foto83

NGA MATT CRUTCHMER

Në faqen e parë të botimit të vitit 1559 të veprës së Gjon Kalvinit Institutet e fesë së krishterë gjendet edhe emblema e shtypshkronjës së Gjenevës: një pemë ulliri me disa degë të prera. Degët e prera janë vizatuar në rënie e sipër dhe rreth emblemës lexohet motoja Noli altum sapere: “Mos ji arrogant.” Pema tregon edhe vendet ku janë shartuar degët e ullastrës.

Një version më i hershëm i kësaj embleme që gjendet në Fjalorin e Gjuhës Latine (Thesaurus Latinæ linguæ) të botuar në vitin 1531, shton edhe frazën sed time: “Por ki frikë.” Burri që gjendet poshtë pemës, mund të jetë apostulli Pal, autori i këtyre fjalëve tek Romakëve 11:19-20. Mirëpo, gurët rreth këmbëve të burrit na shtyjnë të mendojmë se burri në fjalë mund të jetë edhe Stefani, predikimi bindës dhe martirizimi i të cilit përshkruhen me patos te Veprat e Apostujve 7.

Paraqitja e mundshme e këtyre dy referencave biblike në këtë emblemë është domethënëse, sepse emblema i përkiste tipografit, shtypshkruesit dhe studiuesit Robert Estien, ose “Robertus Stefanus”. Jeta dhe karriera e Estienit demonstrojnë qartë shumë prej tipareve të Reformimit.

Tipografi mbretëror

Estieni nuk ishte vetëm një tipograf i rëndësishëm në Evropë në fillim- dhe gjysmëshekullin XVI, por ai ishte gjithashtu një studiues i Biblës dhe i letërsisë klasike. Teksa punonte në Paris gjatë sundimit të mbretit Fransua I, profesionalizmi i tij u shfaq kaq qartë, saqë Estieni mori titullin e “Tipografit mbretëror”, duke u bërë tipografi i mbretit për gjuhët hebraisht dhe latinisht në vitin 1539 dhe më pas për greqishten në vitin 1542.

Mbreti i Francës ishte mjaft i vetëdijshëm për shtytjen humaniste të epokës drejt studimit të teksteve të lashta. Vetë Estieni shkroi: “Jo vetëm që mbreti nuk ka aspak ndërmend që t’ia mohojë askujt veprat e shkrimtarëve të lashtë, të cilat ai vetë i siguroi duke paguar një çmim të kripur nga Italia dhe Greqia, por madje ai synon që t’i vërë ato në dispozicion dhe shërbim të mbarë popullit.”

Gjatë viteve të tij në Francë, Estieni përmblodhi dhe shtypi shumë libra gjuhësorë: Abetaren e greqishtes së lashtë, Fjalorët Latinisht-Frëngjisht dhe Fjalorin e Gjuhës Latine. Ai gjithashtu filloi punën për të përgatitur Fjalorin e Gjuhës Greke (Thesaurus linguæ graecæ), një vepër e rëndësishme kjo e cila do të kthehej në standardin e leksikografisë së greqishtes së lashtë dhe për pasojë edhe të asaj biblike deri në fillimet e shek. XIX.

Kthim te burimet

Sikurse ndodhi dhe me shumë studiues të tjerë të epokës së Reformimit, dashuria e Estienit për letërsinë klasike shkoi krah për krah me fokusin te Bibla, qoftë duke përkthyer Vulgatën Latine, ashtu edhe duke punuar me versionet e saj origjinale në hebraisht dhe greqisht. Ai shtypi dy herë Dhiatën e Vjetër në hebraisht, ndërsa botimet e tij të shumta të Dhiatës së Re në greqisht patën shumë ndikim dhe qenë të dobishme për veprën teologjike të Reformimit.

Estieni ishte ai që krijoi sistemin më të mirë dhe përfundimtar të ndarjes në vargje, të cilin e gjejmë edhe në Biblat tona sot. I famshmi Editio Regia që u botua në vitin 1550 është një kryevepër për sa i përket aspektit të tij studimor, artistik dhe teknik, duke qenë e para Dhiatë e Re në greqisht që përfshiu një strukturë kritike për të treguar versionet e ndryshme të të njëjtave tekste, të cilat Estieni i zbuloi në pesëmbëdhjetë dorëshkrimet e mbledhura gjatë kërkimeve të veta. Është pikërisht ky botim, me shkronjat e tij të bukura në greqisht të skicuara nga Klod Garamond (Claude Garamond), i cili edhe u kthye në bazën e Biblës së Gjenevës në anglisht, si dhe për studimin e Shkrimeve në shekujt që do të vinin.

Deri në vitin 1550 Estieni kishte shtypur shumë edicione të Vulgatës latine në Paris, megjithëse studimet e tij e çuan “në dy drejtime të ndryshme” nga teksti i autorizuar kishtar: “pas në kohë te përkthimi i teksteve origjinale” dhe përpara te shpjegimet më të plota dhe më të hollësishme në tekstet e tij për “lexuesin me arsim të thjeshtë”, i cili “e kishte të vështirë të mos hynte në sferën e ekzegjezës së tekstit” (Robert Estienne, Royal Printer, fq. 76–78).

Në botimin e vitit 1545, ai përfshiu një sërë shënimesh anësore të paautorizuara, të cilat vinin në dyshim mënyrën se si Vulgata i kishte përkthyer tekstet origjinale, si dhe përkthimin e tij nga greqishtja dhe hebraishtja në një version të ri paralel të Vulgatës Latine. Ky libër bëri që tek autoritetet të lindnin dyshimet se mos vallë Estieni ishte shndërruar në një heretik dhe se mos vallë ai kishte përqafuar “pikëpamjet luterane”. E gjitha kjo situatë solli edhe largimin e rrufeshëm të Estienit nga Parisi për t’u strehuar në Gjenevë më 1550-n.

Botuesi i Gjenevës

Në Gjenevë, qytet i cili tashmë e mbështeste hapur lëvizjen protestante, Estieni hapi shtypshkronjën e tij dhe u bë tipografi numër një i kauzës së Reformimit. Bibla e tij në frëngjisht e vitit 1553 vazhdoi ta vinte theksin tek teza kryesore e Reformimit: që njerëzit duhet ta lexonin Shkrimin në gjuhën e tyre, ndërsa botimet e tij të Instituteve (Institutes) dhe Komentarëve të Kalvinit, si dhe të shkrimeve të tjera protestante, i shërbyen lëvizjes gjithnjë e në rritje në synimin e saj për ta dëgjuar qartë Shkrimin e Shenjtë dhe për t’u qeverisur prej tij.

Botimi i vitit 1559 i Instituteve ishte “përmbledhja më gjithëpërfshirëse e doktrinës protestante gjatë Reformimit” dhe mund të thuhet me plot gojën se ishte vepra më e rëndësishme që doli gjatë Reformimit, sikurse provohet edhe nga përkthimi i saj në gjashtë (ndoshta shtatë) gjuhë të tjera deri në vitin 1624. Botimi i Estienit, i cili ishte i lehtë për t’u lexuar dhe i bukur për nga paraqitja madje edhe sipas standardeve të sotme, luajti një rol të madh në rritjen e kishave të reformuara gjatë shek. XVI.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme