Mars 2022
Autoriteti i Pilatit për ta kryqëzuar Jezusin nuk e frikësoi atë. Pse jo?
Arsyeja nuk ishte se Pilati po gënjente, as sepse ai nuk kishte autoritet për ta kryqëzuar Jezusin. Në të vërtetë, ai e kishte atë autoritet.
Autoriteti i tij nuk e frikësonte Jezusin, sepse ishte një autoritet i dhënë nga dikush. Jezusi i tha: “të qe dhënë prej së larti”, që do të thotë se vërtet ka autoritet. Jo më pak autoritet, por më shumë.
Pra, si nuk frikëson kjo? Pilati, jo vetëm që ka autoritet për ta ekzekutuar Jezusin, por ai ka autoritet të dhënë nga Perëndia për ta ekzekutuar atë.
Kjo nuk e frikëson Jezusin, për shkak se autoriteti i Pilatit i nënshtrohet autoritetit të Perëndisë mbi Pilatin. Këtu Jezusi e merr ngushëllimin e Tij jo nga fakti që vullneti i Pilatit është i pafuqishëm, por për shkak se vullneti i Pilatit është i drejtuar nga lart. Jo për shkak se Jezusi nuk është në dorën e ashpër të Pilatit, por për shkak se Pilati është në duart e Atit të Jezusit.
Kjo do të thotë se ngushëllimi ynë nuk vjen nga fakti që armiqtë tanë janë të pafuqishëm, por nga sundimi sovran i Atit tonë mbi pushtetin e tyre.
Ky është thelbi i asaj që thotë Romakëve 8:35-37. Mundimi, shtrëngimi, përndjekja, uria, të zhveshurit, rreziku dhe shpata nuk mund të na ndajnë dot nga Krishti për shkak se “në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi.”
Pilati (dhe të gjithë armiqtë e Jezusit dhe tanët) kishin qëllime të liga, por Perëndia kishte një qëllim të mirë (Zanafilla 50:20). Të gjithë armiqtë e Jezusit u mblodhën së bashku me autoritetin që iu ishte dhënë nga Perëndia “për të bërë të gjitha ato, që dora jote [e Perëndisë] dhe këshilli yt [i Perëndisë] kishin paracaktuar se do të ndodhnin” (Veprat 4:28). Ata mëkatuan, por përmes veprimit të tyre mëkatar, Perëndia solli shpëtim.
Prandaj, mos u frikësoni nga kundërshtarët tuaj, të cilët mund të vrasin vetëm trupin (Mateu 10:28). Jo vetëm sepse kaq mund të bëjnë ata (Luka 12:4), por gjithashtu për shkak se kjo bëhet nën dorën vigjilente të Atit tuaj.
“A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë as edhe një prej tyre nuk është i harruar përpara Perëndisë. Por, edhe fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara; prandaj mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.” (Luka 12:6-7)
Pilati ka autoritet. Herodi ka autoritet. Ushtarët kanë autoritet. Satani ka autoritet. E megjithatë, asnjëri prej tyre nuk punon si i pavarur. I gjithë autoriteti i tyre u është dhënë. I gjithë autoriteti i tyre i nënshtrohet vullnetit të Perëndisë. Mos kini frikë! Ju jeni të çmuar për Atin tuaj sovran. Jeni shumë herë më të çmuar se zogjtë, që Ai nuk i harron.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022