tri gjëra që duhet t’i dini rreth abdisë

Nëntor 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth...

Max Rogland

Mund ta anashkalojmë lehtësisht profecinë e Abdisë, sepse është libri më i shkurtër i Dhiatës së Vjetër dhe gjendet i fshehur mes Profetëve të Vegjël, që janë një territor i pashkelur për shumë lexues të Biblës. Faktet kryesore rreth librit të Abdisë mund të mësohen shpejt e shpejt, meqë duhet vetëm një minutë ose dy për ta lexuar atë.

Profeti shpall gjykimin e Zotit kundër kombit të Edomit (Abdia 1-4, 8-10), një vend i vogël ky, por që jetonte i shtyrë nga një ndjesi rehatie e sigurie, e cila ishte shndërruar në krenari mburravece (Abdia 3, 12). Arsyet për këtë vetësiguri ishin të dyfishta: Bëhej fjalë për një vend malor, i cili sipas perceptimit të njerëzve mund të mbrohej lehtë (Abdia 3-4). Veç kësaj, Edomi (i cili shpesh përmendet me emrin e kryeqytetit të vet, Teman) ishte i mirënjohur për zotërimin e një urtësie të madhe njerëzore (Abdia 8-9; shih po ashtu Jeremia 49:7). Thënë ndryshe, Edomi i kishte të gjitha përparësitë strategjike, të cilat bënin që banorët e tij të jetonin me ndjesinë e sigurisë. E megjithatë, Zoti shpalli se gjykimi do të binte mbi edomitët, jo vetëm sepse nuk i ndihmuan judenjtë kur i sulmuan babilonasit (gjë që e arriti kulmin në shkatërrimin e Jerusalemit dhe shpërnguljen në vitin 587/586 para Krishtit), por edhe sepse i ndihmuan aktivisht pushtuesit duke i kapur ikanakët judeas, dhe duke ia dorëzuar atyre (Abdia 11-14; Psalmi 137:8-9; Ezekieli 25:12; 35:5). Krahas këtyre orakujve të gjykimit, Zoti i premtoi popullit të Tij se do ta çlironte dhe do ta rimëkëmbte atë përmes pushtetit të Tij mbretëror (Abdia 17-21).

Po të kuptojmë tri gjërat e mëposhtme rreth librit të Abdisë, do ta ngërthejmë mesazhin e tij ashtu si duhet.

1. Profecia e Abdisë shfaq realizimin e dekretit sovran të Zotit që i ishte dhënë Isakut rreth bijve të tij Jakob dhe Esau se “më i madhi do t’i shërbejë më të voglit” (Zanafilla 25:23).

Kombet e Edomit dhe të Judesë e kishin prejardhjen nga Esau dhe Jakobi (Zanafilla 36:1-43; 49:1-28). Njëlloj si dy vëllezërit që kishin pasur një marrëdhënie të trazuar (Zanafilla 27:41-45), të tillë e kishin marrëdhënien edhe dy kombet që dolën prej tyre (Edomi nga Esau dhe Judea nga Jakobi). Megjithëse i pandershëm dhe mashtrues, Jakobi e mori të drejtën e parëbirnisë dhe besimin që i përkiste vëllait të parëlindur (Zanafilla 25:29-33; 27:1-40). Po kështu, kombit të Judesë iu dha hir nga Perëndia që të sundonte mbi edomitët (Numrat 24:18-19) gjatë gjithë historisë së tyre konfliktuale (shih për shembull, 1 i Samuelit 14:47; 2 i Samuelit 8:11-14; 1 i Mbretërve 22:47; 1 i Kronikave 18:11). Trajtimi që i bën Zoti Jakobit dhe Izraelit, shfaq favorin e pamerituar të Perëndisë ndaj atyre që nuk e meritonin aspak (Malakia 1:1-4; Romakëve 9:10-16).

2. Vegimi i Abdisë (Abdia 1) i mbledh siç mblidhet teleskopi, veprat e gjykimit të Perëndisë dhe veprat e tij të çlirimit,  për t’i bërë ato që të duken të njëkohshme.

Abdia nuk flet vetëm për gjykimin që do të bjerë mbi Edomin, por edhe për “ditën e ZOTIT” (Abdia 15), e cila do të sjellë gjykimin mbi kombet (Abdia 16) dhe çlirimin për popullin e Perëndisë (Abdia 17). Në pamje të parë, duket sikur të dyja këto ngjarje ndodhin në të njëjtën kohë. Mirëpo, profetët e Biblës i mbledhin bashkë veprat e gjykimit dhe të çlirimit të Perëndisë, ashtu siç bën dikush kur ka mbaruar punë me teleskopin dhe e mbledh atë për ta vendosur në kuti. Kjo mënyrë të foluri shpesh emërtohet si “përmbledhje profetike” apo “mbledhje teleskopi” dhe, duke qenë i vetëdijshëm për këtë teknikë, lexuesi i kursen vetes mjaft pështjellime. Duke e kuptuar këtë tipar të rëndomtë të orakujve profetikë, mund ta dallojmë se përmbushja e profecisë së Abdisë ndodh në kohë të ndryshme. Kështu për shembull, shkatërrimi i Edomit ka ndodhur tashmë, por besimtari ende mbetet në pritje të “ditës së ZOTIT”, në të cilën të gjitha kombet do të thirren në gjykim, dhe gjithashtu do të vijë plotësia e shpëtimit për kishën.

3. Profecia e Abdisë nuk citohet drejtpërdrejt në Dhiatën e Re, por Shkrimi i Shenjtë na drejton drejt përmbushjes së tij befasuese në Jezu Krishtin.

Abdia, së bashku me një tufë librash të tjerë të Dhiatës së Vjetër, sikurse Esteri dhe Sofonia, nuk citohet në Dhiatën e Re. Pavarësisht nga kjo, Shkrimi i Shenjtë tregon se profecia e Abdisë u përmbush në një mënyrë befasuese. Me kalimin e kohës, edomitët u nënshtruan prej fuqive të mëdha dhe, sipas Jozefit, një historian hebre, erdhi një moment që ata ranë sërish nën sundimin e hebrenjve dhe u detyruan të bënin rrethprerjen fetare prej Gjon Hirkanit (John Hyrcanus) (një udhëheqës hasmonean dhe kryeprift i judenjve) në gjysmën e dytë të shek. II para Krishtit (Antiquities 13:256). Për pasojë, këta “idumeas”, siç njiheshin asokohe, filluan të shkriheshin me popullin e Judesë. Humbja e tokës së paraardhësve dhe identitetit kombëtar qe një bekim i fshehur për ta, sepse edhe idumeasit u përfshinë mes atyre që u tërhoqën për të ndjekur pas Jezus Mesian (Marku 3:8-9), duke provuar kështu të vërtetën e Kolosianëve 3:11: “Nuk ka aty helen e judé, rrethprerje e parrethprerje, barbar, skithas, skllav dhe të lirë, por gjithçka dhe në të gjitha është Krishti.” Ashtu si kishte shpallur Abdia, çlirimi gjendej në Malin Sion (Abdia 17), domethënë mes popullit të Perëndisë së gjallë, të cilët ndiqnin Jezusin, ndërmjetësin e një besëlidhjeje më të mirë (Hebrenjve 12:22-24).

Edhe në rastin e librit të Abdisë vlen ajo fjala e urtë e moçme: “Edhe floriri i vogël është, por vlerën e ka të madhe.”


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-obadiah

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Çfarë është Ungjilli?
Tri gjëra që duhet të dini rreth Oseas