Qiriu britanik – Hugh Latimer dhe Nicholas Ridley

NGA SCOTT HUBBARD

Për këdo që e njeh mirë Reformimin anglez, mbiemri Latimer tingëllon paksa i paplotë në vetvete, po qe se nuk shoqërohet edhe prej Ridlit.

Peshkopët Hju Latimer dhe Nikolas Ridli janë lidhur së bashku në histori, për shkak se u lidhën të dy së bashku pas së njëjtës turrë drush në 16 tetor 1555, në një fushë në veri të Oksfordit. Mirëpo, Latimeri dhe Ridli kanë më shumë pika të përbashkëta sesa martirizimin e njëkohshëm. Të dy këta peshkopë shfaqen së bashku edhe në listën e reformatorëve më me ndikim të Anglisë, këtyre burrave dhe grave, besnikëria e të cilëve ndaj Shkrimit dhe lavdisë së Krishtit e transformoi Anglinë nga një mbretëri katolike në një fanar të Reformimit.

Si Latimeri, ashtu dhe Ridli jetuan gjatë mbretërimit të katër monarkëve anglezë: Henri VII, Henri VIII (ai që mori shumë gra), Eduardi VI, dhe Maria I (që ndryshe njihet si “Maria gjakatarja”). Që të dy u bënë dëshmitarë të lojës tërhiq e mos e këput, që luajti Henri VIII, tek bënte sikur e pranonte Reformimin, të përqafimit të ngrohtë që i bëri Reformimit Eduardi VI, si dhe të qëndresës së dhunshme të Marisë I ndaj doktrinës së reformuar. Por ata vetë ishin jashtëzakonisht shumë më tepër se thjesht vëzhgues të rastit.

Latimer predikuesi

Latimeri lindi rreth vitit 1485 dhe tridhjetë vitet e para të jetës së vet i kaloi si një katolik i zellshëm, apo siç thoshte ai vetë, si një “papist kokëfortë”. “Unë isha mbase papisti më kokëfortë i mbarë Anglisë”, shkroi ai, “aq sa kur do të merrja diplomën në teologji i gjithë fjalimi im u drejtua kundër Filip Melanktonit [krahu i djathtë i Martin Luterit].”

Por shumë shpejt pas fjalimit të Latimerit kundër Reformimit, një profesor i ri i Kembrixhit i quajtur Tomas Bilni (Thomas Bilney) iu drejtua me një kërkesë: A do të pranonte Latimeri që privatisht t’i shpjegonte besimin e reformuar? Latimeri ra dakord dhe prej këtij çasti ai “nisi ta nuhaste Fjalën e Perëndisë dhe i harroi doktorët skolastikë dhe marrëzitë e tjera të këtij lloji”. Latimeri mblodhi shigjetat që kishte hedhur kundër Reformimit, dhe nisi ta drejtonte harkun në drejtim të kundërt. Gjatë dy dekadave në vazhdim Latimeri u dallua si një predikues i zjarrtë i Reformimit, me raste gëzoi edhe favorin e Henrit VIII për këtë gjë, por në raste të tjera i druhej përndjekjes së këtij të fundit (dhe kjo varej nga gjendja emocionale dhe shpirtërore
e mbretit).

Ndoshta vitet më të frytshme të shërbesës së Latimerit ishin ato nën mbretërimin e shkurtër të Eduardit VI, nga viti 1547 deri 1553. Pavarësisht se ishte i moshuar, Latimeri mbështeti kryepeshkopin e Kentërbërit, Tomas Krenmërin, në reformimin e Kishës së Anglisë, dhe predikoi si dikush që nuk reshtte dot së predikuari. Sipas Rajlit (J. C. Ryle): “Ka të ngjarë që asnjë nga reformatorët nuk i mbolli me aq bollëk dhe frytshmëri farat e doktrinës protestante në shtresat e mesme dhe ato të ulëta sa Latimeri.”

Pastaj në vitin 1553, mbretëresha Maria erdhi në pushtet dhe Latimerin e dërguan në një qeli burgu që ishte në Kullën e Londrës.

Ridli studiuesi

Ridli, i cili ishte pothuaj njëzet vjet më i ri se Latimeri, lindi rreth vitit 1502 pranë kufirit me Skocinë. Gjatë pesë dekadave vijuese, ai do të bëhej intelektuali më i zot i Anglisë dhe shkoi aq larg, sa i mësoi përmendsh të gjitha letrat e Dhiatës së Re, dhe e bëri këtë në greqishten Koine.

Pasi ndoqi studimet pranë Kolegjit Pembrok të Kembrixhit gjatë viteve të adoleshencës, Ridli i vazhdoi studimet në Francë, ku me shumë gjasë ra në kontakt me mësimet e Reformimit. Ndryshe nga Latimeri, Ridli nuk la ndonjë tregim të qartë rreth shndërrimit të tij nga një prift katolik në një predikues protestant. Mirëpo, dihet botërisht se ai e firmosi dekretin e vitit 1534 kundër epërsisë së papës dhe tre vjet më pas pranoi postin e kapelanit pranë kryepeshkopit Krenmër, duke hedhur poshtë në vitin 1545 doktrinën katolike të transubstancionit. Pasi u caktua peshkop i Londrës në vitin 1550, i zëvendësoi altarët prej guri të kishave të kryeqytetit anglez me tryeza të thjeshta druri. Sipas Ridlit dhe reformatorëve, Darka e Zotit ishte një festë frymërore, jo një sakrificë që duhej përsëritur pafundësisht.

Dhuntitë akademike të Ridlit e çuan nga një post në tjetrin, madje edhe nën mbretërimin tekanjoz të Henrit VIII. Nga Kentërbëri në Uestminster, në Soham, në Roçester dhe në Londër, Ridli studioi e predikoi, ndërsa pas ardhjes në pushtet të Eduardit VI iu përkushtua realizimit të reformave të filluara prej Krenmërit.

Mirëpo, ja tek erdhi mbretërimi i Maria gjakatares dhe Ridli përfundoi bashkë me Latimerin në burgun e Kullës së Londrës.

Qiriu i Anglisë

Më 16 Tetor 1555, pasi kishin kaluar tetëmbëdhjetë muaj në qeli, Latimeri dhe Ridli u takuan mbi një turrë drush në Oksford. Latimeri ishte i veshur me veladon dhe kësulë, kurse Ridli me veladonin e peshkopit; që të dy folën dhe u lutën bashkë përpara se xhelati t’i lidhte me litar pas turrës së druve.

Ridli ishte i pari që e inkurajoi mikun e vet. “Bëhu trim vëlla, sepse Perëndia ose do ta shuajë fuqinë e flakës, ose do të na bëjë aq të fortë, sa ta durojmë atë.” Teksa kapica e shkarpave mori flakë poshtë tyre, i erdhi radha Latimerit. Duke e ngritur zërin që të dëgjonte Ridli, ai klithi: “Ngushëllohu imzot Ridli, dhe bëhu burrë; sepse sot me hirin e Perëndisë do të ndezim në Angli një qiri, i cili nuk besoj se do të shuhet ndonjëherë.”

Tre vjet më pas Maria I ndërroi jetë dhe kurora i kaloi gjysmë-motrës së saj, Elizabetës, e cila ishte një mbretëreshë protestante. Në kohën e saj qiriu i Latimerit dhe i Ridlit u kthye në një pishtar që ndriçoi gjithë Anglinë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme