këtë kriter, që ka Perëndinë në qendër për turpin e pavend, është të thuash: mos u ndje i turpëruar, për shkak të një situate vërtet të turpshme, veçse po more pjesë në ligësi.

Kriteri biblik për turpin me vend thotë: “të vijë turp kur përfshihesh në çdo gjë që e çnderon Perëndinë, pavarësisht sa të fortë, sa të zgjuar apo të drejtë të bën të ndihesh në sytë e të tjerëve.”

Ne duhet të kemi turp, kur sjellja jonë e çnderon Perëndinë, sepse Ai nuk e aprovon këtë sjellje. Ne nuk duhet të kemi turp, kur sjellja jonë e nderon Perëndinë, edhe kur njerëzit përpiqen të na turpërojnë për shkak të saj.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia