Zonja e parë në Francë – Marie Dentière

NGA ADRIEL SEGAL

Lindur në vitin 1495 në një familje fisnike në Turnai të Francës, Maria Dentieri ishte mjaft e arsimuar për kohën e vet. Ajo hyri në një manastir agustinian (ky ishte edhe urdhri murgjëror i Luterit) dhe ka të ngjarë që shërbeu si kryemurgesha e tij në fillim të viteve 1520. E entuziazmuar prej zbulimeve revolucionare teologjike të Martin Luterit, Maria u largua nga manastiri në vitin 1525 dhe u zhvendos në Strasburg për t’iu bashkuar zyrtarisht lëvizjes së vrullshme të Reformimit. Po atë vit, ajo bëri edhe një lëvizje të dytë radikale kur u martua me një ish-prift katolik që quhej Simon Robert.

Hedhja poshtë e beqarisë klerikale dhe lartësimi i gëzimeve të martesës sipas Shkrimit u kthyen në temat kryesore të shërbesës së Marisë, duke u shfaqur në mënyrë radikale në përpjekjet e saj të diskutueshme për të kthyer në protestantizëm murgeshat e Gjenevës. Një reformator shkruan që Maria dhe Simon Roberti “ishin çifti i parë francez që pranoi një detyrë pastorale në Kishën e Reformuar”. Çifti pati pesë fëmijë, por Simon Roberti vdiq në vitin 1533. Në vitin 1535, Maria qe martuar me Antuan Fromentin (Antoine Froment), një pastor tjetër i reformuar dhe në këtë kohë familja u zhvendos në Gjenevë.

Drejtpërdrejt nga Gjeneva

Pjesën më të madhe të asaj që dimë për Dentierin dhe që në fakt nuk është shumë, e mësojmë falë tri dokumenteve, autorësia e të cilave i atribuohet asaj. Vepra e parë përmbledh ndodhitë e viteve 1532-1536 në Gjenevë nga këndvështrimi i reformatorëve. Me shumë gjasë Dentieri mund të ketë qenë shkrimtarja e parë protestante që dha një dëshmi okulare për atë kohë të trazuar. Ajo ishte mes grave të para, për të mos thënë e para, të cilat e formuluan qartë dhe e mbrojtën teologjinë e reformuar në Francë.

Mirëpo, Maria Dentieri ishte më tepër sesa një historiane e thjeshtë: ajo ishte një ungjilltare e zonja (dhe e zjarrtë). Ajo e donte dhe e nderonte Biblën, ishte e shqetësuar për faktin që Kisha Katolike e kishte mbajtur atë larg popullit dhe shpallte në mënyrë të përsëritur që çdo person, përfshirë edhe gratë, duhej të ishte në gjendje t’i lexonte për vete fjalët e çmuara dhe të lavdishme të Perëndisë.

Një mësuese e reformuar?

Vepra më e famshme dhe e diskutueshme e Dentierit ishte një letër drejtuar mbretëreshës së Navarrës, e cila titullohej “Një letër shumë e dobishme” (A Most Beneficial Letter). Letra në vetvete është një mbrojtje e fortë biblike e teologjisë së reformuar dhe një sulm plot zell kundër Kishës Katolike.

Kjo është një vepër energjike dhe tërheqëse, nëpërmjet së cilës Dentieri shfaq faktin që zotëron njohuri të jashtëzakonshme biblike dhe një njohje të thellë të doktrinave teologjike. Trazirat publike që shkaktoi, sollën arrestimin e pronarit të shtypshkronjës si dhe shkatërrimin e shumicës së kopjeve të shtypura. Letra e saj jo vetëm që dënonte katolicizmin, jo vetëm u shkrua prej një gruaje, por gjithashtu në të mbroheshin të drejtat e barabarta të grave për të qenë teologe dhe mësuese. Ajo shkruan:

Për shkak se Perëndia na e ka dhënë ne grave atë që ua ka zbuluar juve, as më pak e as më shumë se burrat, dhe ne gratë nuk duhet ta fshehim dhe ta groposim. Edhe pse nuk na lejohet të predikojmë në publik, nëpër bashkësi dhe kisha, asgjë nuk na ndalon që t’i shkruajmë dhe ta këshillojmë njëra-tjetrën me shumë dashuri. (Epistle to Marguerite de Navarre, fq. 53)

Kalvini dhe Maria

Edhe pse Maria përkrahte dhe mbronte me forcë udhëheqësit e reformuar, përfshirë këtu edhe Kalvinin, është e qartë se ai bezdisej prej saj të paktën në vitet e para të shërbesës së saj, për shkak të mënyrës së saj të drejtpërdrejtë të komunikimit, ambicieve teologjike, dhe kritikave të hapura ndaj udhëheqjes klerikale mashkullore.

Megjithatë, më 1561-shin, viti kur Maria vdiq, tensioni mes të dyve ishin zbutur, respekti dhe vlerësimi i Kalvinit për Marinë ishin rritur dukshëm. Ai madje i kërkoi asaj që të shkruante parathënien e predikimit të tij për modestinë femërore nga 1 e Timoteut 2:8-12. Ndoshta, dikush mund të thotë në mënyrë ironike që Kalvini i kërkoi asaj të jepte mësim rreth një pjese biblike që në mënyrë të qartë e ndalonte atë ta bënte këtë gjë.

Një grua mbi mur

Për Maria Dentierin lajmi i mahnitshëm i hirit shpëtues dhe mesazhi i fortë i barazisë përpara Perëndisë ishin të vërteta, që ishin shtypur prej Kishës Katolike dhe duhej që të shpalleshin nga maja e çative, prej kujtdo që i dallonte ato në Fjalën e Perëndisë.

Nuk ka dyshim që asaj i mungonin ato cilësi të cilat në atë kohë konsideroheshin si modestia dhe përulësia e duhur femërore, por për shkak se pasioni i saj ishte ndezur prej faqeve të Shkrimit, shkrimet e saj trazuan dhe ndryshuan zemrat jo vetëm në kohën e saj, por edhe në kohën tonë. Në vitin 2002, Maria Dentieri u bë gruaja e vetme, emri i së cilës u gdhend në të famshmin Mur të Reformatorëve në Gjenevë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme