Maj 2022


Është e vërtetë që çdo shkelje e ligjit të Perëndisë, është një shkelje e shenjtërisë së Tij të përsosur dhe na bën të meritojmë gjykim, për shkak se Perëndia s’mund ta shohë me sy mëkatin (Habakuku 1:13; Jakobi 2:10-11).

Por ajo që e çonte njeriun në humbje, në Dhiatën e Vjetër (dhe kjo vlen dhe për ne sot), nuk ishte dështimi për të pasur drejtësinë e përsosmërisë së pamëkatë. Ajo që i çonte në humbje, ishte dështimi për të besuar në premtimet e mëshirshme të Perëndisë, sidomos në shpresën se një ditë Ai do të siguronte një Shpengimtar, i cili do të ishte drejtësia e përsosur për popullin e Tij (“Zoti drejtësia jonë,” Jeremia 23:6; 33:16). Shenjtorët e Dhiatës së Vjetër e dinin se kjo ishte mënyra se si ishin shpëtuar, dhe se ky besim ishte çelësi i bindjes, dhe bindja ishte prova e këtij besimi.

Është jashtëzakonisht ngatërruese kur njerëzit thonë se e vetmja drejtësi që ka ndonjë vlerë, është drejtësia e Krishtit, e cila na llogaritet neve. Është e sigurt që drejtësimi nuk bazohet mbi drejtësinë tonë—madje as mbi drejtësinë që Fryma na jep me anë të besimit—por vetëm mbi drejtësinë e Krishtit, e cila na llogaritet neve. Megjithatë, ka raste kur njerëzit janë të pakujdesshëm dhe flasin me përçmim për çdo drejtësi njerëzore, sikur të mos ekzistonte drejtësia, që Perëndia prodhon duke punuar në ne dhe që i pëlqen Atij. Ky qëndrim nuk ndihmon.

Njerëz të tillë shpesh citojnë vargun nga Isaia 64:6, i cili thotë se drejtësia jonë është si lecka e papastër, ose si një “rrobë e ndotur”.

Në kontekst, Isaia 64:6 nuk po thotë se çdo vepër drejtësie e kryer nga populli i Perëndisë është e papranueshme për Perëndinë. Isaia po flet për njerëz që kanë një drejtësi hipokrite. Ajo nuk është më drejtësi. Por në vargun paraardhës, Isaia thotë se Perëndia e miraton dhe e takon atë “që kënaqet në zbatimin e drejtësisë” (Isaia 64:5).

Është një e vërtetë e lavdishme fakti që asnjë nga njerëzit e Perëndisë, para ose pas kryqit, nuk do të pranohet nga një Perëndi përsosmërisht i shenjtë, nëse drejtësia e përsosur e Krishtit nuk do të na llogaritej neve (Romakëve 5:19, 1 e Korintasve 1:30, 2 e Korintasve 5:21). Kjo është e vërtetë! Por kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk prodhon në po ata njerëz “të drejtësuar” një drejtësi praktike, e cila nuk është një “rrobë e ndotur”—edhe pse nuk është ende e përsosur.

Në fakt, ai e prodhon një drejtësi të tillë dhe kjo drejtësi është e çmuar për Perëndinë dhe në të vërtetë, kërkohet—jo si baza e drejtësimit tonë (kjo është vetëm drejtësia e Krishtit), por si një provë e faktit që jemi me të vërtetë fëmijë të drejtësuar të Perëndisë. Për këtë lutet Pali dhe për këtë duhet të lutemi edhe ne. Ai lutet te Filipianëve 1:10-11: “Që të shqyrtoni cilat janë gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe të papenguar për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte të drejtësisë që janë me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia