prill 1

Prill 2022


Ne, si kishë, jemi “në” një Atë dhe “në” një Zot. Çfarë do të thotë kjo?

Në radhë të parë, fjala “Atë” nënkupton kujdes, mbështetje, mbrojtje, siguri dhe disiplinë. Prandaj, të jesh “në” Atin do të thotë kryesisht që të jesh nën kujdesin dhe nën mbrojtjen e Perëndisë si Ati ynë qiellor.

Cilësimi tjetër është Zot: Ne jemi Zotin Jezu Krisht. Në radhë të parë, fjala “Zot” nënkupton autoritet, udhëheqje dhe zotërim. Prandaj, të jesh “në” Zotin do të thotë kryesisht të jesh nën kontrollin, nën autoritetin dhe nën zotërimin e Jezusit si Zoti ynë suprem.

Prandaj, Pali e përshëndet kishën e thesalonikase në mënyrë të tillë që t’u kujtojë atyre se  janë një familje (nën kujdesin e një Ati) dhe se janë shërbëtorë (nën përgjegjësinë e Zotit). Këto dy përshkrime të Perëndisë si Atë dhe Zot dhe si rrjedhim, të kishës si familje dhe shërbëtorë, korrespondojnë me dy prej nevojave tona më të thella.

Secili prej nesh ka një nevojë për shpëtim dhe ndihmë, nga njëra anë dhe një nevojë për qëllim dhe kuptim, nga ana tjetër.

  1. Ne kemi nevojë për një Atë që të na mëshirojë dhe të na shpëtojë nga mëkati e mjerimi. Ne kemi nevojë për ndihmën e Tij në çdo hap, sepse jemi shumë të dobët dhe të cenueshëm.
  2. Ne kemi nevojë gjithashtu për një Zot qiellor, që të na drejtojë në jetë dhe të na thotë se çfarë është e urtë apo e mençur. Një Zot, i cili të na japë një përgjegjësi të madhe e domethënëse për ta përmbushur, si dhe një arsye për ekzistencë, disa dobi për mënyrën sesi na krijoi. Ne nuk duam të jemi thjesht të sigurt nën kujdesin e një Ati—pavarësisht se kjo është tepër e çmuar dhe e nevojshme. Ne duam një arsye të lavdishme për të jetuar.

Ne duam që një Atë i mëshirshëm të jetë Mbrojtësi ynë dhe duam që një Zot i gjithëfuqishëm të jetë Kampioni, Komandanti dhe Udhëheqësi ynë në një kauzë të madhe. Prandaj, kur Pali thotë në vargun 1, ju jeni kisha “në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht”, mund të marrim prehje dhe ndihmë nga njëri—Perëndia është Ati ynë! Ne mund të marrim guxim dhe kuptim nga tjetri—Jezusi është Zoti ynë!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia