Gjon Uiklif është quajtur “Ylli i mëngjesit të Reformimit”

NGA STEPHEN NICHOLS

Gjon Uiklif është quajtur “Ylli i mëngjesit të Reformimit”.

Ylli i mëngjesit në të vërtetë nuk është fare yll, por planeti Afërditë i cili shfaqet në qiell përpara se të vijë agimi, ndërkohë që errësira e natës është e zezë pisk. Ylli i mëngjesit duket aq qartë, sa nuk mund të ngatërrohet me yll tjetër.

Errësira kishte mbuluar gjithçka në shekullin e katërmbëdhjetë, shekulli i Uiklifit, i cili lindi në vitin 1330 dhe vdiq në vitin 1384, pothuaj një shekull përpara se të lindte Luteri. Në vitet e tij të adoleshencës, Uiklifi gjendej në Oksford. Tomas Braduardini (Thomas Bradwardine) (i njohur ndryshe si “Doctor Profundus”) jepte mësim teologjinë, ndërsa Uilliami nga Okham (i cili u bë i famshëm për të ashtuquajturin “Brisku i Okhamit”) jepte mësim filozofinë. Nuk kaloi shumë dhe Uiklifi u bë pjesë e trupës pedagogjike. Pasi u caktua si dekan i Kolegjit Balliol, Uiklifi dha leksione dhe shkroi vepra rreth filozofisë. Por studimet biblike e tërhiqnin vazhdimisht. Ai u angazhua fuqimisht në studimin e teologjisë dhe Shkrimit dhe ndërkaq zbuloi se sa shumë ishte larguar kisha nga rruga e drejtë duke u rënë shumë shtigjeve e monopateve të gabuara.

Krijimi i kushteve

Në vitin 1370, Uiklifi botoi tri vepra të rëndësishme si masa kundër prishjes dhe shthurjes së kishës. E para, “Rreth sundimit hyjnor”, vinte në shënjestër autoritetin e papës. Uiklifi nuk mund të gjente asnjë bazë biblike për papatin. Në fakt, ai argumentoi që papati bie ndesh dhe e zbeh autoritetin e vërtetë të kishës, i cili është Shkrimi. Vepra e dytë madhore ishte “Rreth sundimit civil”. Këtu Uiklifi iu kundërvu autoritetit të ushtruar nga Kisha Katolike e Romës mbi kurorën dhe fisnikërinë angleze. Ai u shpreh se nuk ekzistonte asnjë arsye pse Anglia duhej të vazhdonte të mbështeste një kishë të korruptuar. Në veprën e tij të tretë të rëndësishme, “Rreth së vërtetës së Shkrimeve të Shenjta”, Uiklifi e zhvilloi edhe më tej doktrinën e autoritetit të Shkrimit.

Këto tri vepra ishin shumë jetike për sa i përket krijimit të kushteve për Reformimin. Dy pedagogë që asokohe po vizitonin Oksfordin u kthyen me shkrimet e tij në vendlindjen e tyre, në Pragë, shkrime të cilat patën ndikim te Jan Husi. Ky i fundit do të kthehej në “Yllin e dytë të mëngjesit” të Reformimit. Në shkrimet e hershme të Martin Luterit zbulojmë gjurmë të ndikimit të Gjon Uiklifit. Megjithatë, sado të rëndësishme të jenë këto vepra ato nuk mund të krahasohen aspak për nga rëndësia me kontributin e tij më të madh, Biblën Uiklif.

Reformimi fillon nga përkthimi

Në veprën e tij “Rreth së vërtetës së Shkrimeve të Shenjta”, Uiklifi bëri thirrje që Bibla të përkthehej në anglisht. Sipas ligjit katolik, përkthimi i Biblës në gjuhët e popujve përbënte një herezi që dënohej me vdekje. Zor se mund ta kuptojmë dëshirën e kishës për ta mbajtur Fjalën e Perëndisë larg njerëzve, sepse një gjë e tillë ndodh vetëm kur kisha dëshiron të sundojë mbi njerëzit. Uiklifi ishte aq i bindur për fuqinë e fjalës së Perëndisë, sa nuk i trembej më pushtetit të papës. Si rrjedhim, ai dhe një grup kolegësh u zotuan që ta bënin të disponueshme fjalën e Perëndisë.

Jo vetëm që Bibla duhej përkthyer, por gjithashtu duhej kopjuar dhe shpërndarë. Kjo ndodhi para shpikjes së shtypshkronjës (më 1440-n), prandaj kopjet e Biblës duheshin bërë me shumë mundim me shkrim dore. Pavarësisht nga sfidat, qindra Bibla u prodhuan dhe iu shpërndanë grupit të predikuesve të lidhur me Uiklifin, të cilët predikuan përreth Anglisë, ndërsa Fjala e Perëndisë arriti njeri më njeri. Ndjekësit e Uiklifit u quajtën Llollardë. Ata u shndërruan në vatra reformimi jo vetëm në Angli, por edhe anembanë Evropës.

Këto përpjekje për përkthimin, kopjimin dhe përhapjen e Biblës në gjuhën angleze u nxitën prej një motivi të vetëm, të cilin Uiklifi e shprehu me këto fjalë: “Është e dobishme për të krishterët që ta studiojnë Ungjillin në gjuhën e nënës.” Nga fundi i jetës së vet, Uiklifi u përball me humbjen e përkrahjes nga kisha dhe fisnikëria në Angli. Natyrisht, papa e kishte halë në sy qysh prej shumë kohësh. Megjithatë, Uiklifi thoshte shpesh: “Jam gati t’i mbroj bindjet e mia deri në vdekje.” Ai mbeti i bindur për autoritetin dhe rolin parësor të Shkrimit dhe ia kushtoi jetën e vet thirrjes për t’i ndihmuar të krishterët që ta studiojnë vetë Biblën. Pas dy tronditjesh cerebrale, Gjon Uiklifi vdiq më 30 dhjetor 1384.

“Heretik” dhe hero

Në vitin 1415, Koncili i Konstancës, i cili e dënoi me vdekje Jan Husin, e shpalli Uiklifin heretik. Kockat e tij u zhvarrosën, u dogjën dhe hiri u hodh në lumin Suift.

Por përpjekjet reformuese të Uiklifit nuk mund të shkatërroheshin nga flakët apo të pengoheshin nga deklaratat e një koncili. Ky “Yll i mëngjesit” shkëlqeu në horizont duke paralajmëruar agun e një dite të re.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme