Revolucionari francez – Guillaume Farel

NGA JOHNATHON BOWERS

Në një predikim të mbajtur në vitin 1791, Lemuel Hajnes (Lemuel Haynes) theksoi: “Asgjë nuk është më e dukshme, sesa fakti që njerëzit ushqejnë shumë paragjykime për ungjillin. Kjo është arsyeja përse ne që jemi caktuar për mbrojtjen e ungjillit, ballafaqohemi me përbuzje pa fund” (The Faithful Preacher, fq. 25). Edhe reformatori francez Guljelm (William) Fareli nuk i shpëtoi përbuzjes.

Si shërbëtor i zellshëm i Ungjillit, Fareli e kaloi jetën e vet në mbrojtje të kauzës protestante, duke u ballafaquar shpesh me kundërshtime e vështirësi. Kishte raste që këto pengesa i shkaktonin paragjykimeve reale kundër ungjillit. Megjithatë, në shumë raste të tjera, fajin e kishte kokëkrisja e vetë Farelit. Gjon Kalvini thoshte shpesh se nganjëherë Fareli “rrëmbehej nga hidhësia e zellit të tij” (Calvin, fq. 152). Duke pasur një temperament dhe një zell të zjarrtë për perëndishmërinë biblike, Fareli luftoi pa u lëkundur për besimin dhe për pasojë luajti një rol kyç në fillimet e Reformimit francez.

“Papati më doli nga zemra”

Fareli lindi në Gap të Francës në vitin 1489 dhe u rrit në një familje të devotshme katolike. Në moshën njëzetvjeçare hyri në Universitetin e Parisit për të studiuar teologji. Gjatë studimeve, Fareli u njoh me humanistin Zhak Lëfevrë d’Etaplë (Jacques Lefèvre d’Étaples) dhe u frymëzua prej përkushtimit të këtij të fundit ndaj Krishtit.

Pasi u diplomua në vitin 1517, Fareli filloi të jepte mësim në Kolegjin e Kardinal Lemuanit (Lemoine). Lajmet nga Gjermania rreth përpjekjeve reformuese të Luterit mbërritën te Fareli dhe ia përforcuan bindjen gjithnjë e në rritje se adhurimi dhe doktrina katolike ishin larguar nga rrënjët e tyre biblike. Tek studionte Shkrimin për vite me radhë, Fareli zbuloi që “pak e nga pak papati i doli nga zemra” (William Farel, fq. 26).

Fareli hoqi dorë nga posti i tij si mësues dhe në vitin 1521 filloi të përhapte mesazhin e Reformimit kudo ku mundej. Ai predikoi në Francë dhe në zonat frëngjishtfolëse të Zvicrës, u takua me Johan Ekolampadin në Bazel, si dhe me Volfgang Kapiton dhe Martin Bucerin në Strasburg. Fareli njihej për stilin e tij konfrontues, gjë që nxiti paralajmërimin e mëposhtëm të Ekolampadit: “Sa më tepër të priresh nga dhuna, aq më tepër duhet të përpiqesh të jesh zemërbutë, t’i zbutësh shpërthimet e tua si ulërima luani me frymën e pëllumbit” (William Farel, fq. 38).

Bashkëpunëtori i Kalvinit

Në vitin 1533, një vit pas një vizite të pasuksesshme atje, Fareli u vendos në Gjenevë, i vendosur që ta udhëhiqte qytetin drejt Reformimit. Shpresa e tij u realizua në vitin 1536, kur Këshilli i Përgjithshëm i Gjenevës zyrtarisht vendosi ta kalonte qytetin nga ana e protestantizmit.

Ky ishte viti i famshëm kur Fareli e bindi Kalvinin që të bëhej bashkëpunëtori i tij në këtë vepër. Kalvini po kalonte nëpër Gjenevë rrugës për në Strasburg dhe ishte i vendosur që të jetonte një jetë të qetë prej studiuesi. Fareli mësoi që Kalvini ishte në qytet dhe u përpoq ta bindte që të qëndronte. Kur përgjërimet e buta dolën pa sukses, Fareli e kërcënoi Kalvinin me gjykimin e Perëndisë. Fjalët e Farelit e bënë punën e tyre. Më vonë Kalvini shkroi: “Nga kjo e folur kaq e ashpër më pushtoi frika dhe kështu hoqa dorë nga udhëtimi që kisha ndërmarrë” (William Farel, fq. 69).

Vendimi për të qëndruar në Gjenevë qe jetëndryshues për Kalvinin. Ndonëse ai dhe Fareli u dëbuan në vitin 1538 pas konflikteve që patën me qeveritarët lidhur me çështjet e disiplinës në kishë, Kalvini u kthye në Gjenevë në vitin 1541 dhe shërbeu atje gjatë gjithë jetës së tij. Fareli u zhvendos në Nojshatel, një qytet ku ai bashkë me Antuan Fromentin futën mësimet e Reformimit në vitin 1530. Sikurse Kalvini në Gjenevë, edhe Fareli zuri vend në Nojshatel derisa vdiq në vitin 1565.

Kalvini dhe Fareli ruajtën një marrëdhënie të ngushtë pas kohës që kaluan bashkë në Gjenevë, duke shkëmbyer letra të paktën një herë në muaj për njëzet vitet në vijim. Këta dy burra, bashkë me Pjer Virenë (Pierre Viret) në Lozanë, formuan një partneritet vendimtar që i dha shumë dorë përparimit të kauzës së Reformimit francez. Fatkeqësisht, marrëdhënia mes Kalvinit dhe Farelit u prish në vitin 1558, kur Fareli shpalli fejesën e tij me Mari Thorelin (Marie Thorel), një vashë e re që ishte më shumë se pesëdhjetë vjet më e vogël se ai. Edhe pse duket se nuk ndodhi ndonjë sjellje e papërshtatshme seksuale, martesa e tyre shkaktoi një skandal për shkak të ndryshimit të madh në moshë. Miqësia mes Kalvinit dhe Farelit nuk e rifitoi më kurrë shkëlqimin e saj të dikurshëm.

Zemërndjeshëm dhe luftëtar

Sado zemërluan dhe i prirë për debate që mund të ishte Fareli, ai shkrihej në punë për të nxitur gjallërinë frymërore të popullit frëngjishtfolës. Ai prodhoi disa prej veprave të para të Reformimit në frëngjisht, shkroi një komentar rreth Kredos së Apostujve dhe rreth Lutjes së Zotit në vitin 1524, si dhe hartoi një përmbledhje të mësimit të reformuar në vitin 1529.

Në shkrimet e tij, Fareli shfaqi një interes të veçantë për temën e lutjes. Në një artikull me titull “Përshpirtshmëria Guljelm Farelit”, Teodor Van Ralte, argumenton që theksi që vinte Fareli te lutja, na tregon një anë të tij që shumë shpesh anashkalohet, një anë e cila karakterizohet prej “devotshmërisë së thellë dhe dashurisë pastorale”. Fareli ishte zemërndjeshëm dhe luftëtar, pastor dhe boksier. Cilado qofshin të metat e tij, ky revolucionar francez e donte ungjillin dhe e treti jetën e vet për të shpallur pasuritë e këtij të fundit.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme