korrik 1

Korrik 2022


Jezusi nuk do rrijë të bëjë sehir dhe të na lërë të mos besojmë, pa luftuar me ne. Ai e merr armën e fjalës dhe e flet atë me pushtet, për të gjithë ata që e kanë të vështirë të besojnë.

Synimi i Tij është që ta mposhtë frikën që Perëndia nuk është ai lloj Perëndie i cili me të vërtetë dëshiron të jetë i mirë me ne—që Ai nuk është vërtet bujar, ndihmues, i mirë dhe i butë, por në thelb është i irrituar me ne—i zemëruar dhe jomiqësor.

Ndonjëherë, edhe nëse në zemrat tona e besojmë që Perëndia është i mirë me ne, ne mund të ndiejmë sikur mirësia e Tij është disi e shtrënguar apo e detyruar. Kjo ndodh ndoshta sepse ashtu si një gjykatës i cili është vënë me shpatulla pas murit nga një avokat i zgjuar përmes një aspekti teknik apo rregulli të gjykatës, kështu edhe atij i duhet që t’i shpërfillë akuzat kundër të akuzuarit, të cilin me të vërtetë dëshiron ta fusë në burg.

Sidoqoftë, Jezusi bën çmos për të na ndihmuar që të mos ndihemi kështu për Perëndinë. Te Luka 12:32, Jezusi përpiqet që të na përshkruajë vlerën dhe përsosmërinë e papërshkrueshme të shpirtit të Perëndisë duke na treguar kënaqësinë e pafre që Ai ndjen kur na jep mbretërinë.

“Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Çdo fjalë e vogël e kësaj fjalie mahnitëse ka për qëllim të ndihmojë në largimin e frikës që Jezusi e di se është pjesë e përleshjes tonë; domethënë, që Perëndia i jep pa dëshirë të mirat e Tij; që Ai është i shtrënguar dhe nuk vepron në përputhje me karakterin e Tij kur bën gjëra të mira; që në thellësi të qenies së Tij, Ai është i zemëruar dhe i pëlqen ta shfryjë zemërimin e Tij.

Luka 12:32 është një fjali për natyrën e Perëndisë, e cila ka të bëjë me llojin e zemrës që ka Perëndia. Ky është një varg që tregon se çfarë e ngazëllon Perëndinë—nuk tregon se çfarë do të bëjë Perëndia apo çfarë duhet të bëjë, por çfarë i pëlqen të bëjë, çfarë Ai bën me dashuri dhe me ëndje. Çdo fjalë ka peshë! “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia