v2osk 1z2niibpg5a unsplash

Korrik 2021


Nga Dave Kraft

Siç e di edhe shumica prej jush, unë jam i përfshirë tërësisht në ngritjen e drejtuesve të rinj. Disa vite më parë, mora vendimin për të dhënë nga koha dhe energjitë e mia për ata drejtues, të cilët do të shumëfishohen e do ta përfundojnë mirë garën e tyre. Ja pse jam gjithmonë në kërkim të ideve që do të më ndihmojnë ta bëj më mirë punën. Besoj me gjithë zemër se detyra e një drejtuesi nuk është rekrutimi i më shumë ndjekësve, por ndërtimi i më shumë drejtuesve. Çdo drejtues duhet të investojë në drejtues të ardhshëm, duke i përgatitur të udhëheqin e të udhëheqin mirë.

Në fillim të vitit të kaluar (2020), takova Henry Clay, një përfaqësues i stafit të “Navigator”, i cili së bashku me një përfaqësues tjetër, Terry Cook, kanë punuar për zhvillimin e disa ideve që do të ndihmojnë drejtuesit të ndërtojnë drejtues të tjerë. Ndoshta e dini se unë kam qenë pjesë e stafit të “Navigator” për 37 vite dhe kam një lidhje të ngushtë me ta, sepse ndajmë vlera dhe filozofi të përbashkëta.

U takova me Henry në një konferencë në Teksas dhe ai më prezantoi me Terry. Tashmë 15 vite më parë, këta dy djem krijuan një organizatë që ka veprimtarinë e saj në të gjithë botën duke bërë atë që është në thelb të asaj që unë kam bërë prej vitesh. Menjëherë ndjeva një lidhje me ta dhe idetë e tyre, e që prej asaj kohe kemi ruajtur kontakte të afërta.

Organizata e tyre, www.LDNGlobal.com (Leader Development Network Global) ka trajnuar drejtues në 75 shtete, ka zhvilluar 250 trajnime simpoziumesh për 3000 pjesëmarrës dhe ka certifikuar 30 drejtues që u janë bashkuar atyre në thirrjen dhe shërbesën e tyre.

Gjatë muajve të fundit, kam përdorur idetë e tyre me klientët që kam trajnuar. Në dashtë Zoti, do të marr pjesë në trajnimin certifikues në dhjetor të këtij viti për t’u bërë pjesë e brendshme e shërbesës së tyre.

Në pjesën e mbetur të këtij postimi do të ndaj “Tri përgjegjësitë kryesore” të çdo drejtuesi që janë në qendër të asaj që Terry dhe Henri mësojnë e shkruajnë, e për të cilat unë gjithashtu pajtohem një qind për qind. Ne besojmë se gjithçka që bën një udhëheqës i mirë përshtatet në njërën nga këto tre kategori:

  1. Drejto – E thënë thjesht dhe qartë, një drejtues udhëheq. Vendoset një drejtim, të cilin drejtuesi dhe ata që ndërmarrin udhëtimin me të, e ndjekin. Për të arritur në të ardhmen e dëshiruar, në atë vizion që drejtuesi ka, duhet të ketë një bashkërenditje me të menduarit, veprimtaritë, njerëzit dhe burimet. Ata që janë nën drejtim duhen motivuar. Gjithashtu duhet të ketë sisteme dhe procese për të vlerësuar vijueshmërinë e secilit. Marcus Buckingham tha: “Një drejtues është personi që ka aftësinë për t’i drejtuar njerëzit në një të ardhme më të mirë.”
  2. Zhvillo – Ndërsa drejtuesit i udhëheqin njerëzit drejt kësaj të ardhmeje më të mirë, ata investojnë në personat e skuadrës. Qëllimisht forcojnë kapacitetin e të gjithëve që ata të rriten personalisht e të japin më të mirën e tyre. Kjo bëhet përmes mësimdhënies, modelimit dhe trajnimit.
  3. Kujdesu – Ndërsa drejtuesit udhëheqin dhe zhvillojnë anëtarët e skuadrës, ata gjithashtu tregojnë kujdes të vërtetë për ta. Drejtuesi kërkon të kujdeset për njerëzit që udhëheq, jo thjesht të përqendrohet në kontributin e tyre. Ai gjithashtu lidhet me ta në mënyrë të vazhdueshme, për të kuptuar si ndihen dhe si janë. Drejtuesi siguron atë që është thelbësore për anëtarët e skuadrës, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në përgjegjësitë e tyre dhe i mbron nga gjërat që mund të zbehin efektivitetin dhe frytshmërinë e tyre në të ardhmen.

Kur po studioja drejtuesit në Bibël (si Jezusi drejtoi, zhvilloi dhe u kujdes, për shembull), në biznes, në sport, në qeveri edhe në shërbesën e krishterë, më duket se gjithçka që një drejtues bën, çka është thelbësore dhe kritike, përmblidhet në këto tri përgjegjësi kryesore. Të trija janë të rëndësishme dhe asnjëra nuk mund të anashkalohet. Terry shkroi një libër ndihmues Lead, Develop, Care, për të cilin ka një shënim në faqen time të internetit Dave’s Book Note.

Lexoni shënimin tim për këtë libër, për të marrë një pamje të përgjithshme të asaj që përmban, por ju lutem blini librin e Terry në Amazon, sepse përfshin mjete, ushtrime dhe burime, të cilat nuk përmenden në shënimet e mia.

Konceptet Drejto, Zhvillo, Kujdesu na japin mua dhe drejtuesve të tjerë, një kornizë, një kuti veglash të jashtëzakonshme me ide të provuara, të cilat na ndihmojnë të hapim rrugën para nesh në ndërtimin e drejtuesve për lavdinë dhe nderimin e Perëndisë!

Nëse keni pyetje ose dëshironi të diskutoni me mua se si këto ide mund të përfshihen në veprimtarinë tuaj si drejtues, më dërgoni email në [email protected].

Botuar me leje: https://davekraft.org/2020/10/30/the-three-primary-responsibilities-of-every-leader/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaLidership

Postime të ngjashme